-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Shqiptarët votojnë në Greqi, dy shqiptarë në Parlament

Më të lexuarat

ÇFARË ËSHTË MË MIRË SE NJË SHQIPTAR NË PARLAMENTIN GREK?

DY SHQIPTARË NË PARLAMENTIN GREK!

Vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Greqi, më 7 korrik.

Është më tepër se krenari që kemi dy emra shqiptarësh në listat zgjedhore, ashtu siç është më tepër se impenjim prej nesh mbështetja dhe ndihma ndaj tyre.

Jetoj në këtë vend rreth 22 vjet. Njoh çdo sakrificë, vetmohim, problem të komunitetit shqiptar këtu, që nga koha kur tregoheshin me gisht, deri në arritjen e njëmilionshit, e më pas në tkurrjen në afro pesqind mijë.

Di sakrificën e prindërve të mi që u shpërngulën për të ardhmen e fëmijëve të tyre, vetmohimin deri në përdhosje të dinjitetit duke u marrë me lloj-lloj pune të rëndomtë e me lodhje fizike, vështirësitë dhe pengesat për t’u integruar në një vend të huaj e shoqëri krejt të ndryshme nga ajo prej së cilës vinin, di përballjen e brezit të dytë e të tretë si dhe dyzimin, që nga pyetja “cili është atdheu im?”, e deri te pyetja më idiote e lindur në rrethana ekstreme “nëse bëhet luftë Shqipëri-Greqi, ti me kë do jesh?”.

Të gjitha këto pa u marrë për bazë faktori njeri, njeri i lirë, njeri i lirë që jeton në një vend demokratik.

Sot jemi vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe dy emra shqiptarësh përfshihen në listat zgjedhore të partisë më miqësore me emigrantët në përgjithësi dhe me shqiptarët në veçanti.

(Më lejoni të përmend dy emra, kolosë të politikës greke dhe të kësaj partie “PASOK”, që në krijimin e saj, Theodhoros Pangallos dhe Evangjelos Venizelos. Politikanë që gjithmonë me reagimet dhe qëndrimet e tyre kanë dalë haptazi në krah të emigrantëve shqiptarë dhe të Shqipërisë).

Fatos Malaj dhe Eda Gemi, dy emrat që janë lakuar si pak të tjerë muajt e fundit. Dy shqiptarë që morën mbi supe rrugën e gjatë e tepër të vështirë të përfaqësimit të emigrantëve të Greqisë në institucionin më të lartë ligjvënës siç është Parlamenti.

Fatos Malaj kandidon në zonën e mbipopulluar nga emigrantët, atë të A- Athinës dhe Eda Gemi në zonën perëndimore të Athinës, B2.

Ne i duam këta njerëz në Parlamentin grek, sepse:

-Njohin problemet e emigrantëve.

-Janë të aftë, të sigurt e kembëngulës në atë çka kanë synim (përfaqësimin e emigrantëve).

-Janë shqiptarë.

Ne e meritojmë që zëri ynë të dëgjohet sepse:

-Këtu e tridhjetë vjet ndërtojmë këtë vend.

-Këtu e tridhjetë vjet kemi rritur breza fëmijësh grekë.

-Këtu e tridhjetë vjet jemi pjesë e padiskutueshme e shoqërisë greke.

Opinion nga Brikena Qama

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit