Ibën Abbasi thotë: I Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Çdo fe ka moralin e vet, kurse morali i Islamit është turpi”.
Fjalët e Pejgamberit: “Morali i Islamit është turpi” nënkupton se natyra e kësaj feje, dhe sistemi mbi të cilin është ngritur ajo, është turpi, ngase Islami është fe më e ndershme, me moral më të ndershëm, sepse realiteti i Islamit është morali i mirë.
I Dërguari i Allahut ka thënë:
“Besimtar me besim (iman) më të plotë është ai që ka moral më të mirë”.
Turpi nënkupton braktisjen e të këqijave dhe të shëmtuarave, dhe të punuarit e të mirave. Ky është morali i besimit dhe Islamit. Lidhur me këtë Pejgamberi ka thënë: “Tërë turpi është i mirë”.
Qëllimi i kësaj (Allahu e di më së miri!) është të kihet turp në atë që është e ligjshme, ndërsa turpi i cili çon në lënien e të mësuarit të dijes nuk është i ligjshëm.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Gra të shkëlqyeshme janë gratë ensare, ato nuk i pengon turpi që të mësohen në fe (besim)”.
Transmetohet nga Ummu Sulejm bint Milhan, se ka shkuar tek i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Allahu nuk turpërohet nga e vërteta.A duhet të marrë gusël gruaja, nëse përjeton kënaqësi seksuale në ëndërr? Ai iu përgjigj: “Po, nëse ajo sheh lëngun”.
Hasen el-Basrij ka thënë: “Nuk arrin të mësojë ai që turpërohet e as mendjemadhi”.
Në anën tjetër, ligji islam nuk e ligjëson turpin që pengon nga urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, nga kryerja e dëshmisë së drejtë…
Prandaj, çdo fe ka karakter, ndërsa karakteri dominues në fenë tonë është turpi, sepse ai është plotësues i të gjitha moraleve. /krenaria.com/