Gjermania qëndron në krye të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, që mbështet financiarisht projekte konkrete, me vendet partnerë në të gjithë gjithë botën, për të ruajtur biodiversitetin.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli pikërisht tre vjet më parë, në tetor 2010, periudhën 2011-2020 si “dekadën e biodiversitetit”. Ishte viti ndërkombëtar i OKB-së për biodiversitetin, kur qeveritë e vendeve anëtare vendosën të zbatojnë një plan strategjik për biodiversitetin të dëmtuar rëndë në nivel botëror. Synimi është afatgjatë. Me biodiversitetin, pra me të gjitha format e jetës mbi tokë, lidhen të gjitha mundësitë e zhvillimit të jetës dhe të të jetuarit të njerëzimit sot, ashtu edhe brezave, që do të vijnë. Mjafton të sillet si ilustrim dobia për shëndetin e njeriut të bimëve mjekësore, që ndodhen kudo në natyrë. Sipas shifrave të botuara nga Kombet e Bashkuara 80% e popullsisë në botë mbështetet në mjekësinë tradicionale të bimëve mjekësore për kujdesin shëndetësor parësor, ndërkohë që tregtia e barnave, që prodhohen nga këto bimë, arrin në 57 miliardë dollarë në vit.
Gjermania dhe dekada e ruajtjes së biodiversitetit
Gjermania qëndron në krye të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, që mbështet financiarisht projekte konkrete, me vendet partnerë në të gjithë gjithë botën, për të ruajtur biodiversitetin. Në themel të kësaj përqasjeje është vlerësimi i biodiversitetit si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbutjes së varfërisë në nivel global. Duke filluar nga ky vit mbështetja financiare arrin ne vlerën e 500 milionë eurove në nivel ndërkombëtar në bazë të zotimit, që kancelarja gjermane Angela Merkel mori në vitin 2008, në takimin e 9-të të zhvilluar në Bonn lidhur me Konventën e Diversitetit Biologjik të Kombeve të Bashkuara.
Gjermania dhe ruajtja e biodiversitetit në Shqipëri
Mbështetja ndaj Shqipërisë është me vlerën e 1,20 milion eurove për periudhën 2012- 2015. Projekti, që mbështetet me ketë financim, është “Mbrojtja e Biodiversitetit në zonat rurale të Shqipërisë” dhe realizohet nga GIZ ( Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – Shoqata për Bashkëpunim ndërkombëtar) në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Mjedisit me kompaninë e mirënjohur gjermane të konsulencës, GOPA.
Dr.Hartmut Mueller, manager i projektit thotë për DW se “ Projekti ka si synim kryesor krijimin e dy parqeve natyrore rajonale në komunën e Shkrelit dhe të Lekbibajt dhe të nxisë zhvillimin rural në këto komuna përmes nxitjes së prodhimit të gështenjave dhe kultivimit të bimëve mjekësore, me të cilat këto dy komuna janë shumë të pasura”
Fjala është për një park prej 30 mije hektarësh sipërfaqe pyjore në komunën Shkrel dhe një park prej 20 mijë hektarësh në komunën Lekbibaj të Tropojës.
“Shqipëria ka 15 parqe kombëtare, por nuk ka menaxhim të tyre. Këto janë zona kombëtare të mbrojtura vetëm në letër. Realizimi i këtij projekti do të mundësojë përdorimin e një sistemi menaxhimi të njësuar të të gjitha parqeve kombëtare. Po bashkëpunojmë me ekspertë shqiptarë për të vendosur normat e mbrojtjes së parqeve, që do të publikohen në fund të këtij viti. Në Shqipëri ndodh që brënda një Parku Kombëtar të ketë zona të banuara dhe në raste të tilla mbrojtja e parkut nuk është njëlloj si në një park, ku nuk ka zonë të banuar”, thotë Dr. Hartmut Mueller.
Projekti përfshin edhe mbrojtjen e pyjeve të ahut në Shqipëri, që vleresohen si shumë të lashta.
“Shqipëria ka një pasuri të madhe, që është ahu, dru shumë i përhapur vetëm në Europë. Në Gjermani, Ukrainë dhe Sllovaki këto pyje janë vënë në mbrojtjen e UNESCO-s, si trashëgimi botërore. Edhe në Shqipëri ka mundësi që ato të përfshihen si pasuri botërore e UNESCO-s. Për fat të keq gjendja, në të cilën ndodhen pyjet në Shqipëri është katastrofike, ato janë të shkatërruara. Është emergjente që autoritetet lokale, qëndrore dhe vetë komuniteti i banorëve pranë këtyre pyjeve të ndërgjegjësohen për këtë pasuri dhe të merren masa urgjente për ta ruajtur atë”, thotë Dr. Hartmut Mueller.
Akademia Ndërkombëtare Gjermane për mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me zyrën e UNESCO-për trashëgiminë botërore kanë ndërmarrë një process për të ngritur një rrjet europian të pyjeve të lashta të ahut. Në këtë process është përfshirë edhe Ministria e Mjedisit dhe Departamenti i pyjeve në universitetin Bujqësor të Kamzës për të përzgjedhur zonat me pyje ahu në Shqipëri dhe propozuar, që ato të jenë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO–s./dw