Bahri Sejdiu nga Këshilli i Bashkësisë Islame të kryeqytetit ka thënë: “Familja e deputetit të PDK-së Shaip Mujës nuk lejoi ndërtimin e xhamisë”
Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës akuzon familjen e deputetit Shaip Muja, se ndikoi që Ministria e Mjedisit të vendosë që të ndalohen punimet në ndërtimin e një Xhamie në lagjen “Kalabria”.
Bahri Sejdiu nga Këshilli i Bashkësisë Islame të kryeqytetit ka thënë se ka pasur shantazhe nga familja Muja, edhe pse, sipas tij, për ndërtimin e xhamisë ata e kanë lejen e komunës dhe pëlqimin e banorëve.
Ndërkohë, Fatmir Muja i ka thënë KTV-së se të qenët vëlla i deputetit Shaip Muja nuk i mohon atij të drejtën për të bërë ankesë.
Familja Muja ka thënë se ka bërë ankesë, ngase ata si fqinj të parë, nuk i pyeti askush. E, vetë deputeti Muja ka thënë se nuk do të ndërtohet asgjë me para të Arabisë Saudite.
Në Bashkësinë Islame kanë thënë se paratë për të blerë tokën në një nga vendet më të shtrenjta në kryeqytet, i kanë nga xhemati me të cilat edhe do të kryejnë ndërtimin e objektit fetar. Pavarësisht këtyre konflikteve, Inspektorati Komunal doli edhe të shtunën në vendngjarje ku i ndalën punimet, transmeton KTV.
Në vendimin e Ministrisë së Mjedisit shkruhet se komuna ka bërë shkelje të dispozitave ligjore me këtë leje, pasi që plani rregullues i lagjes është në revidim e sipër./kohaislame