2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Mos e ler pa e lexuar këtë shkrim

Më të lexuarat

Atij që nuk i bëjnë sytë dobi, as veshët nuk i bëjnë dobi.

Ndërmjet Allahut dhe njeriut ka një perde dhe po ashtu edhe ndërmjet njeriut dhe njerëzve të tjerë ka një tjetër perde. Ai që gris perden që ka ndërmjet tij dhe Zotit, edhe Zoti do t’i grisë atij perden që ka ndërmjet tij dhe njerëzve.

Njeriu ka një Zot të Cilin do ta takojë dhe një shtëpi në të cilën do të banojë, ndaj duhet që ai të kënaqë Zotin e tij para se ta takojë dhe të ndërtojë shtëpinë e tij para se të banojë.

Humbja e kohës është më e shtrenjtë sesa vdekja, sepse humbja e kohës të largon nga Allahu dhe bota tjetër, e ndërsa vdekja të largon nga kjo botë dhe njerëzit e saj.

Dynjaja, që nga fillimi e deri në fund të saj nuk kushton as edhe një orë siklet; e si i bëhet halli një sikleti të përjetshëm?!

Diçka e dashur sot nesër bëhet e urryer dhe diçka e papëlqyer sot nesër bëhet e dashur.

Fitimi më i madh në këtë botë është ta preokuposh veten në çdo kohë me atë çka është më parësore dhe më e dobishme për ty në botën tjetër.

Si mund të jetë i mençur një njeri i cili e ka shitur Xhenetin dhe çfarë ka në të për një orë të vetme kënaqësie të kësaj bote?!

Ai i cili e njeh mirë Zotin largohet prej kësaj bote i pangopur nga dy gjëra: nga e qara për shpirtin e tij dhe nga lavdërimi për Zotin.

Kur ke frikë një krijesë, jeta me të të bëhet e padurueshme derisa të ndahesh, ndërsa kur ke frikë Zotin, prania e Tij të qetëson dhe afrimi me të bëhet i dashur.

Nëse dija do të kishte dobi pa punën, atëherë Allahu nuk do t’i kishte qortuar rabinët, dhe nëse do kishte dobi puna pa sinqeritet, atëherë Allahu nuk kishte për t’i qortuar hipokritët (munafikët).

Largoje atë të keqe që të vjen nëpër mend; nëse nuk e bën, ajo do të kthehet në një mendim, atëherë largoje atë mendim; nëse nuk e bën, atëherë ajo do të bëhet një dëshirë, atëherë luftoje atë; nëse nuk e bën, atëherë ajo do të shndërrohet në një qëllim dhe pasion, e nëse nuk e largon, atëherë ajo do të kthehet në një veprim; nëse nuk i kundërvihesh shpejt me një veprim të kundërt, atëherë ajo do të bëhet një zakon, e atëherë do ta kesh të vështirë të largohesh prej saj.

Devotshmëria është në tre nivele: E para, është zelli i zemrës dhe i gjymtyrëve për t’u larguar nga gjynahet dhe ndalesat. E dyta, është zelli i zemrës dhe i gjymtyrëve për t’u larguar nga të papëlqyeshmet. E treta, është zelli i zemrës dhe i gjymtyrëve për t’u larguar nga gjërat e tepërta dhe ato që nuk i interesojnë. E para i jep njeriut jetë, e dyta i jep forcë dhe shëndet, ndërsa e treta i jep kënaqësi, lumturi dhe gëzim.

Kur t’vërtetën mbron der n’thellësi,

pak t’bëhen krah.

Shum’njerëz s’i kuptojn’gjërat nji m’nji

Ndaj dhe gjithher’gjykojn’në t’njëjtin kah.

Me nimen e Zotit kuptoj e me të punoj.

As vetja e as miqt’s’mvin’ n’krah.

Kur mërzia m’kap e shpresa m’shkon,

Nji fllad i beft’ nga i njëjti drejtim shpresën ma dhuron.

Atë që Allahu e ka krijuar për ta future në Xhenet, shpërblimi do t’i vijë vazhdimisht nga situatat e vështira. E ndërsa atë që Ai e ka krijuar për në zjarr, gjynahet vazhdimisht do t’i vijnë si pasojë e dëshirave.

Kur Ademi alejhi selam kërkoi përjetësinë në Xhenet nëpërmjet pemës, ai u dënua me daljen prej tij, ndërsa kur Jusufi kërkoi të dilte nga burgu nëpërmjet atij që i interpretoi ëndrrën, qëndroi në të edhe për disa vite të tjera.

Kur mbi një njeri bie caktimi i Zotit, i papëlqyeshëm për të, atëherë para tij shfaqen gjashtë skena: E para, skena e monoteizmit, sepse Allahu është Ai që e përcaktoi dhe në bazë të vullnetit të Tij u krye – Ai e bëri që të ndodhë. Gjithmonë ndodh vetëm ajo që do Ai, dhe kurrë e anasjellta. E dyta, skena e drejtësisë, sepse në të kryhet vendimi i Tij dhe shfaqet drejtësia e gjykimit të Tij. E treta, skena e mëshirës. Në këtë përcaktim të Allahut, ndonëse i hidhur, mëshira ka qënë mbi zemërimin dhe hakmarrjen, mëshirë që ndodhet në brendësi të ndodhisë, jo e dukshme. E katërta, skena e urtësisë. Allahu e vendosi të ndodhë kjo gjë në bazë të urtësisë së Tij dhe jo ashtu kot, pa asnjë qëllim dhe përfitim. E pesta, skena e lavdërimit. Ngaqë Allahut i përket lavdërimi dhe falenderimi për çdo gjë. E gjashta, skena e robërisë. Kjo sepse njeriu është tërësisht një skallav i Allahut, mbi të zbatohen vendimet e Zotit të Tij, sepse ai është pronë dhe skllav i Tij dhe Ai vepron me të si të dojë.

Suksesi i pakët, mendimet jo të drejta, mosdalja në pah e së vërtetës, prishja e zemrës, përtacia në përmendjen e Allahut, humbja e kohës, pakënaqësia e njerëzve, largësia që krijohet ndërmjet njeriut dhe Zotit, mosrealizimi i lutjeve, ashpërsia e zemrave, mospasja mbarësi në jetë dhe pasuri, privimi nga dija, poshtërimi, shtypja nga ana e armikut, ngushtimi i karaharorit, sprovimi me shokë të këqij që të prishin zemrën e të marrin kohën, streset dhe ankthet e gjata, jeta e padurueshme, shqetësimet shpirtërore…; që të gjitha vijnë si rezultat i gjynaheve dhe pavëmendja në përkujtimin e Zotit, ato mbijnë nga toka ashtu siç dalin kërpudhat pas shiut, ashtu siç vjen shkrumbi mbas zjarrit; e të kundërtat e të gjitha këtyre, vijnë nga devotshmëria dhe bindja ndaj Zotit.

Marrë nga libri “El Feuaid” i Ibn Kajim el Xheuzije.

Perktheu: Shuajb Rexha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit