-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ndalohet iniciativa kundër Kuranit

Më të lexuarat

Një iniciativë e lancuar për votim gjithëpopullor në kantonin Thurgau që kërkonte ndalimin e Kuranit në shkollat zvicerane është shpallur diskrminuese nga Gjykata Federale e Zvicës, dhe si e tillë nuk do të lejohet të votohet për të.

Më shumë se 4000 nënshkrime ishin mbledhur nga partia SD (Schweizer Demokraten) për iniciativën, në tekstin e të cilës veç tjerash shkruan se ajo kërkon “që në shkolla të ndalohen tekstet raciste kinse kundër gruas dhe ato që bëjnë thirrje për vrasje”. Por, ideja që si e tillë, në thelb duket krejtësisht në rregull, ka për synim të fundit ndalimin e mësimit të lëndës së islamit në shkolla.

Sipas tyre Kurani, është në thelbin e tij diskrimnues ndaj femrës, racist dhe bën thirrje për vrasje. Për këto arsye, ata kerkuan qe tekstet religjioze të myslimanëve duhet të mbahen larg nga shkollat.

Këtë iniciativë e kishin hedhur poshtë si diskriminuese, fillimisht qeveria e pastaj edhe Parlamenti i Kantonit Thurgau. Kjo ka qenë hera e parë në këtë kanton që është shpallur e pavlefshme një iniciativë.

Sipas gjyqtarëve të Gjykatës Federale teksti i iniciativës “ndonëse fyerje për intelektin dhe naiv, në vetvete nuk është i dëmshëm. Por, i dëmshëm sipas tyre është synimi i fundit i iniciativës.

Gjyqtarët më tutje kanë cituar iniciuesit, sipas të cilëve islami është kundër kushtetutës. Iniciativa prandaj synon të ndalojë që ky religjion të mësohet në shkollat zvicerane. Por për gjykatën një gjë e tillë do të ishte “diskriminim i qartë i myslimanëve. Në këtë mënyrë iniciativa përbën shkelje të Kushtetutës federale, pasi shteti duhet të mbetet neutral në çështjet e fesë”.

Ndërsa në lidhje me pohimin në tekstin e iniciativës se Kurani bën thirrje për dhunë, Gjykata Federale ka mendim tjetër. Sipas saj, edhe Dhjata e Vjetër ka disa pasuse problematike. Pastaj edhe Vilhelm Teli i Shilerit do të duhej të ndalohej, në rast se do të nxirrej teksti nga një kontekst i tillë siç e bëjnë iniciuesit me tekstet islame.

Komiteti i kësaj iniciative synonte konkretisht ndalimin e një projekti pilot për mësimin e lëndës së islamit në një shkollë në Kreuzlingen. Është fjala për një projekt të realizuar prej tri vitesh nga imami shqiptar Rehan Neziri dhe të financuar nga shteti. Imami Neziri, siç shkruan gazeta NZZ konsiderohet nga të gjitha palët si person i besueshëm dhe me autoritet.

Ai ka theksuar se nuk është duke udhëhequr ndonjë shkollë të kuranit por vetëm po u mëson nxënësve bazat e Islamit, të cilët krahas kësaj mësojnë edhe bazat e krishterimit.
Projekti ka marrë një vlerësim të shkëlqyer nga një ekspertizë e bërë nga jashtë dhe pasi është treguar i suksesshëm dhe me ndikim pozitiv në integrimin e nxënësve myslimanë, i është vazhduar financimi edhe për më tutje.
Në Kreuzlingenin me rreth 20.400 mijë banorë, jetojnë rreth 2000 myslimanë ndërsa një e katërta e nxënësve në shkollat e këtushme kanë perkatësi fetare myslimane./albinfo.ch/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit