Angazhimi me vullnet të paepur në kërkim të shpërblimeve të xhenetit është realiteti i besimtarëve përgjatë shekujve. Ata me vigjilencë dhe zgjuarsi i pengonin dhe i luftonin orvajtjet e djallit, që zemrat e tyre t’i lidhin me këtë botë kalimtare, t’i japin përparësi të përkohshmes para shpërblimit të pafund në kopshtet e xhenetit, të cilët janë përgatitur dhe zbukurohen për banorët e tyre. I Dërguari i Allahut, i zgjedhuri i njerëzimit, sal-lAllahu alejhi ue selem, natën e kalonte në këmbë, duke falur namaz me përunjësi, këmbët e tij ënjteshin… duke na dhënë kështu shembullin e falënderuesit që shpreson xhenetin.
Ebu Bekri, radijallahu anhu, gjatë leximit të Kuranit nuk mundte t’i ndalonte lotët, nga frika që të mos e humbi xhenetin. Në faqet e Omerit, radijallahu anhu, njeriut prej të cilit frikësohej edhe djalli i mallkuar ishin formuar dy rudha, që ishin shkaktuar nga lotët e besimtarit, që ishte i gatshëm të sakrifikojë çdo gjë për ta fituar xhenetin.
Osmani, radijallahu anhu, dhe hatmet e panumërta të Kuranit, një pamje reale e njeriut, i cili jetonte me fjalët e Allahut, duke i kërkuar me ngulm mirësitë e xhenetit. Aliu, radijallahu anhu, me mjekrën e tij të lagur nga lotët, në namazin e tij i kujtonte vetvetes shpresën e të gjithë besimtarëve, të mos mashtrohet me këtë dynja dhe me iluzionet e saj. Qëllimi i tij ishte xheneti.
Edhe gjenerata e ardhshme në këtë varg të gjeneratave të bekuara dhe të përzgjedhura e vazhdoi rrugën e jetës së vërtetë. E vërteta absolute, e cila ngjyrosi jetën e tyre ishte: Jam rob i Allahut, që e adhuron atë, e shpresoj xhenetin dhe frikësohem nga xhehenemi:
Hasan Basriu thoshte: Po mundohem të jetoj në këtë botë, duke u përballur çdo ditë me brengën: a do të jem prej fitimtarëve në ahiret.
Kur bija e Rebiut (ibën Huthajmit) e pyeti të atin e saj për shkakun e pagjumësisë së tij natën, ai iu përgjigj: Babai yt frikësohet, që të mos e përfshijë dënimi i papritur.
Jezid Rekashi dhe Mensur ibën Mutemiri agjëruan dyzet vjet dhe megjithatë thoshin: U vonuam, të mirët qëmoti na e kanë kaluar.
I nderuar, dynjaja është krijuar për ta kaluar dhe jo për ta pronësuar. Ajo është një udhë, e cila assesi nuk i ngjan vendbanimit të përhershëm. Mundohu që ta mposhtësh epshin, i cili anon nga dynjaja, shtoje sasinë e veprave të mira, ngaqë ndarja është e afërt. Mos u mundo të harrosh, sepse regjistrat e veprave janë realitet. Sa prej njerëzve, që dje ishin sot nuk janë. Pse je aq i sigurt, se vdekja do të vijë në momentin kur ti do të presësh atë???!!!… Shfrytëzoje kohën që të ka mbetur, vendose një herë e përgjithmonë, se çfarë kërkon, kalimtaren që do të zhduket apo të përhershmen, që Mëshiruesi e ka përgatitur për robërit e tij. Analizo pa nxitim çfarë të ofron kjo dynja dhe cilat janë mirësitë dhe kënaqësitë e xhenetit. Dëshirat e lidhura me këtë dynja janë zhgënjim në ahiret, nënshtrimi ndaj pasioneve dhe epshit do të rezultojë me dënim në ahiret. A nuk morët mësim nga sëmundja, e cila vjen pas shëndetit, nga dobësia, e cila vjen pas fuqisë, nga pleqëria, e cila vjen pas gjallërisë së rinisë…
Vëlla, erdhi koha të vendosësh: A do ta vazhdosh udhën në të cilën eci Ademi, në të cilën ftonte Nuhi, për të cilën u hodh në zjarr Ibrahimi, dhe u shtri për t’u therur Ismaili. Për këtë udhë Jusufi u shit për pak dërhemë, u nda me sharrë në dy pjesë Zekirjai dhe u vra Jahja. Në këtë rrugë të xhenetit Ejubi durimtar u sprovua me sëmundje, humbjen e fëmijëve dhe të pasurisë… udhën drejt xhenetit ua treguan popujve të tyre Davudi, Sulejmani, Isai, Musai, Haruni dhe të gjithë pejgamberët, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta. Allahu, subhanehu uve teala, i dërgoi pejgamberët me shpallje, që pranojnë dhe drejtojnë natyrën e pastër njerëzore (fitren). Prej natyrës njerëzore është edhe dashuria ndaj kënaqësive. Ibën Tejmije kënaqësitë nga të cilat anon lloji njerëzor i ndan në tre kategori: kënaqësitë shqisore (ushqimi, pijet, marrëdhëniet intime…), kënaqësitë ideore (lavdërimi, nënshtrimi, glorifikimi) dhe kënaqësitë logjike, që i përkasin mendjes, siç është kënaqësia e njohjes së të vërtetës, njohjes së Allahut etj. Një lloj i veçantë i kënaqësive që i do njeriu janë kënaqësitë ideore. Njeriut i pëlqen dhe ndjen kënaqësi, kur të tjerët shprehin dashuri dhe respekt ndaj tij. E kundërta ndodh kur ndaj tij shprehen urrejtja, përbuzja dhe mosrespektimi. Me këtë kategori kënaqësish do të shpërblehen edhe banorët e xhenetit dhe me të kundërtën e tyre do të dënohen banorët e zjarrit, Allahu na ruajtë prej tij.
Vëlla i dashur dhe motër e nderuar, uluni në një vend të qetë, mos lejoni që t’ua tërheqë diçka vëmendjen dhe mundohuni ta paramendoni këtë situatë: jeni në shtëpinë tuaj të dashur, të rrethuar me njerëzit që i doni, prindërit, fëmijët, bashkëshortin/bashkëshorten, vëllezërit, motrat dhe ata në vazhdimësi ndaj jush shprehin fjalë dashurie, respekti, luten për juve etj. Fjalët e ngrohta me të cilat e shprehin mirënjohjen e tyre ndaj juve nuk kanë të ndalur… Një situatë e këtillë me siguri do të shkaktonte një ndjenjë të fuqishme kënaqësie tek ju. Me këtë respekt dhe dashuri të shprehur ndaj njeriut, Allahu do t’i shpërblejë të gjithë besimtarët, që ia janë nënshtruar Krijuesit të tyre dhe që kanë ecur në rrugën në të cilën Ai ua ka caktuar.
Allahu, melekët, të Dërguarit e Allahut, besimtarët dhe të gjithë krijesat e duan besimtarin dhe për këtë më shumë do të lexoni në rreshtat në vijim. Do të fillojmë me një hadith të Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue selem, të cilin na e përcjell Ebu Hurejre, radijallahu anhu: “Kur Allahu e do robin e tij e thërret Xhibrilin dhe i thotë: Me të vërtetë unë e dua filanin (me emër) prandaj duaje edhe ti, dhe atë njeri e do Xhibrili. Pastaj Xhibrili u bën thirrje banorëve të qiellit duke thënë: Me të vërtetë Allahu e do filanin (me emër), prandaj dojeni edhe ju dhe pastaj ai (njeriu) bëhet i pranuar në tokë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Në një transmetim tjetër qëndron: “Kur Allahu e do robin e tij, e thërret Xhibrilin dhe i thotë unë e dua këtë njeri, prandaj duaje atë. Pastaj dashuria e tij zbret tek banorët e tokës”. Për këtë flet ajeti: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” (Merjem, 96). Kur Allahu e urren ndonjë rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë unë e urrej këtë njeri, prandaj urreje atë. Pastaj urrejtja ndaj tij zbret në tokë.” (Tirmidhiu, hadithi është i saktë). Lexoje edhe ajetin: “Nuk i vajtoi ata, as qielli, as Toka, as nuk iu dha afat atyre.” (Duhan, 29)
Mosvajtimi i qiejve dhe i tokës për banorët e zjarrit është shprehje e nënçmimit të tyre, zhvlerësimit ndaj tyre, për shkak të largimit prej Allahut. Gjurmët që lanë pas tyre janë vepra mospërfilljeje dhe rebelimi ndaj Allahut, janë vepra që i urren Krijuesi dhe me këtë e merituan mospërfilljen dhe urrejtjen. Një realitet krejtësisht ndryshe është për besimtarin. Muxhahidi thotë: “Qielli dhe toka qajnë dyzet ditë për vdekjen e besimtarit, prandaj qaj edhe ti.” Ebu Jahja tha: më habiti fjala e tij, ndërsa ai më tha: Pse habitesh. Si të mos qajë toka, të cilën e mbushi me ruku dhe sexhde. Si të mos qajë qielli në të cilin jehonin tekbiret dhe tesbihet e tij! Ibën Abasi, radijallahu anhu, ka thënë: Për besimtarin qan vendi ku është falur në tokë dhe vendi në qiell ku është ngritur vepra e tij. Biseda jonë e ka vazhdimin e saj…
Dashuria e Allahut për banorët e xhenetit:
Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Allahu thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!” (Maide, 119).
Grada të larta në xhenet, kopshte, qëndrim përgjithmonë, Allahu i kënaqur me ta dhe ata të kënaqur me shpërblimin, të cilin ua ka dhënë Allahu. Allahu është kënaqur me ta dhe asnjëherë më nuk do të hidhërohet. “Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” (Teube, 72)
Kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh dhe më madhështor në krahasim me begatitë e tjera që përjetojnë. Ebu Seid Huderiu, radijallahu anhu, tregon: I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar do t’u drejtohet banorëve të xhenetit me thirrje. Ata do të përgjigjen: Të përgjigjemi duke t’u nënshtruar, o Zoti ynë.- A jeni të kënaqur,- do të pyesë i Lartësuari. Banorët e xhenetit do të përgjigjen: Si të mos jemi të kënaqur pasi që na është dhënë ajo që s’e ka askush prej krijesave Tuaja.- Allahu do të thotë: Do t’ua jap një gjë më të mirë se kjo.- Ata do të pyesin, cila është ajo gjë që është më e mirë se kjo gjendje në të cilën jemi.- Allahu do të thotë: Mbi juve do ta lëshoj kënaqësinë Time dhe asnjëherë më nuk do hidhërohem me juve.” (Buhariu dhe Muslimi).
I Madhëruari thotë: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (Teube, 100).
Të parët janë ata që shpejtuan dhe besuan, u shpërngulën dhe luftuan. Muhaxhirët të cilët Kurani i përshkruan kështu: “…të cilët u përzunë nga vendlindja dhe pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë.”, dhe Ensarët për të cilët Kurani dëshmon: “Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë.”
Mos t’i harrojmë edhe ata të cilën erdhën pas tyre dhe e vazhduan rrugën e tyre në mënyrën më të mirë, këta shpëtuan prej vërejtjeve dhe fituan lavdërimin përfundimtar. Shpërblimi më i madh është kënaqësia e Allahut ndaj tyre, kënaqësi kjo e cila është më e madhe se begatitë e xhenetit.
Kënaqësia e Allahut është ajo pas së cilës vjen shpërblimi dhe në vetvete është shpërblimi më i lartë dhe më fisnik.
“Paqe!” do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë.” (Jasin, 58) Paqja me të cilën do të shpërblehen nga Zoti Mëshirëplotë. Kur do ta dëgjojnë fjalën Paqe do të shpërblehen me sigurinë e plotë dhe do të përshëndetet me përshëndetjen më të lartë, në vendbanimin e lumturisë dhe të kënaqësisë…
Po të mos ishte e caktuar që xhenetlinjtë nuk vdesin, zemrat e tyre do të ndaleshin nga gëzimi dhe lumturia. Do të pushonin të rrahurit e zemrave të tyre dhe do të vdisnin pa asnjë dyshim, por banorët e xhenetit nuk vdesin.
Dashuria e engjëjve për banorët e xhenetit:
Allahu, subhenahu ue teala, thotë: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit). (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Rad, 23-24).
Nga çdo derë e xhenetit ata dëgjojnë përshëndetjen e selamit dhe fjalët e nderimit, prej krijesave më të pastra-melekët. Tanimë nuk do të ballafaqoheni me asgjë të keqe e as të urryer. Do të bashkoheni me paraardhësit e mirë, me pasardhësit e devotshëm dhe bashkëshortët besnikë. Prania e tyre do ta shtojë intensitetin e kënaqësive, në këtë tubim në të cilin engjëjt thërrasin me respekt dhe selam.
Dashuria mes banorëve të xhenetit:
Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën”. Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar”. (Araf, 43).
“Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (Hixhr, 47).
Urrejtjen që kishin në kraharorët tyre, e që është pjesë e natyrës së tyre, Allahu do ta largojë. Në divanet e xhenetit ata do të ulen përballë njëri tjetrit si vëllezër zemërbardhë, duke shprehur dashurinë dhe respektin ndaj njëri tjetrit. Do të largohet urrejtja dhe zilia, e cila në këtë botë e prish kënaqësinë e shumë njerëzve dhe u shkakton kokëçarje dhe stres. Një jetë e tillë ka marr fund me të hyrit në xhenet.
Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Tur, 21).
Nderimi do të vazhdojë duke i bashkuar besimtarët me pasardhësit e tyre që i ndjekin në besim duke mos ua pakësuar shpërblimin dhe kështu do të plotësohen begatitë për besimtarët në xhenet. Duke qëndruar me të afërmit e tyre besimtarë ata do të mbrohen nga fjalët e kota: “Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe”! (Vakia, 25-26).
Nuk ka vend për biseda të kota e të padobishme. Bisedat e banorëve të xhenetit janë biseda të këndshme, që shprehin kulturën e lartë në të shprehur dhe komunikim të ndërsjellë. Atmosfera e xhenetit është krejtësisht: “Paqe, paqe”.
Dashuria e xhenetit ndaj banorëve të saj:
Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm…” (Shuara, 90).
Xheneti do të afrohet pranë besimtarëve, i zbukuruar dhe i stolisur, duke i kursyer banorët e xhenetit nga lodhja e të ecurit drejt tij. Do të afrohet që ta shohin, t’i kënaqin sytë e tyre e pastaj të kënaqen me begatitë e përhershme në shtëpinë e kënaqësisë që Mëshiruesi e ka përgatitur për robërit e Tij bamirës.
“Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, prandaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” (Zumer, 73).
Kur të afrohen pranë vendbanimeve të nderimit për besimtarët, dyert e tyre do të hapen në mënyrë respekti, kjo është pritja e merituar dhe lavdërimi i bukur për banorët e xhenetit.
Allahu na e mundësoftë hyrjen në xhenet dhe vendbanimin me shoqërinë më të mirë, të dërguarit, dëshmorët, besnikët dhe robërit e mirë… Allahumme amin.
ABDURRAHMAN MUHAMED IMRAN
Përktheu: Talha Kurtishi/albislam.com/kohaislame.com