4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Rrëfimi i infermierit të mbijetuar në një kamp në Shqipëri: Kishte një skuadër vetëm për të hapur varre, kisha zili kur pashë një dokumentar për Aushvicin

Më të lexuarat

Hazis Ndreu, sot 85 vjeç, i lindur në qytetin e Peshkopisë, është një nga të mbijetuarit e Kampit të internimit të Tepelenës.

Ai kaloi 43 vjet në internim, duke nisur në moshën 14-vjeçare me Kuçovën, pas arratisjes së të atit në Jugosllavi e për të vazhduar me Beratin, Tepelenën e Bënçën, me Myzeqenë, Llakatundin, Lubonjën, Vlorën.

Internimi i tij përfundoi më 1990, por ai kaloi vitet më të vështira në kampin e internimit të Tepelenës, për të cilin tregon torturat, persekutimet dhe vuajtjet e të internuarve përmes punës, ndëshkimeve, dënimeve, skamjes, mungesës së ushqimit, rrobave, ilaçeve dhe sëmundjeve si dizenteria, tifoja, tuberkulozi e bronkopneumoni.

Për shkak të sëmundjeve dhe vdekjeve të shumta në kamp, komanda e caktoi Hazisin sanitar e më pas infermier të kampit.

Çfarë ndodhi me ju pas arratisjes së babait?

Dy xhaxhallarët e mi u vranë. Ata u pushkatuan nga partia, kurse nëna, motra dhe unë u internuam në Kuçovë.

Sa vjeç ishit?

14 vjeç. Bashkë me nënën, na izoluan në qeli, në Peshkopi; pastaj na internuan në Kuçovë. Na strehuan në disa baraka, që i kishin bërë italianët për shfrytëzimin e puseve të naftës. Policët na bënin apel, dy herë në ditë. Ne fëmijët nuk dilnim në punë, të tjerët punonin në bujqësi. Mbillnin grurë e hanim bukë misri. Ja kështu jetonim, vetëm me 400 gramë bukë misri. S’kishim asgjë. Kur na internuan, kemi ikur me rrobat e trupit. Morëm vetëm një velenxë. Po të kishe ndonjë lek, mund të blije ndonjë gjë, sigurisht, me leje të komandës.

Sa kohë qëndruat në Kuçovë?

Kemi qëndruar 3 muaj, pastaj na strehuam në kalanë e Beratit, në dhoma pa dyer e dritare, të braktisura nga lufta. Disa i futën nëpër familje. Në një dhomë, dy-tri familje bashkë. Po të sëmureshe, duhet të merrje një dokument nga dega e Punëve të Brendshme e të shkoje në spital.

Kryefamiljarët ishin të detyruar të paraqiteshin në degën e Punëve të Brendshme, një herë në javë. Çdo të shtunë, policia bënte apelin. Në pranverë të vitit 1949, na transferuan në Tepelenë.

Më lejoni t’ju tregoj një aksident. Pasi kishim lënë Beratin, një makinë del nga rruga e rrokulliset në rrëpirë. Autokolona ndalon. Zbresim për t’u shkuar në ndihmë. Ç’të shohim? Gra, burra, fëmijë, pleq, ishin shpërndarë nëpër shkurre e ferra, të mbuluar me dhe. Nga ky aksident, vdiq çifti Petrela. Një nga fëmijët, 1 vjeç, kishte mbetur në shkurre. E mora, e ky është Seit Petrela, që jeton edhe sot e kësaj dite.

Kur shkuam në Tepelenë, na strehuan në kazermat e italianëve. Ne ishim aq shumë, sa ato nuk na zunë të gjithëve. Disa flinin jashtë. Dritë elektrike nuk kishte. Një fener qëndronte te dera e kazermës. Këtë fener nuk duhet ta fiknim dhe as ta merrnim me vete. Kontrolli ishte aq i fortë, sa 3 herë në ditë bëhej apel. Bukën e merrnim në Tepelenë, bukë misri. Asgjë tjetër. Dyqane s’kishte. Fëmijët, nga 14 vjeç e lart, i mobilizuan për të punuar në rrugën Veliqot-Memaliaj. Nuk di nga t’ia filloj. E merrnin bukën dhe e zienin. Hidhi ujë e hidhi lakra, ja kështu, e shtonim ushqimin për të ngrënë. Pas 2-3 javësh vjen një autokolonë tjetër. Në Mirditë kishte ndodhur një atentat. Ishte vrarë Bardhok Biba dhe Sigurimi i Shtetit ç’kishte gjetur, i pruri të internuar në Tepelenë. Numri i kampit arriti në 3200 vetë.

Me se jetonit, çfarë bënit?

Vetëm me 400 gr bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjeter, edhe një tjetër… Kishte raste, 5-6 varre në ditë.

Sa arriti numri i të vdekurve?

E kujt i shkonte mendja t’i numëronte e t’i regjistronte. Të gjithë ishim pa shpresë. As që bëhej fjalë se do shpëtonim e do jetonim nga kjo skëterrë. Një ditë vjen doktor Hazika nga qyteti. Sapo sheh situatën, vë duart në kokë e thotë: – Ç’të bëj unë këtu? Këtu ka rënë kolera! Shkon në komandë e u thotë: – I nisni për në Gjirokastër, këtu nuk mund të kurohen. As tifo s’kurohet në kamp, as dizenteria.

Pas alarmit që dha doktor Hazika, disa i çuan në Gjirokastër, por më kot. Disa vdiqën rrugës e disa në spital.

Po ju tregoj një episod. Një mirditore kishte dy fëmijë të vegjël binjakë. Po merrej me njërin, që ishte shumë sëmurë. Ndërkohë që merrej me të, sa kthen kokën, sheh që tjetri kishte vdekur. Fillon të qajë me kujë, siç dinë të qajnë mirditoret. Një kujë drithëruese, që të këpuste shpirtin. Pastaj nuk qau më. Kur ç’të shoh! Edhe fëmija tjetër po jepte shpirt. Hesht dhe fillon të shkulë flokët. Njerëzit grumbullohen rreth saj. Përpiqen ta qetësojnë. Ajo nga të qarët, fillon të qeshë. U çmend!

Ku jetonit?

Në kazerma. Një kazermë merrte 400 deri në 500 vetë, sipas nevojës. Sapo u sistemuam në kazerma, filloi një organizim i ri. Çdo kazermë kishte 3 kompani. Çdo kompani kishte një përgjegjës, e çdo kazermë kishte edhe një përgjegjës tjetër, nga të internuarit. Zgjimi dhe apeli bëhej në orën 5 të mëngjesit. Dimër – verë.

Kush jua bënte apelin?

Apelin e bënte komanda, policë me uniformë, të armatosur. Ne ishim të detyruar të dilnim nga dera se do numëroheshim një për një. Polici thërriste emrin e ne dilnim me radhë. Nëse do vonoheshe, të çonin në qeli. Pasi dilnim jashtë, futeshim prapë brenda. Punëtorët merrnin supën dhe rreshtoheshin para komandës. Të shoqëruar me policë, ata i ngjiteshin malit të Turhanit për të bërë dru. Një pjesë prisnin dru. Pjesa tjetër i ngarkonte në kurriz. Kush kishte një litar, ishte i fituar. Disa i ngarkonin mbi shpinë me tela. Nga mali i zbrisnin poshtë në një shesh. Çdo njeri duhet të bënte gjysmë metri kub.

Po ju punonit?

Punoja që ç’ke me të, edhe pse isha 14 vjeç! Në darkë ngarkonim dru për t’i çuar në qytet, në degën e Punëve të Brendshme. Bënim një orë rrugë. Ngarkesa kontrollohej nga polici. Ai të caktonte sa do ngarkoje. Gjatë rrugës bënte vaki që dikush rrëzohej. Policët vinin menjëherë dhe e gjuanin me këpucë.

Në atë kohë, këpucët e policëve kishin pafka hekuri në majë. Nëse ndonjë ishte i sëmurë, ata që ishin më të shëndoshë, i shkonin mbrapa dhe ja lehtësonin ngarkesën. Më shumë dënoheshim ne të rinjtë, se ne nuk i mbanim dot drutë. Gjatë kohës së punës, as hanim e as pinim. Zbathur, zhveshur. Në darkë vonë, ktheheshim në kamp.

Po nëna juaj, me se merrej?

Edhe nëna ime, si shumë nëna të tjera, vdiq nga tuberkulozi. Sot, nuk ka as varr.

A nuk kishte mjekë dhe ilaçe?

Mjekë kishte, por nuk kishte ilaçe. Një i sëmurë me tuberkuloz do ushqim dhe higjienë. Ne s’kishim, as njërën e as tjetrën. Nuk kishim as rroba me çka të mbuloheshim. Nuk kishim as rroba për të veshur e as bukë për të ngrënë. Nënën time e çuam në Gjirokastër e aty vdiq.

Po trupin kush e mori?

Po të vdisje në Gjirokastër, trupin e merrte komanda e Gjirokastrës. Kur vdisnin në kamp, i çonim në kazermën 6, që ishte bosh, i vajtonim atë natë e pastaj i varrosnim. Varret e Kampit të Tepelenës janë hapur dhe mbyllur 3 herë.

Në fillim, varreza ishte afër kampit, pastaj tek ura, e më në fund pranë lumit. Traktorët që hapnin toka të reja, i zhdukën të gjitha varret. Ne s’kishim të drejtë të kërkonim informacion apo të lëviznim për të parë varret e njerëzve tanë, sepse ishim të rrethuar me tela me gjemba.

Meqë kishte shumë të sëmurë e shumë vdekje, komanda caktoi nga një sanitar për çdo kapanon. Një nga këta sanitarë, isha edhe unë. Duke parë, duke studiuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, me ndihmën e mjekut të kampit, u bëra infermier.

A mund të veçoni ndonjë episod, që ju ka bërë përshtypje si infermier?

Mjeku vinte një herë në javë në kamp. Gjatë kësaj kohe, ne paraqisnim listën e të sëmurëve. Mjeku jepte terapinë dhe ne e mjekonim derisa të vinte java tjetër. Kur kishim të sëmurë rëndë, lajmëronim komandën, por mjeku edhe mund të vinte, edhe mund të mos vinte. Urgjenca kishte çdo ditë.

Po kush pyeste për të internuarit, kështu që vdekje kishte çdo ditë. Sëmundje po e po! Dizenteri, tifo, tuberkuloz, bronkopneumoni. Në kampin e Tepelenës kam jetuar me vdekjen. Unë që duhet t’u shpëtoja jetën atyre njerëzve, isha i pafuqishëm. Nuk kisha ç’t’u ofroja. As ilaçe, as ushqim, as tesha dhe as ngrohje, veç ajrit. Po edhe ajri në atë grykë të errët pa drita, ishte i zi. Një natë, një fëmijë 12 vjeç, i sëmurë, më kërkonte bukë. Ku ta gjeja bukën? Ai e kishte ngrënë racionin e vet. Pas një pauze të gjatë më pyeti: “Doktor, a do vdes?”. Çfarë t’i thosha djalit që kërkonte vetëm bukë!? Uria ishte tmerr. Nuk e di, për djalin kisha ilaçe, por nuk kisha bukë. Uria bënte kërdinë dhe djali vdiq nga uria.

Në kohën që ishit në internim, a mbanit lidhje me babanë e arratisur?

Jo, absolutisht. Edhe kur shkruanim ndonjë letër për njerëzit tanë, duhet ta dorëzonim në komandë, me zarf të hapur. A shkonte a nuk shkonte, këtë se merrnim vesh kurrë. Të na shikoje ne në atë kohë, nuk mund të na dalloje nga skllevërit që kemi parë nëpër filma. T’ju them sinqerisht, më erdhi zili kur pashë një film dokumentar për kampet e përqendrimit të Aushvicit. Aty pashë të burgosur me uniformë. Ne ishim tmerrësisht të zbuluar.

A nuk kishit rroba?

Jo. Me ato rroba që shkuam, me ato mbetëm. E kush na jepte rroba neve? Punonim e rrobat griseshin. I arnonim, mirëpo ato copëtoheshin përsëri.

A nuk ju ndihmonin të afërmit tuaj në Dibër, Tiranë e gjetkë?

Ka qenë shumë e vështirë. Pakot regjistroheshin. Për atë që e dërgonte, kishte pasoja. Shumica e njerëzve në kamp, s’kishte njeri. Në kamp, përveç shqiptarëve, ishin grumbulluar edhe robërit e luftës: gjermanë, italianë e francezë. Midis tyre kishim edhe dy vajza gjermane.

Pasi punuan disa kohë duke mbajtur dru, se vetëm punë me dru kishte në kampin e Tepelenës, njërën e bien sanitare në infermieri, kurse tjetrën e futën në kuzhinë. Këtë që më sollën mua, e quanin Amri Shubert. Amri mbeti lakuriq. Ç’të bënim ne? Bashkë me sanitarët e tjerë, hoqëm një batanije. Bëmë procesverbal sikur e kishim dërguar batanijen me një të sëmurë në Gjirokastër. Këtë batanije e lyem natën me gjethe qepe. Batanija ndryshoi ngjyrë. Me të i bëmë një veshje si thes, si punë pelerine dhe ia veshëm Amrit.

S’kishte ditë që të mos ndodhte diçka në kampin e Tepelenës. Ata që punonin në malet e Bënçës i hidhnin drutë në lumë. Pasi hidhnin trungjet në lumë, i shoqëronin deri tek ura afër kampit. Aty i prisnin për t’i nxjerrë nga lumi. Njëherë, një trung mbeti në gurë.

Dikush e shtyu me shkop, po më kot. Atëherë polici e detyroi të internuarin të futej në lumë.

Ishte janar, ftohtë. Burri që u fut në lumë, e hoqi trungun nga gurët, mirëpo kur doli nga uji, dridhu-dridhu, i ra të fikët. Rrobat i ngrinë, fytyra gjithashtu, gjithë trupi. Vdiq,- thanë të gjithë.

Ju thashë, ishte janar dhe bënte shumë ftohtë. Tepelena ka një erë të fortë, sikur është nëna e erës.

Shokët e tij prenë ca dru, bënë një vig, dhe rreth orës 8 të mbrëmjes, e sollën në kamp. Më thanë mua: “Hap morgun se ka vdekur!”. Ai kishte ngrirë. “Ta çojmë në kuzhinë që t’i thahen rrobat”, thashë unë.

Kështu e vumë pranë zjarrit. Po prisnim t’i thaheshin rrobat e ta fusnim në morg. Kampi ka pasur një fushë të madhe nja 200 m para kuzhinës. Të gjithë prisnin në fushë. Kur dëgjoj një gërr-gërr fyti. Ata që i rrinin pranë, thanë se i vdekuri u ngjall. Më shumë u trembën, sesa u gëzuan. Askush nuk i afrohej. Unë i kontrolloj pulsin. “Mos e luani”, u them njerëzve. Shkoj në farmaci e marr 3-4 kafeina për zemrën. Ja bëj shpejt e shpejt dhe zemra filloi të punojë. Kështu u ngjall Kel Gripsi. Në mëngjes, sa hapi sytë, Kela kërkonte bukë.

Që nga ajo kohë, vetëm një pjesë e vogël janë ende gjallë. Vetëm ata mund të konfirmojnë si shkonim në punë e kur ktheheshin nga puna në darkë. Vetëm ata mund të pohojnë se si shpeshherë, i urdhëronin: “Do niseni për në Salari se ka mbetur një makinë me dru”.

Mendo ku ishte Salaria? Nisen, ngarkohen me dru vetë, e vinë në kamp ndaj të gdhirë. Kishin punuar gjithë ditën, kishin punuar gjithë natën, e në mëngjes duhet të rreshtoheshin përsëri para komandës. – “Nuk shkojmë më në punë”, thanë disa gra. – Do shkoni – dha urdhër komanda. -Jo,- thanë gratë,- do vdesim të gjitha këtu e nuk vemi! Kemi punuar gjithë ditën, kemi punuar gjithë natën, e s’kemi më fuqi!

Pse kundërshtuan, i lidhën, e i lanë në mes të sheshit. Disa i futën në birucë. I lanë para komandës gjithë ditën.

A keni tentuar ndonjëherë të largoheshit nga kampi?

Jo, asnjëherë! Unë nuk dija asnjë rrugë. S’dija ku te veja. Nuk mund të bëja asnjë kilometër jashtë kampit. Një herë ishte rrëzuar një tabelë dhe një polic na thotë: “E rrëzuat ju? Nuk e rrëzuam ne”, – i thamë. Na mori të dyve dhe na futi në birucë. Duke ndenjur ashtu në terr, vumë re se ishte varur dikush nga duart. Kjo ishte Shega Frashëri. Për sa kohë ishim ne aty, uleshim herë njëri e herë tjetri dhe e mbanim në kurriz.

Ishte e gjallë?

Po! E kishin varur nga duart. Oficeri që e kishte varur, e dinte sa mund të rezistonte. Kur ai hapi derën, ne e lëshuam. Kur na sheh, na thotë: “Po ju këtu?,- hajt jashtë!” Dua të flas për ndihmën që jepnin mjekët që vinin në kamp. Ata ishin të lirë. Në fillim kemi pasur doktor Hazikën, pastaj doktor Lluka Dhimolea.

Unë isha shumë i ri dhe nuk dija. Duke u rritur, mësova prej tyre. Shpeshherë i thosha doktorit: vendosi këtë diagnozë, sepse nëse nuk e mbajmë këtu, do vdes duke punuar. Ne i shpëtonim njerëzit nëpërmjet doktor Dhimoleas.

Në aparencë, ai dukej shumë i ashpër, mirëpo, në fakt, me ato që bënte, na i lehtësonte plagët e na ndihmonte shumë. Kur unë i thosha, doktor vendosi këtë diagnozë, që të mos shkonte në punë, ai e pranonte.

Pse e bënit këtë?

Për t’i shpëtuar nga vuajtjet e punës, qoftë edhe një ditë, që të merrnin veten. I rrihnin aq keq, sa na i binin me barelë në infermieri.

Kështu ndodhi me Hasimenë. Atë e zinte sëmundja e tokës. Duke shkuar në punë, rrugës e zë sëmundja e tokës. Policët, pse iu prish rreshti, e gjuajnë me shkelma. Epileptiku nuk dëgjon për sa kohë është në krizë. E lanë aty. Të tjerët vazhduan rrugën. Pasi vjen në vete, e sëmura nuk ngrihej më, aq keq e kishin rrahur. E marrin dhe e bien në infermieri. I gjithë trupi ishte mbushur me hematoma. Unë u habita dhe u tremba. Çfarë sëmundje është kjo!? Ai që ma pruri, më thotë: tetari. E kuptova. I revoltuar shkova në komandë dhe u thashë: Bëni hall ju, se unë s’kam ç’i bëj Hasimesë. Në daç çojeni në Gjirokastër, në daç lëreni këtu të vdesë. Lavdi zotit që në vitin 1954, kampi i Tepelenës u mbyll.

A mund të veçoni ndonjë histori që ju ka lënë mbresë?

Po kthehem përsëri te kampi i Tepelenës, ku të gjithëve nuk na shkonte mendja kurrë se do dilnim të gjallë.

Pse?

Përditë vdekje. Të pangrënë, të papirë. Punë të rënda, të lodhshme. Djem 20-vjeçarë dukeshin si pleq të mbaruar. Kur shihnim vdekje përditë, mendonim se do të vdisnim edhe ne.

Një dite, një italian më thotë: Shpëtoje majorin se nesër ia kanë bërë benë policët për ta mbytur.

E unë i them majorit, nesër mos dil në punë! Thuaju që jam sëmurë.

Po majori, oficer me kulturë të madhe, e me karakter për t’ia pasur zili, më thotë: Si do gënjej? Unë s’jam i sëmurë! Të them unë që je i sëmurë, e kështu thuaju edhe ti policëve. Shtetet tuaja do ju kërkojnë, e do ju marrin me vete. Shpëtoni për ne. Kur të ikni, tregoni çfarë ndodhi këtu. Do më quajnë gënjeshtar, – ma kthen italiani. Nëse shpëtoj gjallë, po të tregoj ato që po ndodhin sot këtu, askush nuk do më besojë, pasi janë të pabesueshme. Kur të largohem prej këtej, askush s’ka për të më besuar. Nëse flas, do thonë se ky qenka i çmendur. Në Tepelenë ajo që ishte më e tmerrshme, qe humbja e varreve. Tri herë i varrosëm e i zhvarrosëm të vdekurit. Në fund, humbën të gjitha varret.

A nuk të shkoi mendja të bëje dashuri me gjermanen sanitare?

Ne kishim harruar çfarë ishim. Nëse ishim qenie njerëzore apo dru. Në ato kushte, me atë trajtim që kishim, me atë jetë që bënim, ne kishim humbur gjithçka. E vetmja gjë që na kish mbetur ishte solidariteti. Të gjitha i quanim motra e ato na quanin vëllezër. Nuk i shkonte mendja njeriut për një veprim të tillë. Ishte absurditet të të shkonte mendja për një gjë të tillë. /Panorama/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit