Unë jam ithtar shumëvjeçar i bashkëpunimit amerikano-turk në bazë të vlerave të përbashkëta demokratike që kemi, tha McCain
NEW YORK (AA) – Senatori republikan amerikan, John McCain, deklaroi se administrata e presidentit Donald Trump, patjetër të rivitalizojë marrëdhëniet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë qëndrimit të tij në Turqi të dielën, senatori McCain është takuar me zyrtarët më të lartë të shtetit turk, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan.
“Kisha një takim mjaft të ngrohtë dhe konstruktiv me presidentin Erdoğan. Unë jam ithtar shumëvjeçar i bashkëpunimit amerikano-turk në bazë të vlerave të përbashkëta demokratike që kemi. Mendoj se ky partneritet është më i rëndësishëm se kurrë, pasi jemi dëshmitarë të trazirave në Lindjen e Afërt dhe në lindje të Evropës”, tha McCain në një deklaratë të dielën vonë.
Ai shprehu bindjen se presidenti amerikan Trump do të njohë rëndësinë për rivitalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Turqinë.
“Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me Turqinë në mënyrë që të arrijmë fitore të shpejtë dhe të qëndrueshme mbi terroristët e DEASH-it dhe të vendosim një ekuilibër të pushtetit dhe stabilitetit në rajon”, tha McCain.
Ai tha më tej se SHBA-të do të duhet të shqyrtojnë propozimin e presidentit Erdoğan për themelimin e zonave të sigurisë në Siri dhe çlirimin e qytetit Rakka, ndërkohë që nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi Washington – Ankara lidhur me këto çështje në mënyrë që situata në Siri të arrijë të normalizohet.
Ankaraja zyrtare është një kritikuese e fortë e politikës amerikane për Sirinë, sidomos asaj të cilën e kultivonte administrata e ish presidentit Barack Obama, ndërkohë që vërejtjet më të mëdha kishin të bëjnë me veshin e shurdhër të kësaj administrate për zonat e sigurisë si dhe për përkrahjen që SHBA-të ia kanë ofruar grupit PYD/YPG, që është dega siriane e organizatës terroriste PKK.
Politikani i njohur amerikan John McCain është një veteran i luftës dhe hero i marinës amerikane nga koha e luftës së Vietnamit.
Që nga viti 1987 ai është senator nga Arizona, ndërsa ka qenë kandidat për president i nominuar nga Partia Republikane, por u mund në zgjedhjet e vitit 2008 nga rivali demokrat Barak Obama.
