0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Ngjarjet në Turqi dhe zgjidhja e një problematike për ecurinë e Islamit në vendin tonë

Më të lexuarat

Muaji dhjetor i vitit që shkoi, ndër të tjera solli edhe lajme shqetësuese nga Turqia. Arrestime të shumta dhe të bujshme brenda aparatit shtetëror nën akuzën për korrupsion, dorëheqje ministrash, shkarkim shefash policie… Por, natyrisht lajmi që ka shqetësuar dhe ka habitur më shumë është konflikti në mes Erdoganit, e qeverisë së tij në njërin krah dhe lëvizjes së hoxhës Fet’hullah Gylen në krahun tjetër, ose siç emërtohet nga vetë ata, Xhemati i Hyzmetit, që me këtë rast duket se ka marrë përmasa që tejkalojnë mëritë dhe zënkat e mëparshme të panjohura më parë për botën.

Erdogani dhe mbështetësit e tij akuzojnë ‘Lëvizjen e Hyzmetit’ si përgjegjëse kryesore për arrestimet e fundit dhe se ata po keqpërdorin kartën e sajuar të korrupsionit, përtej përmasave të tij reale, në përpjekje për të dëmtuar imazhin e qeverisë në prag të zgjedhjeve lokale të marsit 2014, madje dhe si përpjekje për grusht shteti. Sipas tyre, ky aksion i koordinuar mes policisë, prokurorisë dhe gjykatës dhe i mbështetur edhe nga media të caktuara, është fryt i infiltrimit të gjerë që ka rrjeti i Hyzmetit brenda aparateve shtetërore turke. Mbështetës të Erdoganit dhe vetë ai shkojnë madje përtej kësaj, duke thënë se pas kësaj qëndron një komplot i huaj që synon të ndalë hovin e Turqisë në arritjet mbresëlënëse që ajo ka në këtë dekadë të fundit dhe vazhdimësinë e tyre në të ardhmen.

Në anën tjetër Xhemati i Hyzmetit mohon që kjo të jetë e vërtetë, sipas tyre kjo është një përpjekje dinake e qeverisë për të zhvendosur vëmendjen diku tjetër dhe për të mbuluar korrupsionin që ka kapluar aparatin e saj deri në nivele të larta. Ata nuk e mohojnë faktin se shumë prej mbështetësve të tyre punojnë në vende kyçe të aparateve të ndryshme shtetërore, por kjo vjen për shkak se ata janë bijtë e atij vendi dhe kanë të drejtën dhe mundësinë të punojnë ku të duan dhe se ata për më tepër nuk përbëjnë asnjë rrjet të koordinuar, apo shtet brenda shtetit, siç e quan Erdogani dhe mbështetësit e tij- shprehen për këtë, përfaqësues të këtij xhemati.

Edhe pse kjo është një panoramë shumë e përmbledhur dhe e cunguar rreth asaj që ndodh sot në Turqi, ajo që të bën përshtypje në këtë mes, është se Lëvizja e Hyzmetit dhe Partia e Erdoganit për gjithë këto vjet, kanë qenë aleatë të ngushtë me njëri-tjetrin dhe papritmas, por jo fare, aleanca e tyre prishet dhe kalon në një luftë të hapur.

Cili është shkaku?

Është e vështirë për ne që jetojmë larg Turqisë, të themi se ku qëndron e vërteta e kësaj prishjeje, por sipas disa analistëve, në themel të kësaj përplasjeje qëndron rivaliteti për sa më shumë pushtet, i grupimeve dhe xhemateve të ndryshme që përbëjnë shoqërinë turke, e natyrisht nuk përjashtohet mundësia që këto divergjenca të përdoren nga qarqe dhe interesa të caktuara ekonomike, politike dhe ideologjike, brenda dhe jashtë Turqisë. E di që shumë nuk janë dakord me këtë konkluzion, por në opinionin tim –ndoshta të gabuar- ky është versioni më i pranueshëm dhe thelbi i gjithë asaj që thuhet rreth kësaj përplasjeje.
Natyrisht, ajo që na intereson neve si muslimanë shqiptarë në këtë mes, nisur nga konkluzioni i mësipërm, është padyshim mënyra sesi do të reflektohen këto ngjarjeve në vendi tonë, kur dihet që edhe këtu Xhemati i Hyzmetit ka njerëzit dhe agjendën e tij.

Sado që idetë, besimet, doktrinat dhe lëvizjet e ndryshme në këtë botë gjithmonë e më të vogël, nuk mund të mbahen brenda kufijve ku ato lindin, ne si njerëz duhet të jemi të vetëdijshëm se Zoti na ka krijuar si bij të këtij trualli, dhe nuk duhet ta shohim veten internacionalistë më shumë seç duhet, madje nuk e kemi as detyrim fetar diçka të tillë. E them këtë, për të pohuar një fakt tepër të rëndësishëm, të cilin një pjesë, ose nuk e besojnë ose qëllimisht e deformojnë. Dhe kjo është qenia jonë thellësisht shqiptar, të përkushtuar për t’i bërë mirë këtij trualli dhe njerëzve që ai mbart mbi të. Unë dhe shumë prej kolegëve të mi, edhe pse një pjesë të rëndësishme të edukimit tonë fetar e kemi pasur jashtë Shqipërisë, e them me plot gojën se, jemi tërësisht të pavarur organizativisht nga çdo diktat i huaj në politikat tona fetare. Askush nuk përcakton agjendën tonë shqiptare islame dhe askush, sado që të kemi të njëjtën pikëpamje apo edhe përkrahje, nuk ushtron tutelë paternaliste mbi atë, se çfarë ne jemi dhe se si duhet të punojmë. Është pikërisht kjo, një nga arsyet madhore që edhe pse kemi numrin më të madh të njerëzve dhe simpatizantëve, jemi më pak të mbështetur nga jashtë se çdo grupim tjetër, çka provon katërçipërisht se jemi ‘puro’ shqiptarë, edhe nga mënyra e pavarur sesi punojmë.

Pse është e nevojshme të thuhet kjo gjë? Është e nevojshme të thuhet për të kuptuar rëndësinë jetike që ka për ne si muslimanë të Shqipërisë, që hallet dhe rrugën tonë t’i marrim vetë në dorë.
Një nga problemet e mëdha që ne kemi, për të cilin kam shkruar dhe folur vazhdimisht, është mungesa e përfaqësimit real, në përputhje proporcionale me muslimanët praktikantë, në Institucionin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë. Islami nuk njeh hierarki klerikale në drejtimin e fesë, veç dijes, përkushtimit dhe kontributit individual. Si i tillë, ai në strukturën organizative të tij, është shumë më i hapur dhe demokratik sesa disa komunitete të tjera. Dhe pikërisht mbi këtë bazë është ndërtuar edhe statuti i KMSH-së, edhe pse vazhdimisht në të, është ndërhyrë duke ia cunguar këtë frymë, për të mos folur pastaj për praktikën që ka qenë pothuajse në të gjitha rastet, tërësisht kundra kësaj fryme- që me të vërtetë është për të të ardhur keq.

Të gjithë ne jemi realistë se mes muslimanëve sunij shqiptarë, sot ekzistojnë hoxhallarë dhe xhemate me edukime të ndryshme ashtu si edhe shkolla islame që mbartin pikëpamje të ndryshme për çështje të ndryshme fetare, dhe kjo absolutisht që është diçka e natyrshme, sidomos në kohën kur jetojmë. Mospajtimet tona – me aq sa dimë- nuk kanë të bëjnë me thelbin e fesë dhe bazat e saj dhe pikërisht për këtë shkak, nuk kemi pasur mes nesh deri më sot, asnjë përplasje doktrinare që ia vlen ta përmendësh. E megjithatë, ajo që na ka munguar ne më së shumti, është uniteti në diversitet –nëse mund të quhen diversitet, dallimet që kemi. Atëherë cili është shkaku i kësaj përçarjeje dhe ‘lufte të ftohtë’ -do ta quaja? Shkaqet dhe arsyet janë të shumta dhe është e pamundur t’i shtjellojmë këtu, qoftë edhe duke i përmendur. Por, ai që doja të ndalesha këtu, është vetëm njëri. Dhe ky është pikërisht sektarizimi i punës në grup. KMSH-ja –për fat të keq- sot është shembulli tipik i dominimit sektar dhe i mospërfaqësimit real e dinjitar të të gjithë muslimanëve të këtij vendi. Sot, në epokën tonë, më shumë se kurdoherë tjetër, tagrin e legjitimitetit dhe përfaqësimit nuk mjafton ta marrësh vetëm me punën që bën, sado e madhe që ajo të duket. Të jesh përfaqësues, mbi të gjitha do të thotë të përfaqësosh vullnetin e atyre që të kanë zgjedhur, e nëse këtë nuk e ke, gjithçka që ke ngritur rrezikon të shembet nesër, kur një klan apo grup sektar tjetër do të të zërë vendin.
Askush nuk i garanton dot vetes dhe grupimit të tij vazhdimësi të përjetshme në pozicionet institucionale që ai ka sot. Në thelb, kjo është ajo që po ndodh sot në Turqi, ku secila palë po tenton të dëmtojë atë që ka ngritur tjetri, vetëm e vetëm se për faj të njërit ose tjetrit, ose të të dyve, nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për të ndarë pushtetin, sa i takon secilit.

Është e vërtetë se ne na bashkon feja, Kurani, Tradita Profetike, etj, por praktikisht, ky bashkim do një dorë të fortë autoritare që ta jetësojë atë, sepse Allahu bën nëpërmjet sulltanit, atë që nuk e bën nëpërmjet Kuranit- siç shprehej një sahabi i nderuar për këtë gjë. Kjo dorë autoritare duhet të jetë KMSH-ja, ashtu si BIK-u në Kosovë, mirëpo KMSH-ja nuk ka qenë deri më sot e tillë dhe s’ka për të qenë kurrë, nëse vazhdon të punojë me politikën sektare e përjashtuese apo edhe të mbajë njerëz me integritet të ulët dhe sa për dekor. Ne e kemi të qartë se një punë e suksesshme kërkon së pari kompaktësinë e grupit, por Zoti na ka bërë të ndryshëm dhe ka caktuar të jetojmë së bashku këtu ku jemi, ndaj detyrimi për të gjetur gjuhën e përbashkët, fetarisht është më madhor sesa një punë që në emër të kompaktësisë së grupit ngrihet mbi bazën e spastrimit sektar dhe përjashtimit.

Shumë prej atyre që punojnë sot në KMSH dhe i përkasin lëvizjes së Hyzmetit unë i kam vëllezër e miq, dhe me ta kam marrëdhënie të mira, por nuk është vetëm marrëdhënia individuale ajo që ne kërkojmë, por pikërisht nisur mbi këto marrëdhënie të mira individuale, ne duhet të ngremë një punë institucionale gjithëpërfshirëse.

Nuk mund të rri pa thënë këtu edhe dy fjalë për Lidhjen e Hoxhallarëve të Shqipërisë, emrin e së cilës ndoshta nuk e honepsin dot, mjaft drejtues të KMSH-së. Me të drejtë dikush që nuk e njeh realitetin tonë do të pyesë se: ‘A nuk është KMSH-ja institucioni që mbledh hoxhallarët? Pse duhet të ketë një organizatë tjetër paralele që i bën karshillëk KMSH-së?’
Së pari, duhet të përsërisim se LHSH-ja nuk ka pasur dhe as nuk e ka si synim të saj të zëvendësojë autoritetin fetar të KMSH-së. Nëse do ta kishim pasur një synim të tillë, do ta kishim treguar me vepra, sepse asnjë ligj i shtetit shqiptar, në bazë të të cilit ne veprojmë nuk na ndalon, por përkundrazi kemi treguar të kundërtën, mjafton shembulli i çështjes së kalendarit dhe ditëve të Bajramit, për ta ilustruar vërtetësinë e fjalëve që themi.
Së dyti, objektivat tona i kemi bërë të qarta që ditën e krijimit dhe atyre iu qëndrojmë. Ne e dimë shumë mirë se përmbushja e këtyre objektivave, edhe pse nuk e zëvendësojnë autoritetin fetar të KMSH-së, është pikërisht mangësia e KMSH-së në përmbushjen e tyre, një nga arsyet që na ka shtyrë ne të detyruar, të themelojmë LHSH-në.

LHSH-ja numëron në gjirin e saj mbi njëqind anëtarë, numër që ka ardhur duke u shtuar, një pjesë e mirë e të cilëve janë imamë xhamish, që edhe pse haptazi janë shantazhuar që të mos bëhen pjesë e kësaj organizate, ata i janë bashkuar asaj me vullnet të lirë. Nëse KMSH-ja do të kishte bërë siç duhet punën e saj dhe nuk do të kishte qenë përjashtuese dhe sektare, siç vazhdon të jetë, me shumë gjasa LHSH-ja nuk do të ishte krijuar, ose do të kishte tjetër emër dhe tjetër objektiv. Por të lënë përjashta qëllimisht, në shumë raste, e të përjashtuar në raste të tjera, me dhjetëra hoxhallarë të diplomuar e të tjerë, e kanë ndjerë dhe e ndjejnë veten të papërfillur dhe të neglizhuar nga institucioni që ka marrë përsipër të kujdeset për ta. Ndërkohë që hapet dhe ndërtohet një universitet islam me kosto të lartë, për të nxjerrë kuadro të rinj fetarë –dhe mirë bëhet- ka me dhjetëra hoxhallarë që kanë mbaruar tashmë shkollën e lartë në vendet islame, që nuk inkuadrohen si imamë xhamish, edhe pse shumë xhami ka raste që edhe ditën e xhuma nuk hapen, sepse nuk ka hoxhë!

Nëse një pjesë e hoxhallarëve tanë marrin një rrogë mjerane, e shumë të tjerë nuk marrin gati asgjë; nëse ata e ndjejnë veten të përjashtuar nga punët e fesë brenda KMSH-së; të fyer e të kërcënuar nëse hapin gojën për diçka kundra, qoftë kjo edhe parimore, se i heqin nga vendi i punës; nëse ata janë shpesh të detyruar t’i binden drejtuesve që nuk kanë as arsimin dhe nivelin e tyre fetar dhe intelektual; nëse ata ndihen të nënçmuar dhe të parë si bijtë e ‘njerkës’, e të akuzuar padrejtësisht edhe publikisht si ekstremistë dhe terroristë; nëse shumë prej tyre detyrohen të emigrojnë apo të punojnë edhe punë të rëndomta edhe pse mund të jenë hafizë Kurani, atëherë me çfarë morali fetar dhe njerëzor dikush do të hapte gojën, duke pretenduar se e vetmja organizatë që mbledh hoxhallarët e këtij vendi duhet të jetë KMSH-ja?!

Ne nuk kërkojmë poste dhe as karrigen e ndokujt, por duam që të bëjmë detyrën për të cilën jemi shkolluar, duam që në bazë të meritave dhe përgatitjes që kemi, të mos privohemi nga të qenit imamë xhamish, duam të na dëgjohet zëri dhe të mos shantazhohemi me bukën e gojës dhe vendin e punës kur mendojmë ndryshe dhe kur nuk i bëjmë ‘amin’ padrejtësisë, duam të ndjehemi të përfaqësuar dhe jo të manipuluar nga mungesa e legjitimitetit. Duam mbi të gjitha që si hoxhallarë që jemi të ndjehemi dhe të konsiderohemi të barabartë e të respektuar, pavarësisht shkollave dhe ideve që iu përkasim.
Kjo është kërkesa jonë e sinqertë që ne kemi ngritur edhe më parë, tani është radha e të tjerëve ta pranojnë atë.

Janar 2014.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit