2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hoxhaj: Bisedimet me Serbinë na ndihmuan në procesin e njohjeve

Më të lexuarat

Dialogu në nivelin e kryeministrave me Serbinë ka reflektuar pozitivisht në procesin e njohjeve të Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ai thotë se po afron edhe koha kur Kosova do të mendojë për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara. Në këtë intervistë, Hoxhaj flet edhe për udhëtimet e tij pa paralajmërim nëpër shtete të ndryshme, për shkak të fushatës kundër-lobuese që po zhvillon diplomacia serbe kundër njohjeve të shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe ky vit nuk rrumbullakoi atë shifrën e kërkuar prej 100 njohjeve të shtetit të Kosovës. Ju si ministër i Jashtëm, sa jeni i kënaqur me procesin dhe njohjet e reja që i kanë arritur Kosovës gjatë vitit 2012?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që viti 2012 në procesin e njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës duhet të shihet dhe kuptohet si shumë i suksesshëm, meqë janë 13 shtete që e kanë njohur Kosovën dhe pothuajse çdo muaj kemi pasur nga një njohje.

Po ashtu, edhe gjeografia e njohjeve ka qenë globale. Unë kam qenë në fillim të këtij viti në Haiti, kur edhe Haiti e bëri zyrtar vendimin për njohje. Nga Amerika e mesme dhe Latine kanë ardhur edhe njohje tjera sikurse Dominika, pastaj Saint Kitts dhe Nevis. Po ashtu, në maj të këtij viti kam takuar edhe ministrin e Jashtëm të Çadit, i cili pas disa javësh mori vendimin ta njohë shtetin e Kosovës që do të thotë se kemi pasur njohje edhe nga Afrika. Kemi pas njohje edhe nga Oqeania. Kam vizituar Fixhin dhe ky vend tashmë e ka njohur Kosovën.

Kam realizuar vizitë në Timorin Lindor, i cili po ashtu e ka njohur Kosovën, duke e përfshirë edhe Papa Guinenë e Re. Do të thotë njohjet që kanë ardhur nga Oqeania ishin një kthesë. Mirëpo, pa dyshim që ndër njohjet më të rëndësishme në këto dy vitet e fundit është ajo e Pakistanit, për nga pesha që ky vend ka edhe në kuadër të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, por edhe për nga pesha që ka në Azi, meqë është një fuqi e rëndësishme rajonale edhe në rrafshin politik, ekonomik e ushtarak.

Do të thotë, 2012-ta ka qenë një vit i suksesshëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe është parë që askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë dhe se Kosova do të njihet në kontinuitet nga shtetet e tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse iu referohemi, sidomos deklaratave të përfaqësuesve të opozitës në Prishtinë, thuhet se procesin e njohjeve e ka ngadalësuar dialogu me Serbinë. Shihni ju një pengesë të tillë nga dialogu si ministër i Jashtëm?

ENVER HOXHAJ
Në fillim të dialogut teknik të vitit të kaluar ka pasur një përpjekje të ish-ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, që ta keqinterpretojë dialogun. Por, mund të them që nga fillimi i dialogut në nivel politik ndërmjet dy kryeministrave, përkundrazi dialogu e ka ndihmuar shumë krijimin e një botëkuptimi të ri sa u përket relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Jo vetëm brenda përbrenda vendeve që e kanë njohur Kosovën, pjesës së vendeve perëndimore të botës, por edhe në Amerikë Latine, në Afrikë, në Azi, në atë moment kur unë dhe kolegët e tjerë kemi prezantuar detajshëm arritjen e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, me të cilën Serbia ‘de facto’ dhe ‘de jure’ e ka njohur kufirin e Kosovës dhe ka pranuar realitetin e një shteti të pavarur.

Dhe, që të dy kryeministrat janë takuar në nivel kryeministrash disa herë dhe kanë biseduar për çështje të përmirësimit të relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky dialog është shndërruar në argument të fuqishëm të Kosovës që Serbia po e pranon realitetin e Kosovës së pavarur.

Do të thotë, dialogu, realisht, është në favor të rritjes së numrit të njohjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, këtu në Prishtinë, keni një strategji për lobim dhe njohje të reja. Por, në anën tjetër, edhe Beogradi e ka një strategji me qëllim të kundërt. Andaj, sa ka arritur diplomacia serbe t’ju pengojë në rrugën tuaj për të siguruar më shumë njohje?

ENVER HOXHAJ
Gjatë këtij viti ne kemi pasur një plan të saktë javor, mujor dhe vjetor se cilat vende duhet t’i vizitoj unë, zoti Pacolli, presidentja apo kryeministri e zyrtarë të tjerë. Mund të them që gjatë këtij viti unë kam vizituar disa vende, të cilat nuk janë bërë publike. Arsyeja ka qenë që më me rëndësi është që të ketë një njohje dhe një vendim pozitiv për Kosovën, sesa një lajm të mirë për ministrin dhe ministrinë që ai drejton.

Mund të them që edhe vizita ime në Tajlandë e ka pasur qëllimin që të mos bëhet publike, ndërkohë që mediat kanë marrë vesh dhe unë më pas pata bërë një komunikatë.

Po ashtu, kam vizituar edhe vende tjera me peshë rajonale – botërore me të vetmin qëllim që diplomacia serbe të mos e kuptojë se në cilat pjesë të botës lëvizi dhe me cilët persona takohem dhe se si të jemi sa më efikas në arritjen e qëllimeve tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse i kthehemi sërish çështjes së dialogut me Serbinë. A shihni më shumë favore apo pengesa edhe në lidhje me pozicionin e Kosovës në Bruksel dhe mosnjohjes së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së?

ENVER HOXHAJ
Dialogu e ka fuqizuar pozitën e Kosovës në Bruksel, e të njëjtën kohë e ka fuqizuar edhe pozitën tonë karshi pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Gjatë vitit të kaluar disa prej këtyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë pasur një qasje rigide, shumë të ngurtë karshi Kosovës, përderisa falë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, këto vende kanë qenë të detyruara ta ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe të tregohen më fleksibile dhe ta mbështesin procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Dialogu në këtë fazë ka qëllimin e krijimit të një baze të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve do të ndodhë atëherë kur të dyja do ta njohin njëra-tjetrën.

Por, për ne, si Ministri e Jashtme, pjesa më e rëndësishme e dialogut nuk është vetëm normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë sa është shfrytëzimi i dialogut si instrument që këto pesë vende të BE-së të binden dhe ta njohin Kosovën. Pastaj se si të shfrytëzohet dialogu që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Po sa mund të ndikojë ky dialog dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje eventuale me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve, që Kosova ta ketë më pas edhe ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara?

ENVER HOXHAJ
Synimi ynë madhor është që Kosova të anëtarësohet në OKB. Unë si ministër i Jashtëm, por edhe si ish-akademik, në mënyrë intensive mendoj rreth asaj se cila do të jetë strategjia dhe qasja dhe cila do të duhej të jetë koha kur Kosova duhet të aplikojë për anëtarësim në OKB.

Një vendim i tillë do të merret në atë moment kur ne mendojmë që Kosova ka numër të bollshëm të njohjeve dhe pas konsultave të nevojshme me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë dhe evropianë, synimi ynë është që ne të jemi një vend anëtar me të drejta të plota sikurse çdo shtet tjetër anëtar i OKB-së.

Se a do të merret një vendim i tillë në vitin 2013 apo jo ende është pak herët, por mund të them që në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka disa analiza që synojnë të japin një përgjigje edhe në një pyetje të tillë./RADIO EVROPA E LIRË

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit