2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Nga arkivi: Shamia sërish problem

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

DIKUSH ME SHAMI MBULON VETËM KOKËN KURSE DIKUSH E KA TË MBULUAR TRURIN EDHE PSE NUK BART SHAMI!

SHAMIA ËSHTË IDENTITET NDËRKOMBËTAR, AJO NUK NJË KUFI AS NACIONALITET!

KU I KA PREMTIMET QEVERIA?

Edhe ky vit shkollor, 2014/2015, filloi si çdo tjetër pa ndonjë ndryshim të madh. Kur kemi të bëjmë me përparimin dhe progresin pothuajse asgjë nuk ka lëvizur për mos me thënë se disa gjëra kanë ecur mbrapsht.

Problemet e grumbulluara prej vitesh vazhdojnë të jenë po ato, madje siç duket këtë vit kemi probleme edhe më të mëdha. Varfëria e skamja janë shtuar, kriza politike është thelluar, problemet sociale janë rritur. Pothuajse asgjë pozitive nuk dëgjon në vendin tonë përveç ofshamave dhe mallkimeve në çdo cep e rrugë. Në skenë ka dal edhe një element i cili nuk ka qenë më herët, apo pa ka qenë por me intensitet më të vogël, fjala është për luftën e hapur kundër Islamit dhe muslimanëve. Luftë kjo speciale e ushqyer dhe fryrë nga disa neo-komunistë e laikë fanatikë të cilët assesi nuk mund ta pranojnë se në demokraci feja duhet të zhvillohet krahas ideologjive tjera dhe të ketë rolin e saj të plotë të veprimit proaktiv në shoqëri.

Ata që dikur ishin mësuar me parullën ‘druze Tito miti se kunemo’ nuk po mund të lirohen akoma nga të konsideruarit e religjionit si fenomen shoqëror që duhet margjinalizuar, pikërisht ashtu siç na e mësonin vet dikur në marksizëm-leninizëm. Andaj qe sa kohë Kosova është bllokuar në të gjitha aspektet për shkak të ngërçit politik, kurse nuk flitet për asgjë tjetër përveç ‘radikalizmit’ e ‘ekstremizmit’ sikur të ishim ne vatër e konfliktit e jo Lindja e Mesme.

Jam i vetëdijshëm se ky problem tashmë po i preokupon shumë nga vendet e Evropës, por natyrisht ky nuk është problemi kyç siç po mundohen ta bëjnë neo-komunistët tek ne. Ndaj për të larguar vëmendjen nga problemet reale, qeveritë tona njëra pas tjetrës e kanë ngre këtë problem në agjendë dhe kanë lënë anash të gjitha problemet tjera reale me të cilat ballafaqohet vendi. Vërtet ndjehem shumë mirë kur po shoh se masa e gjerë i kuptuar shumë mirë këto ‘lojëra’ dhe tentativa politike të cilat janë tejet tendencioze.

Nuk ka asnjë vend në botë që nuk ka hair dhe sherr, njerëz të mirë dhe të këqij, ndaj Kosova nuk mund të jetë ndryshe nga tërë bota. Se nuk ka rrezik nga ‘ekstremizmi islamik’ në vendin tonë kjo tashmë është shumë e qartë për secilin qytetar të Kosovës, madje këtë fakt të mirënjohur e ka pranuar dhe vërtetuar edhe njeriu më përgjegjës për sigurinë e Kosovës, komandanti i KFOR-it, i cili pak para se të largohej u shpreh qartazi se Kosova nuk rrezikohet nga terrorizmi. Dhe imagjino tash kujt po i shesim mend ne, ‘tute arushën me shohë’ i thotë populli kësaj pune. Si do që të jetë shpresoj dhe lutem që kjo situatë të kalojë, e njerëzit, në veçanti pushtetarët tanë të ndihmuar nga organet e drejtësisë të merren me problemet tjera të shumta të cilat paraqesin rrezik serioz për vendin tonë.

Nga ana tjetër, muajin shtator, respektivisht fillimin e këtij viti shumë nxënës dhe familjarë e kanë pritur me shumë qejf, jo vetëm se po fillon viti i ri shkollor dhe nxënësit do i mësyjnë serish bankat shkollore për të zënë dituri të reja, por për faktin se zyrtarë qeveritarë bile edhe vet kryeministri patën premtuar se ky shtator do të jetë më ndryshe. Gjatë gjithë fushatës ata tërthorazi i sinjalizonin një pjese të madhe të rinisë se problemet që i kanë pasur nuk do t’i kenë më, respektivisht vajzat e mbuluara nuk do të përballen më me udhëzimin ndalues të shamive të tyre. Së këndejmi çështja e shamisë do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë.

Kjo dukej akoma më serioze duke pasur në konsideratë faktin se edhe vet ministri i arsimit i patë kërkuar sqarim BIK-ut rreth asaj se shamia a është simbol apo obligim fetar. Për më tepër, udhëzimi famëkeq administrativ që mbulesën e kokës e vë në një nivel më mosdisiplinën, dhunën, përdorimin e armeve të ftohta në shkollë, ishte shfuqizuar pak para fushatës elektorale. Megjithatë, sikur shumë vendime e udhëzime tjera kur janë në pyetje muslimanët marrëveshjet mbeten ngjyrë në letër.

E kjo si duket u dha hapësirë hienave të vjetra që serish me avazin e mykur të vërsulen në medie e portale se ne nuk duam shami turke e arabe. A thua vallë qindra miliona indoneziane, malajziane, indiane, angleze, gjermane, franceze e amerikane çfarë kanë lidhje me Turqinë dhe Arabinë. Sa për të qeshur është me trurin e disave që e kanë të mbuluar dhe nuk mendojnë më të, ani pse nuk bartin shami. Shamia mbulon vetëm kokën nga jashtë por jo edhe trurin nga brenda. Shamia është obligim dhe princip fetar që nuk pranon kompromis. Ajo është identitet ndërkombëtar, përtej-nacional dhe përtej-kontinental. Andaj nuk ka shami arabe e turke, por shami islame, sepse as turket e as arabet nuk bartin shami për shkak të kombit apo nacionalizmit por për shkak të bindjeve fetare. Ekzistojnë miliona arabe që nuk bartin shami sikur që ekzistojnë miliona turke pa shami, por në anën tjetër ekzistojnë miliona femra tjera në Evropë, Amerikë e gjetiu që bartin shami.

Islami është fe e Zotit kush do e pranon dhe praktikon, e kush nuk do nuk e praktikon, por ama le të civilizohemi njëherë në jetën tonë e të mos spekulojmë e shpifim se shamitë e vajzave tona janë arabe dhe turke, e jo shqiptare. Shamia është shami, ajo është mbulimi i kokës dhe qafës të cilën e kanë bartur me krenari gjyshet dhe nënat tona brez pas brezi, dhe këtë po e bëjnë vajzat tona sot, asgjë më shumë. Askush nuk po thërret për të kundërshtuar dhe luftuar traditat tona, përkundrazi muslimanët janë mu ata që po insistojnë të ruajnë traditën tonë shekullore. Por duhet të jemi të qartë se shamia, çfarëdo ngjyre apo forme qoftë, në veçanti dhe Islami në përgjithësi, po iu pengon disave në këtë vend. Edhe lakuriqësia dhe imoraliteti nuk kanë qenë traditë e ilirëve, as shqiptarëve të asnjë periudhe e aq më pak e të parëve tanë, por askush nuk e ngreh kokën e të flasë kundër lakuriqësisë, sepse të korruptuarve ua ka qejfi t’i shohin vajzat gjysmë lakuriqe e t’i ushqejnë sytë e tyre, qoftë edhe në pleqëri. Veshja e sotme më së paku përkon me kulturën dhe traditën tonë kombëtare, qoftë edhe gjatë periudhës pagane parahistorike.

Sido që të jetë vajzat ia mësynë shkollave, por u penguan nga ‘drejtorë’ të shumë shkollave, si në kohën e drejtorëve të dhunshëm, me çka rezultoi që ato ta humbin vitin. D.m.th. të mbesin pa dije, sepse thjesht qeveritarët nuk e mbajtën premtimin e dhënë. Qeveria nuk u interesua për to, pra kjo është dhurata dhe kontributi i radhës së këtij pushteti që ‘aq shumë të mira’ na solli tash e sa mandate me radhë.

Zoti e drejtoftë këtë pushtet, në veçanti të parët tanë, e na i sjelltë në pushtet ata që mendojnë dhe punojnë më shumë dhe më mirë për popullin. Amin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit