8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Reagime kundër dhunës izraelite ndaj palestinezëve

Më të lexuarat

STAMBOLL (AA) – Dhuna izraelite e ushtruar ndaj protestuesve palestinezë në kufirin me Gazën, ku si pasojë humbën jetën 59 civilë në mesin e të cilëve edhe një foshnjë 8-muajshe, dhe 1771 të tjerë mbetën të plagosur, ka shkaktuar reagime të shumta nga mbarë bota, raporton Anadolu Agency (AA).

– Britania e Madhe: Vrasjet e Izraelit në Gaza janë tronditëse

Qeveria e Britanisë së Madhe tha se vrasja e mbi 50 palestinezëve në Gaza dhe në Bregun Perëndimor është tronditëse dhe paraqet një vepër destruktive për përpjekjet për paqe.

 “Humbja e jetëve dhe numri i madh i palestinezëve të plagosur është tragjike dhe është jashtëzakonisht shqetësuese se numri i të vrarëve vazhdon të rritet”, tha ministri britanik për Lindjen e Mesme, Alistair Burt.

Burt tha se një dhunë e tillë e demonstruar, është destruktive për përpjekjet për paqe, për të shtuar se Britania përkrah të drejtën e palestinezëve për të protestuar, por këto protesta duhet të jenë të qeta.

“Është e mjerueshme se elementet ekstremiste mund të kenë tentuar të përfitojnë nga këto protesta, për të realizuar qëllimet e tyre të dhunshme”, tha ai.

Ai theksoi se Britania nuk do të lëviz nga qëndrimi për të përkrahur të drejtën e Izraelit për të mbrojtur kufijtë e tij.

 “Megjithatë, vëllimi i madh i zjarrit nga armët është tejet shqetësues. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga Izraeli të përmbahet”, tha Burt, i cili ripërsëriti qëndrimin e Britanisë për zgjidhje me dy-shtete, me Kudsin si kryeqytet të përbashkët.

– Irlanda thërret ambasadorin izraelit në Ministrinë e Jashtme

Qeveria e Republikës së Irlandës ka thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadorin e Izraelit, të cilit i është shprehur shqetësimi në lidhje me sulmet e këtij shteti ndaj palestinezëve.

Në një deklaratë nga Ministria thuhet se ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney ka thirrur ambasadorin izraelit në Dublin Ze’ev Boker’in në ministri dhe ka biseduar për një kohë.

Gjatë këtij takimi Coveney ka shprehur shqetësimin për vdekjet dhe plagosjet nga incidentet e djeshme të dhunshme në Gaza, duke i bërë thirrje Izraelit për të vepruar në mënyrë të përmbajtur.

“Ambasadori u informua në lidhje me kërkesën e Irlandës për një hetim të pavarur ndërkombëtar, nën kryesimin e Kombeve të Bashkuara, në lidhje me vdekjet e djeshme”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se misioni diplomatik i Irlandës në Ramallah ka dhënë informata se ekipet e shëndetësisë që shërbejnë në Gaza nuk po arrijnë deri tek vdekjet dhe plagosjet.

Duke vënë në dukje se sistemi shëndetësor në rajon edhe më parë përjetonte probleme të mëdha për shkak të mungesës së mjeteve dhe të barnave kryesore, në deklaratë thuhet se Irlanda “është tejet e shqetësuar” për lajmet se si objektiv po merren edhe punonjësit e shëndetësisië.

– Australia: Izraeli t’i shmanget përdorimit të forcës joproporcionale

Ministrja e Punëve të Jashtme të Australisë, Julie Bishop i bëri thirrje Izraelit që të jetë proporcional në reagime dhe t’i shmanget përdorimit të tepruar të forcës.

Bishop në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme në lidhje me sulmet ndaj palestinezëve të cilët protestojnë kundër zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds, tha se ndjejnë shqetësim dhe pikëllim për vdekjet dhe plagosjet gjatë protestave të vazhdueshme në Gaza.

“E pranojmë se Izraeli ka shqetësime legjitime të sigurisë dhe ndjen nevojën e mbrojtjes së popullit të tij, por kërkojmë që Izraeli të ketë një reagim proporcional dhe t’i shmanget përdorimit të tepruar të forcës”, tha Bishop.

Duke u bërë thirrje edhe protestuesve palestinezë që t’i shmangen dhunës dhe të mos hyjnë në tokat e Izraelit, Bishop tha se këto incidente kanë treguar edhe një herë rëndësinë e nevojës së një paqeje të përhershme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit