0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Në gjykimin e Vukotiqit dëshmitarja tregon si u vranë katër shqiptarët

Më të lexuarat

Fikrije Shaqiri në gjykimin e Zoran Vukotiqit për krime lufte rrëfeu se si u vranë katër shqiptarët nga Vushtrria.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Flynn, dëshmitarja Shaqiri përshkroi atë që ndodhi më 6 maj 1999.

“Ora ka qenë 11:00, burri im ka shkuar në kojshi për të marrë sheqer për çaj, nuk ka vonu shumë pas gjysmë ore une kam dalë në ballkon dhe e kam pa ai i madhi Zoki e kish kap përkrah burrin Fahredinin dhe e ka pru zhag në ballkon”, nisi rrëfimin dëshmitarja.

Ajo më pas tregoi se u godit në kokë nga Zoran Vukotiqi, i akuzuari për krime lufte.

“Unë kam nderhy me lut Zokin, i thashë ma pashë Zotin, e kam kap për dore Fahredinin, ai mandej me automat më ka goditë në kokë me fuqi të madhe sa që me ka trulluar “, tha dëshmitarja.

Fikrije Shaqiri më tutje deklaroi se i akuzuari për krime lufte ia kishte vënë thikën në fyt, duke e kërcënuar se do ta vriste nëse lëvizte.

Më pas Fikrije Shaqiri tregoi se si kishte ndodhur ngjarja në dhomën e shtëpisë së Hamdi Fazliut ku ishin vrarë katër civilë shqiptarë dhe ishin rrahur edhe dy gratë e pranishme në shtëpi.

Në këtë dhomë sipas dëshmitares, përveç saj ishin edhe Sanije Fazliu, Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Fahredin Fazliu dhe Avdullah Fazliu.

Në seancë deshmitarja fillimisht tregoi si ishte vrarë Enver Rrustolli dhe Avdulla Fazliu. Rrustolli ishte fqinji i dëshmitares, ndërsa Fazliu xhaxhai i burrit të saj.

“Zoki i ka thanë Enver Rrustollit çu në këmbë dhe e ka nxjerrë alltinë e i ka ra në bark, ai ka ra në tokë para këmbëve, mixhës së burrit Avdullahut i ka thanë çohu në këmbë dhe ka gjujtë me armë drejt në zemër para syve të mi “, tha deshmitarja.

Më pas dëshmitarja Shaqiri dha detaje të vrasjes së burrit të saj dhe vjehrrit.

“Njani që ka qenë më i shkurtë me trup dhe me njërin sy jo në rregull ( qorr ) e ka raportit armën dhe vjehrrit që ka qenë afër këmbëve të mia dhe i cili më thoshte mos kaj se je shtatzënë, iu ka ofru e ka gjujtë në bark, e kanë vra edhe burrin ( Fahredinin ) e kanë qellu në kokë, krejt dhoma ka qenë me gjak “, rrëfeu dëshmitarja, raporton Kallxo.com.

Ajo kujtoi se pas këtyre vrasjeve mbeti në dhomë vetëm me Sanije Fazliun dhe katër kufomat e të vrarëve.

Dëshmitarja përshkroi edhe si dukeshin dy personat që vranë katër civilët.

“Zoki ka qenë i madh rreth 2 metra dhe i shëndoshë, thiken e ka pasë me gjak, ka qenë më tesha të ushtarëve serbë, unë nuk e kam njohur derisa ka hy në shtëpi, por kur ma ka ofru thiken në fyt mu ka ofru afër e kam parë. As emrin nuk ia kam ditë, por e kam ndi ata të voglin kur e ka thirrë Zoki. Ai tjetri ka qenë më i ulët me trup, qat sy e ka pas qorr, e ka pas maskën, i dukej goja dhe sytë kogja shumë “, tregoi deshmitarja.

Dëshmitarja Fikrije Shaqiri tha se të njëjtët persona që vranë katër shqiptarët në dhomën e saj, disa ditë pas këtij krimi ndanë burrat dhe djemtë nga gratë te varrezat e qytetit të Vushtrrisë, duke i futur nëpër kamionë.

Dëshmitarja në fund e identifikoi të akuzuarin Vukotiq si njërin nga personat që vranë katër shqiptarët, duke treguar se e njohu në bazë të vetullave, syve dhe gjatësisë së tij.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Goroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrahnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalur jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Në lidhje me këto akuza Vukotiq është deklaruar i pafajshëm në gusht të vitit që shkoi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit