2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kërcënon me bombë spitalin se gjinekologu ia pa gruan të zhveshur

Më të lexuarat

Një rast i fanatizmit të një shqiptari të Kosovës ka alarmuar spitalin e Winterthurit, në kantonin e Cyrihut (Zvicër). Shqiptari ka kërcënuar me vënie bombe në këtë spital për faktin se një mjek asistent e ka parë gruan e tij të zhveshur gjatë kontrollimit gjinekologjik që i ka bërë asaj një mjeke.

Edhe tash, pas më shumë se një viti nga ngjarja, personi në fjalë tregon se nuk e ka ndryshuar mendimin. “Përse gjatë kontrollit gjinekologjik aty duhej të ishte i pranishëm edhe një burrë? Unë kam sjellë një njeri dhe jo një kafshë në spital”, ka thënë 42-vjeçari, punëtor i ndërtimtarisë.

Në gusht të vitit 2012 ai kishte sjellë partneren e tij të atëhershme, bashkëshorten e tashme, po ashtu kosovare, për kontrollim gjinekologjik në spital. Gjatë këtij kontrollimi që e bënte një gjinekologe ishte i pranishëm si përkthyes edhe bashkëshorti, pasi gruaja nuk dinte gjermanisht. Por përveç tij aty po merrte pjesë edhe një asistent, gjegjësisht mjek që po bënte praktikën. Prania e këtij të fundit e kishte zemëruar së tepërmi kosovarin, por ai nuk kishte thënë asnjë fjalë gjatë kontrollit.

Mirëpo, ka shpërthyer dy ditë më vonë dhe i kishte telefonuar mjekes në numrin intern të spitalit, duke i thënë se nuk pajtohej fare me praninë e mjekut gjatë kontrollimit. Ai do të kërkonte adresën e saj private dhe do ta gjente atje, pastaj ajo do ta shihte se çfarë do t`i ndodhte. Ai edhe e kishte kërcënuar se do ta “bombardonte” Spitalin Kantonal të Winterthurit, shkruan tagesanzeiger.ch. Pas kësaj, spitali ka alarmuar policinë e cila ka arrestuar kërcënuesin në vendin e tij të punës.

I ndodhur para gjyqtares, kosovari ka thënë se “mjekja më ka shkatërruar jetën, pasi që i ka mundësuar një burri ta shohë gruan time lakuriqe”. Ajo madje ka shkatërruar edhe martesën e tij. Prej asaj dite ai ka probleme me martesën. Ka probleme psikike, merr mjete antidepresive dhe ndodhet në trajtim mjekësor, njofton Koha Ditore.

Gjyqtarja ka provuar të kuptojë se si ka mundësi që një njeri që kishte jetuar 18 vjet në Zvicër dhe që kishte qenë i martuar deri në vitin 2010 me një zvicerane të përjetonte kaq rëndë një veprim që për qytetarët zviceran është fare normal siç është kontrolli gjinekologjik, në të cilin ai kishte marrë pjesë vet. Por ai e quante “tradhti” që gruaja e tij të kontrollohej, në prani të një mashkulli, pa marrë leje nga ai ose pa e pyetur fare.

Pyetjes së gjyqtares se a e kupton se mjeku asistent ishte aty për të mësuar profesionin e tij, ai i përgjigjet: “Kush është ai që e lë vullnetarisht gruan e tij në dispozicion që të tjerët të mësojnë mbi të?”.

Avokati i kosovarit ka kërkuar lirim nga fajësia për klientin e tij. Ai, sipas tij, prej këtij rasti është ndryshuar në tërësi dhe nuk ishte fare në gjendje të shihte padrejtësinë e veprimeve që bënte. Ai ishte ndjerë kaq i indinjuar nga “tradhtia e rëndë” sa që kishte pësuar një thyerje nervore. Për këtë arsye, klienti i tij nuk bart përgjegjësi penale.

Nga ana tjetër, sipas gjyqtares, nuk ka bazë që të mendohet se i akuzuari ka ndonjë sëmundje psikike. Për këtë arsye ajo e ka dënuar atë për kërcënim me një gjobë me kusht prej 90 njësish ditore nga 40 franga dhe ia ka ngarkuar shpenzimet e procedurës gjyqësore prej 1.800 frangash. /KD/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit