Përmes një komunikate me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Turqia ka reaguar ndaj vendimit të gjyqësorit grek për lirimin me kusht të njërit prej 8 puçistëve të arratisur në Greqi pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në 15 korrik 2016.
Në deklaratën e saj Ministria e Punëve të Jashtme thekson vendosmërinë për ekstradimin e puçistëve. “Greqia me këtë vendim tregoi që ajo i mbron puçistët”,- nënvizon komunikata.
“Është mësuar se dje (19 prill) Këshilli i Shtetit të Greqisë (Gjykata e Lartë Administrative) vendosi për lirimin e Sulejman Ëzkaynakçë (Süleyman Özkaynakçı), një nga tetë puçistët që kishin marrë pjesë në tentativën e Organizatës Terroriste Guleniste – Struktura Paralele në Shtet (FETO/PDY) dhe që kishin kërkuar azil në Greqi”,- vijon deklarata e MPJ turke.
“Përkundër pretendimeve se Ëzkaynakçë u lirua me kusht, për t’iu nënshtruar mbikëqyrjes së rreptë, ky vendim tregoi edhe një herë mosmarrjen e masave të nevojshme në lidhje me një tradhtar që ka marrë pjesë në tentativën e grushtit të shtetit dhe konfirmoi përsëri që Greqia është një vend që i mbron dhe i përkrah puçistët.”
“Përveç kësaj, autoritetet greke bëjnë deklarata në shtyp në drejtim të lirimit në ditët në vijim edhe të puçistëve të tjerë tradhtarë.”
“Kjo situatë nuk mund të shpjegohet si një praktikë e thjeshtë që ka të bëjë me afatet e masave të sigurisë, siç thuhet nga autoritetet greke. Duke refuzuar vazhdimisht ekstradimin në vendin tonë të puçistëve tradhtarë që morën në shënjestër demokracinë tonë gjyqësori grek e ka përgatitur terrenin për një rezultat të tillë, i cili ka lënduar ndërgjegjen publike.”
“Ne vazhdojmë angazhimin tonë për riatdhesimin e puçistëve të arratisur dhe gjykimin e tyre në vendin tonë”,- përfundon komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.