-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

ENIGMA, MISTERI DHE AJA SOFIA – Fatmir Baçi

Më të lexuarat

Nga:

Fatmir Baci

Hapja e Aja Sofias nuk është vetëm një hapësirë e bukur, është gjithashtu shumë interesante dhe gudulisëse njëkohësisht, sepse në këtë hapësirë imagjinata çliret plotësisht nga frerët, mendja nis galopin e saj nëpër të gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e hamëndjeve, të cilat rëndojnë me sa munden në të dy anët e peshores. Me fjalë të tjera, hapja e Aja Sofias është gjithashtu një ngjarje që solli në vëmendje edhe një mori mendimesh sa të çuditshme si mistikë, po aq edhe enigmatike si trajtim racional, të shprehura në opinione të ndryshme nga pikëpamje të ekstremizuara, polemika gjithsesi të cekta dhe kontraverse, shoqëruar me gjykime të përcipta dhe përfundime akoma më kontraverse.Është sigurisht një ngjarje e madhe, ngjarje që në historinë e njerëzimit ndodhin rrallë dhe akoma më të rrallë janë brezat që kanë patur fatin të përjetojnë një lëvizje kaq të thuktë, të lidhur deri në intimitet me mistikën e njeriut, po aq sa është mistikë intimiduese edhe për gjithë njerëzimin.

Në ceremoninë e kësaj hapjeje (akoma më e rëndësishme të thuhet rihapje), përbri madhështisë së saj shumëkujt iu dha një mundësi mjaft e mirë që përfundimisht të përjetonte vegimin në të cilin njeriu pushon së qeni minoren, siç me fare pak kujdes do mundej edhe të nxirrte në pah veten duke i mëshuar fort një qëndrimi çfarëdo dhe kësisoj, në mënyrë tërësisht të thjeshtë, të konfirmonte rritjen, apo dukjen e rritjes. Kështu pra, diçka që është shumë e madhe, e cila ndërkohë ka ndodhur, ngjarje e cila merr papritmas vëmendjen e kulturizmit të disa shkruesve që çuditërisht vendosen në favor e në mbrojtje të tolerancës së përgjithshme botërore, ndërkohë që edhe deklarohen nën siglën e këtij termi (term i cili është gjerësisht dhe pa kriter në përdorim), në një mënyrë krejtësisht të verbër, apo në mënyrë deri diku naive.

Mendoj se duhet theksuar se shkruesit në fjalë, paraprakisht janë angazhuar duke mos e ditur kuptimin e termit “tolerancë”, ose janë prononcuar pa e marrë parasysh kuptimin e vërtetë të termit. Ekziston një pengesë e rëndësishme në lidhje me konceptin e “tolerancës”, veçanërisht kur bëhet fjalë për interpretime lokale dhe sidomos për interesa të ngushta, qoftë për nga mënyra se si përvetësohet nga një vetëdije e veçantë, qoftë edhe vetëm se si duhet të zbatohet në përputhje me pozicionin nga i cili vlerësohet. Pse është e rëndësishme kjo? Është e rëndësishme, sepse në lidhje me konceptin në fjalë, njerëzit zakonisht ngatërrojnë enigmën me misterin dhe kësisoj, ndodh mjaft shpesh që për enigmat empirike kërkohen dhe pranohen zgjidhje përmes definicioneve mistike, ndërsa për mistikën e problemeve shpirtërore mundohen të gjejnë dhe pranojnë zgjidhe përmes ekuacioneve empirike. Duhet pranuar që në krye se veprime dhe metoda të tilla, sjellin rezultate dyfish të padëshiruara, e rrjedhimisht, dyfish të pasuksesshme. Pikërisht nga këto hapësira gjysmë të errëta kërkohet të jepen edhe shpjegime gjysmë të errëta, kinse bazuar mbi konceptin e “tolerancës”, koncept i cili në përdorimin e gjerësishëm është pranuar pa u thelluar, krejt naivisht.

Shpjegimi i termit “tolerancë” ka një rëndësi të posaçme ekzistenciale, si për njerëzit e thjeshtë, po ashtu edhe për kombet e vogla, e rrjedhimisht edhe për komunitetet e vogla. Shpjegimi i termit “tolerancë” është i rëndësishëm pikërisht sepse toleranca është natyrë ekskluzivisht hierarkike, si e tillë është e mundur si fenomen vetëm nga shtresa më e lartë e shoqërisë drejt atyre më të ulta, nga më i forti drejt më të dobëtit, ndërsa e kundërta është plotësisht iracionale, ose bëhet thjesht qesharake. Koncepti “tolerancë” në përkthim do të thotë “të durosh”, të “mbash mbi vete barrën që të krijon tjetri”, si dhe “t’ia lehtësosh barrën e tjetrit, duke e mbajtur mbi vete”, duke u lartësuar duke lartësuar, duke ngritur jo vetëm veten, por edhe tjetrin (forma veprore dhe pësore e foljes në latinisht i shpreh të dy këto ngjyresa kuptimore), qoftë edhe nga një pikëpamje pastërtisht etike, dhe, si e tillë, mund të zbatohet vetëm njëkahshëm, ndërkohë që nuk pranon përfundime dhe përkufizime që janë të natyrës sensuale, siç janë; “liria për të gjithë”, “barazia për të gjithë”, ose “vëllazëria për të gjithë”, slogane përmes të cilave janë peshkuar zakonisht mendjet e cekta, siç edhe është robëruar vetëdija e bashkësive dhe individëve.

Jo, nuk është çështje e të gjithëve, termi “tolerancë” është një ndarje e mprehtë ku nënkuptohet edhe se zbatimi i tij është i rreptë, i një natyre kategorike, që do të thotë se vetëm një rang më i lartë është ai që mund ta verë në zbatim, gjithmonë në raport me atë të një rangu më të ulët, kurrsesi e anasjellta. Vetëm sa për ta ilustruar, një sundimtar i fuqishëm mund të jetë tolerant ndaj një qytetari të zakonshëm jo vetëm pse në praktikë kjo ndodh në mënyrë krejtësisht të natyrshme, por edhe për faktin se ai është në gjendje të konfirmojë diçka të tillë me argumenta racionalë se gjithë veprimet e tij janë produkt i tolerancës. Por kur bëhet fjalë për një qytetar të thjeshtë, ai nuk mund të jetë tolerant ndaj sundimtarit të vet, sepse kësisoj humb jo vetëm kuptimi elementar mbi ngjarjet dhe sendet, por pretendimi i tij se ai është, apo që mund të jetë “tolerant” ndaj sundimtarit të vet, kthehet automatikisht në konstatimin e një gjendje të mirfilltë qyqarije. Ndërkohë që ekzaltimi i ndjenjave në nivele të ngjashme me ato të tifozëve pasionantë, në lidhje me hapjen e Aja Sofias, përbëjnë vetëm fragmente interesash fluide apo shpirtërore të një pozicionimi në raport me një pozicionim tjetër, të grupuara në “pro” ose “kundër”, të cilat përmes këtyre formave të vlersimit nuk na ndihmojnë të përvijojmë një pamje të qartë. Trajtimet e nivelit të ngjashme me atë të diskutimeve nëpër lagjet tona, nuk sjellin një vlerësim me peshën e nevojshme për ndryshime adekuate, por gjithsesi ndihmojnë lexuesit dhe bashkëbiseduesit të vlerësojnë tek ne apo tek ata, dinjitetin ose qyqarinë.

Një hipokrit gjithsesi mund të jetë brenda xhamisë dhe si të gjithë i rreshtuar në safin e faljes, por kur është aty ai nuk mund të bëjë as atë që i pëlqen, e as atë që dëshiron. Ndërsa kur nuk është në ambjentet e xhamisë, e as i rreshtuar në saf, ne lirisht mund të dëshmojmë për të se ai nuk është hipokrit, që sigurisht, diçka e tillë nuk na jep të drejtën të dëshmojmë se nuk është edhe qyqar.Rihapja e Aja Sofias është një ngjarje madhështore për njeriun dhe njerëzimin, sepse ka lëvizur nga enigmatika e konceptit historicist të muzeut (muzeu është një mori objektesh që kanë humbur indin e nevojshëm për funksionet e së ardhmes), për në mistikën e dinamikës së përditshme të lidhur ngushtësisht me të ardhmen; ka lëvizur nga heshtja e ftohtë që ndërthurej me mijëra fije dyshimi dhe pasigurie, për në një dinamikë të ndriçuar nga një vizion i qartë, me ëndrra të qashtra, me manifestim shpirtëror dhe shpresë dinjitare për të ardhmen, sa të afërt, po aq edhe të largët. Aja Sofia është nxjerrë nga një enigmë e pashpirt dhe mjaft e sertë, në një mistikë të gjallë çliruese, nga vëzhgimi i cekët turistik jashtë vetvetes, në vëzhgim e thellësive të pamatshme në brendësi të njeriut.

Deri në çastin e rihapjes së Aja Sofias, njerëzit kanë vlerësuar disa mure sipas diagramës historike të fatit të tyre, herë si tërësisht mistike e të çuditshme dhe herë të tjera si tejet iracionale dhe enigmatike. Tani që manifestimi ka ndryshuar rrjedhën e vet, kemi arritur në faktin se brenda ose jashtë këtyre mureve njeriu përjeton dhe vlerëson strukturën mistike të vetvetes.

Enigma dhe misteri janë disiplina që kanë ngjashmëri, por vetëm kur janë muret në fokus, ndërkohë që janë krejtësisht të ndryshme kur në fokus është njeriu.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit