Të gjithë pacientët që trajtohen në Kliniken Gjinekologjike të QKUK-së, do të kenë mundësi të deklarohen vetë për performancën e mjekëve dhe infermiereve në klinikë. Dhe në bazë të raporteve që japin pacientët, do të vlerësohet puna e stafit mjekësor dhe atyre përcjellës në këtë klinikë.
Kështu deklaroi drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada. Ajo tha se për “Zërin” se nga dita e hënë ka filluar vlerësimi i performancës së mjekëve nga vetë pacientët.
“Ka filluar të plotësohet anketa në zyrë të pranimit, prej mjekut, motrës, në sallë të lindjes prej mjekut – motrës, në repart të lindjes, salla të operacionit. Në çdo repart janë duke u pyetur apo anketuar pacientet”, ka treguar Paçarada, e cila shtoi se kjo është mënyra më e mirë për të dëshmuar se sa po punohet dhe çfarë po bëhet në këtë klinikë.
Sipas saj, arsyeja pse kjo anketë praktikohet pas fletëlëshimit të pacientëve është se në këtë mënyrë nuk do të ketë ndikim nga mjekët apo motrat e repartit.
“Nuk do të kenë ndikim prej mjekëve. Këtë anketë do ta bëjmë duke dalë pacientet, plotësoje anketën se a të ka kërkuar dikush para, sa ke qenë e kënaqur me shërbime edhe në cilën motër, mjekë apo këdo qoftë nga stafi ke vërejtje. Kjo anketë do të bëhet në momentin kur të del pacienti që mos me pas më ndikim. Kjo anketë do të jetë anonime dhe në të do të tregojnë emrin mbiemrin e mjekut apo mjekes që ju ka kërkuar para, që nuk është kujdesur mirë për juve”, ka treguar më tej Paçarada.