7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

O familja ime, faluni, faluni!

Më të lexuarat

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tij.

Nga Thabiti transmetohet se Pejagamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur e godiste skamja familjen e tij u drejtohej me fjalët: “O familja ime, faluni, faluni!”

Ibn Muflihu thotë se ky hadith është mursel (mungon sahabiu në zinxhirin e transmetuesve), por me zinxhir transmetuesish të mirë, ndërsa për kuptimin e tij dëshmon edhe hadithi në kapitullin e eklipsit te Buhariu dhe Muslimi.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz! Vërtet, ajo është e madhe (e vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).”  (Bekare, 45)

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtetë Allahu është me durimtarët.” (Bekare, 153)

Allahu i Lartësuar i urdhëroi robërit e Tij të ndihmohen me të falur për çdo çështje të kësaj bote dhe botës tjetër, duke mos përjashtuar nga kjo asgjë. Ai tha: “Kërkoni ndihmë me durim e me të falur!” (Bekare,153)

Allahu i Madhëruar filloi me durimin para namazit, pasi besimi dhe të gjitha namazet obligative apo vullnetare nuk kryhen pa durim. Allahu ka thënë: “Kërkoni ndihmë në të gjitha ështjet me durim dhe me namaz! Vërtet ajo është e vështirë, por jo edhe për ata që janë të përulur.” e ata janë që  zemrat e tyre janë përulur nga madhështia e Allahut dhe frikërespekti ndaj Tij. Për atë dëshmoi se atij që i vjen kryerja e namazit e lehtë është prej të përulurve. Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur e mundonte ndonjë çështje falej. D.m.th: kur i vështirësohej ndonjë çështje, brengosej, mërzitej, apo i ndodhte ndonjë fatkeqësi ngrihej të falej, sepse namazi të ndihmon t’i tejkalosh të gjitha fatkeqësitë, me ndihmën e Allahut të Lartësuar. Namazin e kryen për t’u afruar dhe për t’u kthyer tek Allahu. E ai që i kthehet Allahut do t’i mjaftojë atij, pasi ai ka anashkaluar çdo gjë përveç tij dhe ka synuar Allahun e Lartësuar. Allahu i Lartësuar nuk do ta zhgënjejë atë që shpreson tek Ai.

Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur familjes së tij i ndodhte ndonjë brengë, i urdhëronte të faleshin, pastaj lexonte: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, sepse ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata).” (Taha, 132)  Kjo do të thotë se nëse e fal namazin do  të  vij furnizimi nga se mendon, siç thotë Allahu i Lartësuar: “E kush i përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare.” (Talak, 2-3) Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër gjë përveç që të më adhurojnë. Unë  nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim dhe as kërkoj të më ushqejnë ata. Allahu është Furnizues i madh. Ai është Fuqiforti.” (Dharijat, 56-58)

Në hadithin kudsij, Allahu i Lartësuar thotë: “O robi im! Përkushtohu në adhurimin tim dhe do ta pasuroj zemrën tënde e do ta shmang  nga t’i  varfërinë.”

Namazi largon nga ai që falet shqetësimin, ashtu që nuk është i merakosur, lakmitar, koprrac, i zhurmshëm, ankohet së tepërmi, i nxituar dhe me pak durim. “Është e vërtetë se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm. Kur e godet ndonjë e keqe ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira ai bëhet së tepërmi koprac, përveç atyre që falen. Të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre.”

Namazi është strehim për besimtarët për çdo çështje të rëndësishme të kësaj bote dhe tjetrës.

Thabiti shprehet se pejgamberët (Paqja e Allahu qoftë mbi ta!) kur i godiste ndonjë brengë shpejtonin të faleshin. Kështu vepronte Ademi (alejhi selam) dhe pejgamberët e tjerë.

E si të mos ngushëllohen muslimanët me namazin kur ai është shtyllë e fesë, ashtu siç është përmendur në hadith.

Merueziu ka thënë: “Allahu i Lartësuar i urdhëroi të gjithë robërit të pasonin Pejgamberin, ndërsa Pejgamberi i urdhëroi që nëse shohin shenja nga të cilat frikësohen se mos janë dërguar si dënim të shpejtojnë në namaz dhe për këtë ka thënë: ‘Vërtet, dielli dhe hëna janë dy shenja nga shenjat e Allahut e kur të ndodhë eklipsi, shpejtoni në namaz!’ Gjithashtu edhe ai vet shpejtonte të falej.”

Nuk dimë ndonjë adhurim që Allahu e largon me të dënimin,  sikurse namazi. Faljes gjatë eklipsit i shtohet pak në ruku, sexhde dhe përulje e plotë.

Umu Kulthum (Bint Ukbe) ishte prej emigrueseve të para. Njëherë burri i saj Abdurrahman bin Aufi u alivanos dhe njerëzit menduan se ka vdekur. Umu Kulthumi me këtë rast doli në xhami të ndihmohej me atë që është urdhëruar prej namazit dhe durimit.

Kanë përmendur se Ibn Abasi është ngushëlluar për vëllain e tij Kuthmin, derisa ishte në udhëtim, e ai tha: “Inna lil-lahi ue inna ilejhi raxhiun” (Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi) Pastaj, u largua pak nga rruga, i fali dy rekate dhe në to e zgjati pak më tepër uljen. Pastaj u ngrit dhe shkoi tek deveja e tij duke thënë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).” (Bekare, 45)

Ibn Kajimi thotë: “Përsa i përket namazit dhe ndikimit që ai e ka në zemër duke e gëzuar, përforcuar, hapur, të ndjejë kënaqësi, vërtet ka ndikim të madh. Në namaz lidhet zemra dhe shpirti me Allahun, i afrohet Atij, i përkujton begatitë e tij, i gëzohet bisedës me të dhe qëndrimit para Tij. Në namaz shfrytëzon tërë trupin, forcën dhe gjymtyrët e tij në adhurimin ndaj Allahut duke mos e kursyer asnjë gjymtyrë prej kësaj dhe kështu largon varësinë ndaj krijesave, ndenjën  apo diskutimin me ta. Në namaz mbledh forcën e zemrës dhe trupit të tij drejt Zotit apo Krijuesit. Qetësia që e përjeton nga armiku i tij gjatë namazit bëhet nga ilaçet, argëtimet dhe ushqimet të cilat nuk i përshtaten vetëm se zemrave të shëndosha.”

Namazi është ndihmëtari më i mirë për t’i arritur të mirat e kësaj bote apo tjetrës, dhe shmangien e të ligave të kësaj bote dhe tjetrës. Namazi të largon prej mëkatit, largon sëmundjet e zemrës, të trupit, ndriçon zemrën, e bardhëson fytyrën, aktivizon gjymtyrët dhe shpirtin, sjell rrizkun, shmang zullumin, i ndihmon të dëmtuarit, i largon epshet e ndryshme dhe është i dobishëm për shumë nga sëmundjet e barkut.

Në përgjithësi ajo ndikon në ruajtjen e shëndetit të trupit, zemrës dhe përqëndrimin e tyre, si dhe largon lëndët e këqija nga këto dyja. E nuk janë sprovuar dy njerëz me sprova, sëmundje, të meta apo sfida e që të mos jetë ai që falet prej tyre më së paku që goditet prej tyre dhe përfundimi për të është më i mirë.

Namazi ka ndikim të veçantë në largimin e të këqijave të kësaj bote, sidomos kur kryhet dhe plotësohet ashtu siç duhet. Nuk janë larguar të ligat e kësaj bote dhe të tjetrës e as nuk janë sjellë të mirat e saj me diçka tjetër si me namazin.

E fshehtësia e kësaj është se namazi është lidhje mes robit dhe Zotit të tij. Dhe sa më e theksuar të jetë kjo lidhje, aq më tepër do t’i hapen atij dyert e begative dhe do t’ju shmanget shkaqeve që sjellin të ligat, do të rrjedhin sukseset prej anës së Zotit të tij, shëndeti dhe mirëqenia, qetësia dhe begatia, gëzimet e argëtimet; të gjitha këto do t’i vihen në dizpozicion dhe do të shpejtojnë drejt tij.

E lus Allahun të na furnizojë me sinqeritet në fjalë dhe vepër dhe paqja e shpëtimi qofshin për Pejgamberin, familjen dhe shokët e tij.

 

Përktheu: Driton Lekaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit