Kreu i regjimit të Sirisë, Bashar al-Assad organizoi një paradë të vogël personale për suksesin e pjesshëm të masakrimit të një rrethine rebele të Damaskut, duke e ngarë makinën vet drejt Ghoutës Lindore.
Pasi bombardimi mizor i kësaj enklave shpartalloi mbrojtjet rebele, Assad vendosi të filmojë udhëtimin e tij atje për të takuar forcat qeveritare, një gjest që tregon dominimin e regjimit.
Ajo që bie në sy në video është se, truprojat e Assadit nuk duken gjëkundi, ndërsa presidenti nget makinën përmes trafikut pa rënë në sy, e komenton vet edhe udhëtimin e tij.
Videoja e Assadit në Ghoutën Lindore u publikua nga Presidenca siriane, ndërsa OKB-ja raportoi se mbi 1.000 njerëz u vranë si pasojë e ofensivës ndaj enklavës rebele.
Në video Assad nuk e përmend, por mesazhi është i qartë edhe për OKB-në, të cilës qeveria siriane i injoroi çdo rezolutë armëpushimi për të ndaluar masakrimin e Ghoutës Lindore.
Pasi mbërrin atje, Assad takohet me banorët dhe ushtarët e tij, të cilët i premtojnë besnikëri deri në vdekje, ndërsa rrënojat rrethojnë evenimentin modest propagandistik të presidentit sirian.
Ky i fundit i përgëzon ata për fitoren dhe iu tërheq vëmendjen që të ruajnë jetët civile në Ghoutën Lindore, megjithëse një mesazh të tillë mbase duhej t’ia kishte dhënë Aviacionit të tij dhe atij rus, pasi do të ishin kursyer qindra viktima dhe dhjetëra mijëra të tjerë nuk do të braktisur shtëpitë.