1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Allahu krahason shembullin e dy njerëzve

Më të lexuarat

Prej metodave artistike që ka përdorur Kurani për të zbuluar domethëniet e tij, paraqitjen e objektivave të tij, është metodologjia e sjelljes së shembujve. Kjo është një metodologji kuranore e dukshme dhe shumë e vërejtur. Ndalesa jonë e sotme do të jetë në një ajet kuranor i cili sjell shembullin e atij që vepron sipas urdhrave të Allahut dhe i zbaton kufijtë dhe legjislacionet e Tij dhe shembullin e atij që nuk i respekton ato.

Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “Allahu e krahason shembullin e skllavit, që s’ka mundësi për asgjë dhe që është pronë e të zotit me atë që Ne i kemi dhënë plot begati, prej të cilave jep fshehtazi dhe haptazi. A janë njëlloj? Lavdi i qoftë Allahut! Shumica e tyre nuk dinë.” (Nahl, 75)

Ajeti – ashtu siç shohim- ka sjellë shembullin e dy rasteve ose nëse do mund të thuash ka paraqitur dy qëndrime kontradiktore. Rasti i parë është gjendja e robit i cili s’ka mundësi për asgjë, madje është në pozitën e të ndikuarit dhe marrësit e pranuesit të urdhrave dhe ndalesave dhe rasti i dytë është gjendja e të lirit, i zoti i çështjes së vet, vepruesi sipas udhëzimit të Zotit të vet dhe ndikues për ata që janë rreth tij.

Komentuesit e Kuranit sa i përket kuptimit të këtij ajeti kanë thënë: “Ky është një shembull që e ka sjellë Allahu për jobesimtarin dhe besimtarin. Jobesimtarin Allahu i Madhërishëm e ka furnizuar me pasuri, mirëpo nuk e ka shpenzuar në dobi dhe të mira. Nuk ka punuar me të në respektimin e Allahut, por e ka shpenzuar në gjëra të cilat nuk e kënaqin Allahun; ai pasurinë e shfrytëzon në rrugë në të cilat ajo nuk është ligjësuar. Ndërsa besimtari, të cilin Allahu e ka furnizuar me furnizim të mirë, punon me të në respektimin e Allahut, e falënderon Atë dhe e di të drejtën e Allahut në pasurinë e vet. Ka dallim të madh ndërmjet këtyre dy qëndrimeve: qëndrimit të të larguarit nga ajo që e urdhëron Allahu dhe mohuesit ndaj asaj me të cilën është begatuar dhe qëndrimit të atij që drejtohet drejt Zotit të vet, mirënjohësit ndaj asaj me të cilën është begatuar. Dallimi është i madh ndërmjet tyre: “A janë njëlloj?”, mirëpo shumica e njerëzve nuk dinë, madje janë të pakujdesshëm.

Nuk ka gjë të keqe të dish se disa komentues të Kuranit mbajnë qëndrimin se qëllimi i sjelljes së shembullit në ajet është sqarimi i dallimit ndërmjet Krijuesit të robërve dhe ndërmjet idhujve që adhurohen në vend të Allahut, që nuk posedojnë as dëm e as dobi për vete e lëre më për të tjerët.

Kuptimi i ajetit, sipas këtij qëndrimi, është se ashtu siç nuk janë njëlloj – logjikisht dhe zakonisht- një rob që s’ka mundësi për veten e vet asgjë dhe një njeri i lirë, të cilin Allahu e ka furnizuar me furnizim të mirë, nga i cili shpenzon në rrugë të hairit, gjithashtu nuk krahasohen Zoti, Krijuesi Furnizuesi dhe idhuj që adhurohen në vend të Allahut, që as nuk dëgjojnë e shohin, nuk sjellin as dëm e as dobi, nuk ulen e as nuk ngrihen.

Më pas ky ajet ka lidhshmëri të ngushtë me ajetin pasues, që është fjala e Allahut të Lartësuar: “Gjithashtu, Allahu krahason shembullin e dy njerëzve, njëri prej të cilëve është shurdh-memec, nuk mund të bëjë asgjë dhe është barrë e pronarit të vet, – kurdo e kudo që ta dërgojë, nuk i sjell asnjë të mirë. A është i barabartë ky me atë që urdhëron për drejtësi dhe ndjek rrugën e drejtë?” (Nahl, 76)

Shurdhmemec është jobesimtari. Është ngjasuar kësisoj për shkak të pamundësisë së arritjes dhe kuptimit të së vërtetës dhe nënshtrimit ndaj saj, kështu që prej tij nuk ka kurrfarë dobie.

Drejtësia nënkupton të vërtetën dhe të drejtën që përputhet me realitetin. Prandaj, kush “urdhëron për drejtësi” është shembull për besimtarin të cilit i është dhënë sukses në kuptimin e së vërtetës dhe është i udhëzuar sipas saj e vepron me të, sakrifikon për të dhe jeton për hir të saj duke qenë i durueshëm nën flamurin e së vërtetës.

Te shembulli i dytë, që është sjellë për të dalluar jobesimtarin dhe besimtarin, mund të mësojmë edhe një mësim tjetër më universal dhe më të përgjithshëm, i cili mund të jetë edhe një shembull për sqarimin e dallimit ndërmjet besimtarit aktiv dhe besimtarit përtac, besimtarit pozitiv dhe atij negativ, besimtarit optimist dhe atij pesimist, besimtarit ndikues dhe atij të ndikuar dhe shumë tipare të tjera dalluese ndërmjet dy qëndrimeve.
Ekziston dallim i madh mes asaj që besimtari të jetë barrë e dikujt dhe të jetë i drejtë. I pari është i ulur dhe pret që nga qielli t’i zbresë ar e argjend, ndërsa i dyti ecën nëpër tokë, i ka marrë shkaqet e furnizimit dhe të punës, i mbështetur tek Allahu i Lartësuar në të gjitha çështjet e tij.

Prandaj, punë e punë o rob i Allahut, seriozitet vëlla besimtar. Kupto rolin tënd në këtë botë, përcakto rrugën tënde, që është synimi yt. Mbështetju Allahut, Ai të mjafton ty, sa mbrojtës dhe ndihmës i mrekullueshëm është Ai!

Përgatiti: Almedin Ejupi
9.8.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit