-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

PERFORMANCA E TURQISË NË 10 VITET E KALUARA

Më të lexuarat

Tashmë është kthyer në traditë që në jetën sociale dhe politike të bëhen analiza dhe llogari të periudhave të caktuara. Në përgjithësi vlerësim u bëhet proceseve 10, 50 dhe 100-vjeçare. Kështu ne mund ta vlerësojmë performancën e Turqisë në të gjitha harqet kohore. Por në këtë program do të fokusohemi vetëm në 10 vitet e fundit të Turqisë.

Edhe pse gjatë kësaj dekade në pushtet ka qenë dhe vazhdon të jetë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), ne do të përpiqemi të nxjerrim një fotografi të përgjithshme të Turqisë. Prandaj, me një këndvështrim plotësisht objektiv dhe akademik, do të përpiqemi të hedhim dritë mbi rrugën, që Turqia ka përshkuar në këtë periudhë, si dhe duke u nisur nga kjo pikë, mbi të ardhmen. Natyrisht që nuk do t’i marrim në shqyrtim të tëra detajet e 10 viteve në fjalë, por do të bëjmë një makroanalizë.

Për të bërë një vlerësim sa më objektiv dhe realist, na duhet fillimisht të nënvizojmë dy pika. E para është situata e Turqisë një dekadë më parë. Po t’i hedhim një shikim 10 viteve të kaluara, vërejmë se krahas problemeve serioze si inflacioni, normat e interesit dhe papunësia në nivel të lartë, në Turqi bien në sy edhe të meta shumë kritike në lidhje me Prodhimin Kombëtar Bruto (GNP), shifrat e tregtisë së jashtme dhe vlerën e lirës turke. Ndërsa nga aspekti politik, bëhej fjalë për një problem serioz demokratizimi dhe çmilitarizimi, diskutohej e vihej në dyshim se çfarë performance do të shfaqte qeveria e Partisë AK, e cila atëherë sapo kishte fituar pushtetin. Në vend ekzistonte një listë e madhe me ndalime: Përdorimi i gjuhës amtare për kurdët dhe një sërë pengesash lidhur me mbajtjen e shamisë së kokës, apo burkës, në ambientet e universiteteve për studentet besimtare.

Nga ana tjetër, përreth Turqisë vazhdonin kriza serioze. Në atë periudhë Shtetet e Bashkuara të Amerikës vunë në zbatim planin e pushtimit të Irakut. Megjithëse këtë plan e kundërshtoi pjesa kryesore e botës, ish-presidenti Bush dhe konservatorët e rinj i sfiduan të gjithë duke realizuar pushtimin. Kjo krizë vuri në një situatë të vështirë edhe Turqinë.

Gjatë këtij procesi 10-vjeçar, dimensioni, që ka dalë më shumë në planë të parë për Turqinë, është performanca e politikës së jashtme të saj. Mund të themi me lehtësi se në këtë dekadë Turqia ka bërë progrese përgjithësisht të mëdha, të guximshme dhe me cilësi historike. Në krye të tyre renditet vendimi me datë 1 mars 2003 i Asamblesë së Madhe Popullore të Turqisë, me anë të të cilit nuk iu dha mbështetje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pushtimin e Irakut dhe u qëndrua jashtë luftës. Kjo rezolutë me rëndësi jetike e ka shpëtuar Turqinë nga mundësia e një lufte civile tepër të rrezikshme dhe pavarësisht se brenda një harku kohor afatshkurtër dukej sikur kishte sjellë dëme, më pas ka rezultuar me të vërtetë e dobishme. Mospjesëmarrja në luftën e Irakut e ka shpëtuar Turqinë nga imazhi “vend që ka pushtuar fqinjin”, një imazh ky që mund të zgjaste për dhjetëra vjet duke dëmtuar vazhdimisht besimin ndaj Ankarasë.

Në vend të dytë nga aspekti i politikës së jashtme renditet data 3 tetor 2005, që shënon fillimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Ky zhvillim jo vetëm që prodhoi një shtysë të fuqishme në procesin 40-vjeçar për anëtarësim, por konsolidoi gjithashtu proceset e demokratizimit, pasurimit dhe modernizimit në Turqi. Kjo politikë forcoi marrëdhëniet me Perëndimin dhe pengoi që Turqia të prekej nga efektet negative të luftës në Irak.

Duke filluar nga viti 2008, Turqia njëkohësisht ka marrë përsipër role për zgjidhjen e problemeve në Lindje të Mesme. Në kuadër të “Partneritetit Model” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia përpiqet të përqaset me vende si Iraku, Irani, Palestinë-Izraeli, Siria, Armenia dhe të ndërtojë rendin në rajonet përreth saj. Falë parimit “Zero Problem”, Ankaraja angazhohet për t’u gjetur problemeve zgjidhje diplomatike, paqësore dhe të qëndrueshme.

Ndërkaq, si pasojë e politikave të Turqisë për programin bërthamor të Iranit dhe problemin e Gazës, shpërthejnë disa debate që aludojnë rreth një shkarje të boshtit të Turqisë. Por kjo u kapërcye me anë të vendimit për mburojën raketore të NATO-s dhe ngjarjeve të Pranverës Arabe. Në syrin e perëndimorëve dhe Ligës Arabe, Turqia është kthyer tashmë në një aktor të rëndësishëm. Perëndimi dhe Liga Arabe nisën ta mbështesin vazhdimisht rolin e përgjithshëm të Turqisë në rajon, megjithatë lufta civile në Siri po merr përmasa të rrezikshme çdo ditë e më shumë.

Përgjatë këtij procesi 10-vjeçar kanë ndryshuar në përgjithësi edhe kushtet brenda Turqisë. Krahasuar me një dekadë më parë ekonomia turke është rritur 4-5 herë, ndërsa problemet si inflacioni dhe normat e interesit në nivel të lartë, borxhi i jashtëm dhe ai ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë reduktuar seriozisht. Për të kuptuar se sa është rritur mirëqenia e popullit turk mjafton të shikosh intensitetin e automobilave nëpër rrugë, qiellgërvishtësit e ndërtuar së fundmi dhe produktet e konsumit, që njerëzit kanë filluar të përdorin gjerësisht. Sigurisht që nuk mund të lëmë pa përmendur demokratizimin dhe çmilitarizimin e vendit, përhapjen e pabesueshme të transportit ajror, detar dhe rrugor, reformat në shëndetësi, rritjen e shpejtë të numrit e cilësisë së universiteteve dhe institucioneve të tjera arsimore, por edhe zhvillimin e mediave.

Zhvillimi që bie më shumë në sy gjatë këtij procesi është rritja e shpejtë e qyteteve si pasojë e migracionit të brendshëm nga zonat rurale në ato urbane. Edhe pse vlerësohet si zhvillim dhe modernizim i vendit, urbanizimi i shpejtë në të njëjtat nivele ka sjellë me vete edhe probleme për shkak të pamjaftueshmërisë së infrastrukturave dhe superstrukturave. Shtimi i numrit të makinave në trafikun rrugor, një nga treguesit bazë të mirëqenies, e ka vështirësuar shumë jetën në qytete për shkak të problemeve infrastrukturore. Madje probleme të reja po dalin në shesh edhe si pasojë e shpejtësisë dhe nivelit më të ulët të zhvillimit të domosdoshmërive shoqërore, kulturore, arsimore, mjedisore dhe artistike.

Faktikisht, pasqyrimi më konkret i performancës 10-vjeçare të Turqisë është pika e arritur në urbanizimin e vendit. Sepse në fund të fundit një nga treguesit më konkretë të zhvillimit është padyshim gjendja e mjedisit dhe qyteteve, në të cilat njerëzit jetojnë. Probleme lidhur me standardet moderne, shpërndarjen e ekuilibruar, cilësinë, estetikën, ndotjen akustike dhe përshtatshmërinë për banim vërehen në të 81 qytetet e Turqisë, veçanërisht në Stamboll, Ankara dhe Izmir. Problemet në fjalë vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e qeverisë turke, mes objektivave të reja të së cilës zë vend të rëndësishëm edhe ndërtimi i “qyteteve të banueshme”. Projekti i transformimit urban është vetëm një nga nismat madhore të qeverisë në këtë kuadër.

Si përfundim, agjenda e politikës së brendshme të Turqisë për dekadën në vijim duket se formohet kryesisht nga urbanizimi; ndërsa agjenda e politikës së jashtme nga problemet lidhur me Sirinë dhe Pranverën Arabe. Natyrisht që të rëndësisë maksimale janë edhe disa çështje si procesi i zgjidhjes së terrorit dhe negociatat për anëtarësimin e Turqisë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, të cilave nuk patëm mundësi t’u kushtonim vend në këtë program.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit