Me rastin e dyvjetorit të tentativës së dështuar të 15 Korrikut 2016 për grusht shteti në Turqi, Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, ka folur rreth kësaj tentative nga ana e organizatës terroriste gyleniste (FETO)…
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, përmes një interviste për mediat,realizuar me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, ka folur rreth kësaj tentative nga ana e organizatës terroriste gyleniste (FETO), e cila më 15 Korrik 2016 në Turqi synonte marrjen e pushtetit me forcë, atë pushtet që ishte zgjedhur përmes votës së lirë dhe demokratike të sovranit.
Në deklaratën për mediat, Ambasadori Yoruk theksoi se Shqipëria është në krye të vendeve ku FETO-ja është më e organizuar në Ballkan dhe disa institucione arsimore, shëndetësore e tregtare, si dhe organizime fetare dhe organizata të shoqërisë civile janë të infektuara nga virusi i FETO-s.
Duke folur për praninë e FETO-s në Shqipëri, shefi i misionit diplomatik turk në Tiranë tha: “Ne e dimë se organizata djallëzore, FETO, e cila kryesisht vepron nën maskën arsimore, krahas zgjatimeve të saj në institucionet arsimore dhe shëndetësore edhe në Shqipëri, është e pranishme edhe me zgjatime të tjera të pista. Ne nuk dëshirojmë që miqtë dhe vëllezërit tanë të kenë përvojën e atyre ngjarjeve që jetuam ne më 15 Korrik. Askush në Shqipëri të mos jetë tolerant ndaj institucioneve dhe individëve të lidhur me FETO-n, t’u qëndrojë sa më larg atyre dhe që familjet të mos i dërgojnë fëmijët në shkollat e FETO-s. Dëshiroj të nënvizoj se ky rrjet tradhtar në një ditë të caktuar nuk do të ngurrojë të dëmtojë Shqipërinë.”
Ai tha se besojnë se do të jetë e dobishme që të pastrohen nga territori shqiptar të gjithë elementët e kësaj strukture që përbën një kërcënim për Shqipërinë dhe për Turqinë. “…Këto zgjatje terroriste nuk duhen parë si të pazëvendësueshme në Shqipëri”, tha shefi i misionit diplomatik turk në Tiranë dhe shtoi se në këtë kuadër, shteti turk ka një fondacion me mbështetje shtetërore, i quajtur Fondacioni “Maarif” i Turqisë.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka dënuar tentativën për grusht shteti të 15 Korrikut dhe nga ana tjetër, ai ka deklaruar se tentativa për grusht shteti e FETO-s në Turqi i ka bërë edhe ata të jenë të matur dhe të kujdesshëm, se siguria kombëtare dhe stabiliteti demokratik janë ‘prioritet i prioriteteve’ dhe se janë të vendosur që organizata të mos ndikojë në misionin e arsimit në Shqipëri”, tha ambasadori Yoruk.
Ai theksoi gjatë deklaratës se “Në deklaratën e parë të Kryesisë së Shtabit të Përgjithshëm është theksuar se në tentativë ishin përfshirë mbi 8.000 vetë, personel ushtarak që kishin depërtuar në ushtri, se ishin përdorur 35 avionë, përfshirë edhe avionë ushtarakë, 37 helikopterë, 74 tanke, 246 mjete të blinduara dhe rreth 4.000 armë të lehta që u përkisnin Forcave të Armatosura”, tha ambasadori i Turqisë.
Yoruk tha se “forcat e sigurisë që kundërshtuan tentativën për grusht shteti të FETO-s dhe shtetasit tanë heronj që dolën rrugëve për të reaguar u sulmuan me avionë, helikopterë,
tanke, mjete të tjera të blinduara dhe armë të lehta. Ndërkaq 251 vëllezër tanë (policë, ushtarakë dhe civilë) ranë dëshmorë, dhe më shumë se 2.000 shtetas të tjerë u lënduan”.
“Tentativa Fetoiste për grusht shteti synoi eliminimin me dhunë të rendit kushtetues demokratik në Turqi.Në këtë aspekt, vendi ynë ishte përballë me njërin nga kërcënimet më të hapura dhe të drejtpërdrejta, ndoshta më seriozin, të cilin mund të ndeshë një shoqëri demokratike. Organet kompetente që venë në jetë sovranitetin në emër të popullit, të gjitha partitë politike që janë elemente të pazëvendësueshme të shoqërisë demokratike, organizatat e shoqërisë civile, organet e shtypit dhe forcat e sigurisë që veprojnë me urdhrat dhe direktivat e autoritetit të ligjshëm demokratik, të gjithë këta realizuan së bashku rezistencën për sovranitet dhe demokraci”, deklaroi ambasadori turk.
Ndërkaq, me rastin e 15 Korrikut, “Ditës së Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar”, organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.
Edhe në Shqipëri, me rastin e dyvjetorit të tentativës për grusht shteti, e cila solli trazira të shumta në Turqi, Ambasada turke në Tiranë organizoi të dielën një aktivitet të rëndësishëm, ku morën morrin pjesë të gjithë shtetasit turq dhe populli shqiptar. Aktiviteti në fjalë u quajt “Përkujtimi i Ditës së Bashkimit Kombëtar dhe Demokracisë”.
Për detajin e këtij aktivitetti dhe të tjerave do t’ju informojmë në programet e tjera informative.
– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –
