Duke marrë në konsideratë metoda të pazakonta të mësimdhënies, mësuesja Ozlem Pinar Ivasci, nga shkolla fillore në Izmir të Turqisë, ka vendosur që të lejojë praninë e maces Tombi në klasë dhe në këtë mënyrë të rrisë interesimin e fëmijëve për shkollën, shkruan Anadolu Agency (AA).
Macja, të cilën në fillim fëmijët e ushqyenin në oborrin e shkollës, duke u përshtatur me ta, filloi të shkojë edhe në klasë dhe kështu u bë një nga “nxënësit” më të rregullt. Tombi, siç e thërrasin fëmijët, filloi lirishëm të ecë mbi bankat e shkollës. Kur ajo fle, fëmijët përpiqen të jenë sa më të heshtur dhe të dëgjojnë me kujdes mësimet në mënyrë që të mos e zgjojnë mikun e ri.
Mësuesja ka vënë re se disa nxënës filluan të vinin më herët në shkollë, vetëm të kalojnë pak kohë me Tombin. Ivasci vendosi të marrë leje nga administrata e shkollës që të pranojë Tombin në klasë.
Janë bërë të gjitha vaksinat e nevojshme, ndërsa i është nxjerrë edhe pasaportë. Megjithatë, njëri nga prindërit ishte i shqetësuar për higjienën në klasë, prandaj macja është larguar.
Derën e shtëpisë ia hapi mësuesja Ivasaci, por ajo nuk u përshtat me kafshët e tjera në shtëpi.
Për kthimin e Tombit në klasë u përfshinë edhe autoritetet, dhe macja tani përsëri “ndjek” mësimet.
Mësuesja Ivasci për AA tha se Tombi dallon nga nëntë macet e tjera që fëmijët ushqejnë në oborr.
“Nxënësit janë bërë më të kujdesshëm që kur Tombi u kthye. Më parë ata vraponin nëpër klasë dhe bënin rrëmujë, por që kur erdhi macja, fëmijët përpiqen që të mos e zgjojnë duke mos vrapuar dhe duke mos e ngritur zërin për ta shqetësuar”, shpjegon Ivasci.
Nxënësja Tuana Tuntar, tha se ishte e lumtur për kthimin e maces Tombi në klasë.
“Macja çdo mëngjes shëtit mes bankave dhe na përshëndet. E përshëndes edhe unë atë, dhe ajo vjen të fle tek unë. Ne do t’ia bëjmë një shtëpizë në oborrin e shkollës, për të qenë e sigurtë”, tha Tuntar.
Selen Bekdemi tha se ishin shumë të pikëlluar kur Tombi ishte detyruar të largohej.
“Jemi shumë të lumtur për kthimin e saj dhe më nuk jemi të pikëlluar. Kur fle, nuk duam ta zgjojmë”, shtoi ajo.
Nxënësi Emir Bayram tha se me Tombin për herë të parë u takua në oborrin e shkollës.
“Falë Tombit, paqja erdhi në klasë. Macja është shumë e ëmbël dhe ka 4 muaj e gjysëm. Asaj i pëlqen të qëndrojë tek Tuana. Nuk na shkakton ndonjë dëm. Jemi të lumtur që u kthye”, tha ai.