Disa mijëra qytetar protestuan të shtunën në Prishtinë me moton “Jashtë Jablanoviq-Trepça është e jona”. Protestuesit thyen xhamat në godinën e qeverisë së Kosovës.
Në Prishtinë disa mijëra qytetarë, protestuan të shtunën (24.01) duke kërkuar shkarkimin e ministrit serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq, i cili disa ditë më parë i kishte quajtur “egërsira”, nënat e të zhdukurve dhe viktimave të luftës të cilat protestuan në Gjakovë kundër vizitave të padëshiruara të serbëve. Protesta e së shtunës u thirr nga Lëvizja Vetvendosja dhe shoqata të familjarëve që kanë persona të zhdukur. Protesta u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Protesta drejtohej edhe kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë.
Një grup protestuesish, hodhën gurë dhe sende të forta duke thyer disa xhama të godinës së qeverisë së Kosovës dhe duke dëmtuar disa lokale biznesi aty përreth, u desh ndërhyrja e policisë së Kosovës duke përdorur edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë këtë grup protestuesish. Zyrtarë të policisë thonë se ka disa polic të lënduar, ndërsa, policia ka arrestuar disa protestues të dhunshëm. Pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës për të shpërndarë protestusit, në sheshin kryesor të qytetit u panë edhe pjestarë të Forcave Paqeruajtëse dhe EULEX-it, ndonëse forcat ndërkombëtare të rendit nuk ndërhynë për të shpërndarë protestuesit.
Të hënën (19.01) parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash një ligj për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, në këtë kuadër u hap rruga edhe për riorganizimin e Trepçës, mirëpo kundërshtarët e këtij ligji, partitë opozitare në parlament, kërkonin që të miratohet ligji i veçantë për Trepçën për ta kthyer atë në ndërmarrje publike. Kjo është kundërshtuar hapur nga qeveria e Serbisë, e cila pretendon se ka pronësi mbi Trepçën dhe në këtë kuadër Beogradi kërkon që çështja e pronësisë së Trepçës të diskutohet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke u folur në emër të protestuesve tha se kryeministri i qeverisë së Kosovës Isa Mustafa, ka afat 48 orë për ta shkarkuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç. Kurti tha se nëse kjo nuk ndodh, ai fton për një protestë të radhës më datën 27.01.
Qeveria e Kosovës pas miratimit të ligjit që i hap rrugë riorganizimit të Trepçës tha se e ligji e ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi, i cili do të linte pa punë mijëra veta, meqë Gjykata e Lartë e Kosovës vendosi që ajo të hyjë në procesin e likuidimit. Trepça tash vazhdon të administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ky kombinat në vitet ’80, ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë, me mbi 20 mijë punëtorë.
Minierat e Trepçës ndodhen në veri të Kosovës në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet e tjera prodhuese ndodhën në pjesën e banuar me shumicë serbe. Ekspertët e ekonomisë thonë se vetëm rezervat e plumbit dhe zinkut në Trepçë kapin vlerën e rreth 10 miliardë eurosh./dw