-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Bie besimi i shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë

Më të lexuarat

Vrasja e pesëfishtë në Smilkovc dhe realizimi më pas i aksionit policor për arrestimin e të dyshuarve për këtë rast, ka ngritur debatin e rënies së besimit të shqiptarëve ndaj institucioneve, pasi, siç raporton Rel, pikërisht ata përmes protestave dhe formave të tjera hodhën dyshime mbi akuzat e ngritura nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga Partia Demokratike Shqiptare në opozitë thonë se operacioni policor dhe zhvillimi i hetimeve nuk ka reflektuar përbërjen e etnike të popullsisë së Maqedonisë, andaj edhe me të drejtë shqiptarët, sipas PDSH-së, nuk besojnë, pasi e kaluara dëshmon për shumë procese të montuara dhe shqiptime me burg për njerëz të pafajshëm.

“Shqiptarët janë mosbesues ndaj sistemit gjyqësor, sepse akoma nuk është zgjidhur ai që njihet si ‘rasti i Sopotit’. U burgosën disa shqiptarë, të cilët vuajnë edhe sot e kësaj dite dënimin, akoma nuk janë liruar, edhe pse çdo ditë shfaqet ai dëshmitari i rrejshëm i asaj kohe, i cili, është kërcënuar me jetë që të dëshmojë, kurse nga ana tjetër, njerëzit të cilët e kanë keqtrajtuar këtë dëshmitar të rrejshëm, sot i gëzojnë postet e tyre dhe nuk marrin përgjegjësi”, thotë Zijadin Sela, deputet dhe anëtar i Kryesisë së PDSH-së.

Sipas tij, situatë thuajse e njëjtë paraqitet edhe në rastin e vrasjes së pesëfishtë, ku po ashtu kemi një person, i cili, për gjashtë ditë u zhduk nga institucionet, dhe që mund ta paraqesin si dëshmitar ngjashëm si në rastin e Sopotit.

Përfaqësuesi i PDSH-së opozitare thotë se situata e këtillë është pasojë e mospërfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione.

“Nuk mund të pretendosh se je i përfaqësuar vetëm nëse ke një polic, apo ku e di çfarë tjetër, kur nuk je i përfaqësuar aty ku duhet. Në vertikalen prej ku zbulohet, prej ku nis hetimi për ndonjë krim, çfarëdo qoftë ai, e deri ku shqiptohet dënimi – shqiptarët janë pak të përfaqësuar. Në rastin e fundit që ndodhi, komisioni hetimor që u formua prej inspektorëve, aty unë besoj se nuk ka asnjë shqiptar”, deklaroi Sela.

Nga BDI-ja, thonë se mbeten në qëndrimin e kumtuar ditë më parë, drejtuar edhe institucioneve për kujdes në fjalorin e tyre që mund të nxisë tensione, për zbatimin e hetimit brenda Ministrisë së Brendshme për tejkalimin eventual të kompetencave, ndërsa shpreh angazhimin për të garantuar proces transparent gjyqësor.

Nga ana tjetër, ekspertët e çështjeve të sigurisë, thonë se fajtorë kryesorë për rënien e besimit të qytetarëve shqiptarë ndaj institucioneve, janë pikërisht partitë politike, të cilat, pa përjashtim, në agjendat e tyre kanë vendosur interesat personale mbi ato të qytetarëve, të cilët i kanë votuar për t’i përfaqësuar interesat e tyre.

“Partitë politike në Maqedoni, dhe sidomos dy partitë politike shqiptare, BDI dhe PDSH, duhet të jenë të kujdesshme që të mos mbeten peng të interesave të ngushta partiake, por ndoshta edhe personale ose pronësore, pasi kjo ndonjëherë mund të krijojë atmosferën e nënshkrimit”, vlerësoi Nazmi Maliqi, njohës i zhvillimeve të sigurisë.

Ai thekson se me rëndësi shumë të madhe në arritjen e besimit ndaj institucioneve është përfaqësimi i shqiptarëve jo vetëm në numra, por edhe në pozitat vendimmarrëse, pasi vetëm në këtë mënyrë shqiptarët mund t’i ndiejnë si të tyret si strukturat e sigurisë, ashtu edhe ato të pushtetit gjyqësor./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit