Komuna e Gjakovës dënon ashpër aktin e mbrëmshëm të vendosjes së lëndës eksplozive para shtëpisë së Drejtorit të Urbanizmit Xhelal Hoxha.
Në reagimin e bërë nga Komuna e Gjakovës, thuhet se qeverisja lokale përkundër këtij akti qyqar, mbetet e vendosur që të vazhdoj me punën dhe angazhimin e duhur në të mirë të gjithë banorëve të Komunës së Gjakovës.
Më tej në reagim thuhet se , Xhelal Hoxha është njeri me integritet dhe profesionalizëm, andaj kush do që qëndron pas këtij akti, duhet të dijë se mënyrat e tilla nuk e frikësojnë qeverisjen lokale për të punuar sipas ligjit në të gjitha institucionet e qeverisë lokale duke përfshirë këtu edhe drejtorinë e urbanizmit.
Besojmë fuqishëm se organet e drejtësisë së shpejti do zbardhin rastin dhe kryesit e kësaj vepre do japin përgjegjësi para ligjit, thuhet në reagim.
Vetë drejtori Hoxha, para shtëpisë së të cilit është vendosur eksplozivi, ka deklaruar se nuk di kush mund ta ketë vendosur mjetin shpërthyes dhe se nuk dyshon në askënd.