14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Bibliotekat, margaritarë të epokës qytetëruese islame

Më të lexuarat

Bibliotekat e kohës së epokës së artë islame nuk janë hasur në ndonjë qytetërim apo kulturë tjetër. Ato ishin të shtrira në të gjitha pjesët e territorit islam. Të dhënat historike dëshmojnë se gjurmë të këtyre bibliotekave janë gjetur kudo, duke filluar nga pallatet e princave myslimanë e për të vazhduar me institucione të tjera të rëndësishme kulturore e arsimore. Prania e tyre në qendra të mëdha administrative ashtu si edhe në zona tepër të izoluara, është një nga dëshmitë e forta për interesin e veçantë që popullata islame ushqente për dijen dhe fjalën e shkruar.

Llojet e bibliotekave

Për rëndësinë dhe kapacitetin e tyre bibliotekat e periudhës civilizuese islame mund t’i rendisim si vijon:

Bibliotekat akademike: Këto janë bibliotekat më të famshme në qytetërimin islam, më e rëndësishmja e tyre konsiderohet Bejtul Hikma (Shtëpia e Urtësisë) në Bagdad e themeluar prej kalifit Me’mun er Rrashid.

Bibliotekat private: Ky lloj i bibliotekave pati një shtrirje të gjerë në pothuajse të gjithë hartën e shtetit islam. Ndër këto biblioteka përmendim: Bibliotekën e kalifit Al-Mustansir, të El-Fet’h bin Hakan dhe bibliotekën e Ibn el Amijd, i cili, sikurse besohet, zotëronte një fond të çmuar që përfshinte një numër të madh veprash kulturore e shkencore. Një bibliotekë tjetër e pasur gjatë kësaj kohe ishte ajo e gjyqtarit Ebi el Mutrif, i cili kryesonte listën e elitës myslimane në Andaluzi sa i përket literaturës së grumbulluar.

Bibliotekat publike: Këto ishin qendrat që ruajtën në vazhdimësi trashëgiminë e njerëzimit dhe ekspertizën e tij kulturore e shkencore. Ato ishin në dispozicion të masave pavarësisht shtresës apo statusit social. Prej tyre përmendim: Bibliotekën e madhe të Kordobës, e themeluar nga kalifi umejad Al-Mustansir (350 h / 961 e.r.). Ajo kishte një numër të konsiderueshëm punonjësish e hulumtuesish shkencorë që kujdeseshin për përkthimin e botimeve të vjetra dhe klasifikimin e tyre sipas rëndësisë. Ishte njëherazi vendi ku tuboheshin mendjet e ndritura të Andaluzisë, si dhe studiues evropianë që vinin e hulumtonin aty për shkak të dendësisë së botimeve dhe listës së gjatë të autorëve. Një bibliotekë tjetër e kësaj natyre ishte ndërtuar në Damask. Kjo bibliotekë kishte agjentët e saj në të gjithë botën myslimane. Ata kishin si detyrë evidentimin e kryeveprave të reja botërore dhe grumbullimin e tyre pranë kësaj qendre. Biblioteka numëronte 85 përkthyes që punonin ditë-natë për përkthimin e botimeve të vjetra nga gjuhët e tyre origjinale në arabisht.

Bibliotekat e institucioneve arsimore: Shteti islam qysh në hapat e parë i kushtoi rëndësi primare hapjes së shkollave publike, pasi me themelimin e tyre sigurohej edukimi dhe arsimimi i individit dhe shoqërisë. Shkollat e para që u hapën në Irak, Siri, Egjipt, kurse më vonë edhe në vende të tjera, kishin bibliotekat e tyre brenda ambientit mësimor. Thuhet se shkolla Fadilijjah në Kajro koleksiononte një fond prej 200.000 njësish librare. Sipas historianit Jekut el Hamaui, institucionet e para arsimore të njohura në botën islame posedonin biblioteka me një larmi titujsh dhe dyert e tyre ishin të hapura për të gjithë.

Bibliotekat e xhamive qendrore: Ky është lloji i bibliotekave të para në Islam, pasi krijimi i tyre filloi paralel me ngritjen apo shtrirjen e objekteve të kultit. Ndër to veçojmë: Bibliotekën e xhamisë së Az’harit në Kajro, bibliotekën e Xhamisë së Madhe në Kajravan etj.

Për kapacitetin e madh të dijes dhe qendrave hulumtuese në botën myslimane Gustav le Bon shkruan: “Në kohën kur librat dhe bibliotekat për evropianët nuk paraqisnin kurrfarë rëndësie, kalifati islam dispononte një numër të madh qendrash dhe bibliotekash madhështore. Për ilustrim do të përmendim “Shtëpinë e Urtësisë” së Bagdadit e cila numëronte katër milion libra, biblioteka e Sulltanit në Kajro kishte një milion, biblioteka Tripoli (në Damask) kishte tre milion libra, ndërsa në Spanjën myslimane për çdo vit publikoheshin rreth 80 mijë libra”.

Ky ishte një përshkrim i shkurtër i bibliotekave në kulturën civilizuese islame, që dëshmon qartë për rëndësinë dhe interesin që myslimanët kishin ndaj librit dhe institucione të dijes.

Marrë nga Gazeta “Drita Islame“

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit