Adoleshentja e burgosur palestineze Ahed Tamimi është ngacmuar verbalisht përderisa është marrë në pyetje nga autoritetet izraelite, ka treguar një video e shpërndarë nga familja e saj.
Pamjet tregojnë një oficer izraelit të inteligjencës duke i thënë 16-vjeçares Tamimi: “Ju jeni një vajzë e bukur. Flokët i ke të verdha, fytyra jote është e kuqe. Ti duhet të jesh në det, jo në paraburgim”.
Në një konferencë shtypi të mbajtur në qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor të okupuar, babai i Tamimit, Bassem, tha se këto fjalë të oficerit izraelit janë të njëjta me “ngacmime verbale”.
Ai theksoi se vajza e tij i është nënshtruar seancave të marrjes në pyetje të gjata 12 orë, gjatë të cilave pyetësit e kanë kërcënuar me arrestim të familjes dhe miqve të saj.
Videoja dy-orëshe thuhet se është siguruar nga autoritetet izraelite nga ana e avokatit të Tamimit.
“Ne kemi paraqitur një ankesë kundër oficerit të shërbimit sekret. Okupimi (izraelit) nuk ka nder, por ne po i rezistojmë me të gjitha mjetet në dispozicion”, tha babai i Tamimit.
Më 21 mars, një gjykatë ushtarake izraelite e dënoi Ahed Tamimin me tetë muaj burgim për “sulmimin” e trupave izraelite, pasi një video që tregonte atë duke goditur një ushtar izraelit i cili kishte hyrë në oborrin e familjes së saj u bë virale në internet.
Nëna e Tamimit po ashtu është dënuar me tetë muaj prapa grilave dhe gjobë prej 1.700 dollarëve./AA/