“Të dy ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e vënë theksin në bashkëpunimin ekonomik dhe financimin nga Emiratet të projekteve infrastrukturore në Shqipëri”
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndodhet për një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) me ftesë të homologut të tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Bushati po ndjek punimet e Forumit Sir Bany që mbahet në EBA, një platformë e diskutimit politik që trajton çështjet dhe sfidat me të cilat përballet Lindja e Mesme dhe impakti i tyre në arkitekturën evropiane të sigurisë, thuhet në njoftimin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.
Gjatë punimeve të forumit, ministri Bushati zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
“Të dy ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e vënë theksin në bashkëpunimin ekonomik dhe financimin nga Emiratet të projekteve infrastrukturore në Shqipëri. Në këtë kuadër ministri Bushati kërkoi mbështetje për financimin e projektit për zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit dy homologët nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për konsultime politike midis Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe.