Burimet e sigurisë në Britani theksojnë se Shqipëria dhe Turqia përbëjnë shqetësim për krimin e organizuar në Britani. Ndërkohë që kërcënimi më i madh vjen nga vende si Nigeria, Pakistani, Rumania, Polonia dhe Lituania.
Sipas një studimi zyrtar për botën e krimit në Britani, një e treta e grupeve të organizuara të krimit përbëhen nga të huaj. Raporti publikohet në prag të krijitmit të Agjensisë Kombëtare të Krimit, ose e ashtuquajtura “FBI-ja britanike”,e cila do të ketë një buxhet prej 450 milionë sterlinash.
Nga 37 mijë pjesëtarët e grupeve kriminale, sipas Ministrisë së Brendshme “Home Office”, rreth 7 400 janë kriminelë të huaj me rrezikshmëri të lartë, njofton ‘Sunday Times’ e Londrës. Ministrja e Brendshme britanike, Theresa May, do të njoftojë të hënën se agjensia e re do të synojë identifikimin, eleminimin dhe deportimin e kriminelëve të huaj të përfshirë në krimin e organizuar që i kushton Britanisë rreth 34 miliardë sterlina çdo vit.
Në masat e reja do të përfshihen deportimi i mijëra kriminelëve përpara se ata të ndiqen penalisht. Siç shkruan edhe tabloidi ‘Daily Mail’, forcat britanike të sigurisë janë të shqetësuara edhe për krimin e organizuar shqiptar. Në muajt e fundit vihet re një shtim i aktivitetit të grupeve dhe sindikatave shqiptare të drogës. Aktualisht janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore ndaj sindikatave shqiptare që merren me shpërndarjen e drogës nëpër qytetet angleze, aktivitet që kap vlerën a disa dhjetëra milionë sterlinave./TCH