-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Shkaqet që sjellin furnizimin -I-

Më të lexuarat

Shumica e njerëzve në këto kohë ankohen nga furnizimi i pakët, apo më mirë të themi nga mos bereqeti dhe vështirësitë e shumta në jetë. Kështu që, kërkimi i furnizimit dhe rregullimi i jetës i mundon dhe pikëllon shumë njerëz, madje shumë prej tyre ndjekin çdo formë dhe rrugë për arritjen e tij. Njëri mashtron, tjetri vjedh, ai merret me kamatë, i treti derdh gjak dhe ndërpret lidhjet familjare, ndërpret zbatimin e urdhrave të Allahut, i katërti… vetëm e vetëm që t’ju përgjigjet kërkesave të veta dhe të familjes.

Të tillët kanë harruar se Allahu i Madhëruar i ka treguar robërve të Tij shkaqe të cilat sjellin furnizim dhe u ka premtuar se nëse u përmbahen atyre do t’i furnizojë me furnizim nga as që u shkon mendja fare.

Ndaj, vëlla i dashuri po i përmendim vetëm disa prej këtyre shkaqeve:

Devotshmëria

Allahu i Lartësuar e ka bërë devotshmërinë prej shkaqeve të cilat e sjellin dhe e shtojnë furnizimin, andaj dhe ka thënë: “E kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” Talak, 2-3.

Secili që i përmbahet dispozitave të Allahut dhe kërkon gjithmonë kënaqësinë e Tij në çdo kohë, Ai do ta shpërblejë në këtë dhe botën tjetër, e nga shpërblimi është edhe t’i hapë atij rrugëdalje nga çdo vështirësi e, njëkohësisht, ta furnizojë nga se kujton ai.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ai që i përmbahet dispozitave të Allahut, e largohet nga ajo që Ai i ndaloi, atij i hap rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare”.

Ndërsa Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kush i përmbahet dispozitave të Tij, e shpëton nga çdo pakënaqësi në këtë dhe në botën tjetër dhe e furnizon nga nuk e kujton dhe shpreson fare”.

Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan.” Araf, 96.

Abdurrahman Sadi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar me besim të vërtetë në atë mënyrë që veprat të dëshmonin për besimin e tyre dhe t’i përmbaheshin dispozitave të Tij, haptas dhe fshehtas, me lënien e gjithë asaj që ndaloi Allahu, do t’i hapte begati nga qielli e toka, do t’i lëshonte shi nga qielli, e do të mbillte nga toka që ata të jetonin e të jetonin edhe kafshët një jetë të mirë e të begatshme, duke mos u lodhur shumë…”

Mirëpo parashtrohet pyetja se ç’është devotshmëria, të cilën Allahu i Lartësuar e ka bërë shkak për sjelljen e furnizimit dhe ka lajmëruar se i furnizon të devotshmit?

Devotshmëria është të bësh në mes teje dhe asaj që të dëmton mbulesë dhe mbrojtje në mes teje dhe mes asaj që të dëmton, t’i përmbahesh asaj që Allahu të ka urdhëruar dhe largohesh asaj që të ka ndaluar, mos të të gjejë aty ku të ka ndaluar e mos të të humbasë aty ku të ka urdhëruar. Motoja jote të jetë, dhe duhet të jetë, urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Këto janë edhe përkufizime të të parëve tanë lidhur me devotshmërinë.

Rreth devotshmërisë Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Të respektohet Allahu e mos t’i bëhet mëkat, të përmendet e mos të harrohet, të falënderohet e mos të përbuzet”.

Ndërsa Talk bin Habib thotë: “Devotshmëria është të veprosh duke respektuar Allahun mbi dritën e Tij, duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe t’i braktisësh mëkatet ndaj Allahut mbi dritën e Tij, duke pasur frikë dënimin e Tij’.

Ndërsa Ebu Hurejra është pyetur rreth devotshmërisë dhe është përgjigjur duke thënë: “A ke ecur ndonjëherë në rrugë me gjemba? Po- i është thënë. E ai tha: “Si ke vepruar?” Kur kam hasur në to jam larguar ose kam tejkaluar atë vend.” Atëherë ai tha: “Kjo pra është devotshmëria.”

Vëlla i dashur, nëse kërkon zgjerim të furnizimit dhe jetë të mirë, bëhu i devotshëm, e kije frikë Allahut në të gjitha punët, në çdo çast, në shtëpinë tënde, në vendin e punës, në familje e fëmijët e tu, të përkujdesesh për gjuhën tënde, t’i përmbahesh urdhrave të Zotit tënd e të largohesh ndalesave të Tij.

Kërkimi i faljes dhe pendimi

Prej shkaqeve që sjellin furnizim janë edhe istigfari (kërkimi i faljes) dhe pendimi. Allahu i Lartësuar duke na lajmëruar për profetin Nuh (alejhi selam) thotë: “Unë u thashë: ‘Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk. ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj’” . Nuh, 10-12.

Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në këtë ajet kuranor dhe atë në Hud, ka argument se kërkimi i faljes është shkak për shtimin e furnizimit dhe zbritjes së shiut”.

Ndërsa Ibn Kethiri thotë: “Nëse pendoheni tek Allahu, kërkoni faljen dhe përmbaheni dispozitave të Tij, ju shtohet furnizimi dhe ju lëshon shi nga qielli me bollëk, ju jep të mira nga toka, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte me fruta të ndryshme e me lumenj që rrjedhin në to”.

Transmetohet nga Mutrafe ky nga Shabiu se prijësi i besimtarëve, Umer ibn Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) doli dhe lutej për shi, nuk shtoi asgjë tjetër përveç istigfarit (kërkimit të faljes) derisa u kthye. I është thënë: “Nuk të kemi dëgjuar duke u lutur. Ai lexoi fjalën e Allahut: “Unë u thashë: ‘Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk”.

Një njeri i është ankuar Hasan Basriut për thatësinë, e i tha: “Kërko falje tek Allahu”. Tjetri është ankuar për varfëri, e i tha: “Kërko falje”. I treti i tha: “Lute Zotin që të më dhurojë fëmijë!” E ai i tha: “Kërko falje!” I katërti është ankuar për thatësinë e kopshtit të tij, e i tha: “Kërko falje Allahut”. Atëherë i thanë: “Të erdhën disa burra me ankesa të ndryshme e të gjithë i urdhërove me kërkim të faljes së Allahut, ai u tha: “Nuk u kam thënë asgjë nga vetja ime, Allahu i lartësuar në suren Nuh thotë: “Unë u thashë: ‘Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj’’’. Nuh, 10-12.

Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë për Hudin (alejhi selam) se i ka thënë popullit të tij: “O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthehuni Atij! Ai ju lëshon shi me bollëk dhe fuqisë suaj i shton fuqi. E mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!” Hud, 52.

Ibn Kethiri thotë: “Hudi (alejhi selam) e urdhëroi popullin e tij të kërkojë falje, që në atë mënyrë t’ju falen mëkatet e kaluara dhe i urdhëroi me pendim për ato të ardhme. E kush pajiset me këto cilësi, Allahu ia lehtëson furnizimin, i lehtëson brengat e tij dhe e ruan nga çdo gjë e keqe’’.

Gjithashtu, Allahu i lartësuar thotë: “E të kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni (kthehuni) te Ai, se Ai do t’ju mundësojë përjetime të mira (në këtë jetë), deri në një afat (të caktuar) dhe çdo punëmiri i jep shpërblimin e merituar. Në qoftë se refuzojnë (të kërkojnë falje), unë pra kam frikë për ju, dënimin e ditës së madhe.” Hud, 3.

Në këtë ajet kuranor, Allahu i Lartësuar ka premtuar se kush kërkon falje tek Ai dhe i kthehet Atij, Ai do t’i mundësojë përjetime të mira në këtë jetë, e prej tyre janë edhe shtimi i furnizimit dhe jeta e mirë.

Ndërsa i Dërguari i Allahut thotë: “Kush e shpeshton kërkimin e faljes Allahu atij do t’i shndërrojë çdo brengë në qetësi, çdo ngushticë në rrugëdalje dhe e furnizon nga as nuk e mendon fare’’. Shënon Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Vëlla i dashur, nëse kërkon shtim në furnizim, jetë të begatshme, atëherë nxito në kërkimin e faljes, me fjalë dhe vepra, e jo vetëm me fjalë, sepse kjo është cilësi e atyre që nuk janë të sinqertë.

Përktheu: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit