Në kuadër të fushatës ndërkombëtar #WeAreTheLove (Ne jemi dashuria), e cila në të njëjtën kohë ka organizuar protestë simbolike në 18 qytete në solidaritet me qytetin sirian Idlib, në Shkup dhe Tiranë u lëshuan në qiell tullumbace për ndalimin e sulmeve ndaj civilëve të pafajshëm të këtij qyteti.
Aktivistë të shoqërisë civile dhe të rinj u tubuan në parkun “Gruaja luftëtare” përballë godinës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, nga ku dhe lëshuan në qiell 1 mijë tullumbace të bardha me mbishkrimin WeAreTheLove.
Koordinator i fushatës #WeAreTheLove për Shkupin, Muhammed Tahiri, në fjalën e tij tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që opinioni i gjerë të jetë i njoftuar me ngjarjet që ndodhin në Idlib.
“Këtu, sot para Parlamentit ne kemi për qëllim për të nxjerrë në pah mizoritë që kryhen në Idlib të Sirisë dhe kërkojmë të ndërmerren veprime për të ndaluar bombardimet e spitaleve, shkollave dhe civilëve të pafajshëm”, u shpreh Tahiri.
Po ashtu edhe në kryeqytetin e Shqipërisë aktivistët u tubuan në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, të cilët në mënyrë simbolike lëshuan në qiell tullumbace me mbishkrimin “WeAreTheLove” dhe mbanin pankarta me të njëjtin mbishkrim.
Organizatorët theksuan se qëllimi i është për të shprehur solidaritet me banorët e Idlibit dhe për të bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj civilëve të pafajshëm.
#WeAreTheLove është një fushatë jopolitike ndërkombëtare, e përbërë nga një rrjet njerëzish dhe projektesh që punojnë drejt krijimit të një mjedisi të paqes duke kultivuar lidhjet dhe duke ndërtuar terren të përbashkët për të rritur ndërgjegjësimin për masakrën që aktualisht po zhvillohet në Idlib të Sirisë.
Këtij mesazhi të paqes, dashurisë dhe shpresës për të ndërmarrë veprime kundër sulmeve ndaj civilëve të pafajshëm në Idlib, ndër qytetet që iu bashkuan është edhe Ankara, Tirana, Sarajeva, Berlini, Parisi, Londra, Dublini, Brukseli dhe qytete të tjera, përfshirë Idlibin nga ku po ashtu u lëshuan tullumbace në ajër.
– Situata në Idlib
Qyteti Idlib, ku numri i banorëve ka arritur në katër milionë me emigrimet e brendshme, është nën kontroll të opozitës siriane që nga marsi i vitit 2015, prandaj dhe në mënyrë intensive ka qenë cak i sulmeve nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad.
Në muajin shtator të vitit 2018, pas një takimi në Soçi midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, Turqia dhe Rusia ranë dakord të kthejnë Idlibin në një zonë të de-militarizuar. Ankaraja dhe Moska nënshkruan një memorandum mirëkuptimi duke bërë thirrje për stabilizimin e situatës në zonën e de-eskalimit të Idlibit në të cilën veprimet e agresionit janë të ndaluara.
Megjithatë, forcat e regjimit të Assad-it vazhdimisht kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke ndërmarrë sulme të shpeshta brenda zonës së de-eskalimit.
Burime nga mbrojtja civile raportojnë se vetëm gjatë muajit maj, të paktën 231 civilë, duke përfshirë 59 fëmijë, janë vrarë, ndërsa 659 të tjerë janë plagosur nga sulmet e regjimit, grupeve të huaja terroriste të mbështetura nga Irani dhe Rusia.
Siria është e bllokuar në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Assad-it u përplas me protestat pro-demokratike. Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë zhvendosur./AA