1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Koment – Dënimi me burgim të përjetshëm i Ratko Mlladiçit

Më të lexuarat

Lajmi për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit serb të luftës, Ratko Mlladiç duhet ti ketë gëzuar të gjithë njerëzit e ndershëm në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Mlladiç, i cili luftoi për Serbinë në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë në gjysmën e parë të viteve 1990 dhe shkaktoi vrasjen e mijëra njerëzve për hir të serbizimit, ishte arrestuar në Serbi në 2011 pas rreth 16 vjet jete në arrati. Fakti që Gjykata Ndërkombëtare Penale për Krimet në ish- Jugosllavi (Tribunali i Hagës) e dënoi Mlladiçin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës, është i rëndësishëm në aspektin e vendosje së drejtësisë në vend, edhe pse me vonesë.

Sinjalet e para serioze të luftës në Bosnjë, që ka ndodhur midis viteve 1992-1995, kishin bërë jehonë më 14 tetor 1991 në parlamentin e Bosnjë-Hercegovinës. Radovan Karaxhiç, lideri i serbëve boshnjakë, në një fjalim që kishte mbajtur nga foltorja e parlamentit kishte kërcënuar me “dërgimin e Bosnjës në ferr dhe zhdukjen e boshnjakëve”. Më 11 korrik 1995, gjenerali serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç teksa po hynte në Srebrenicë kishte njoftuar para kamerave se “kishte ardhur koha për të marrë hak kundër turqve”. Ato që ndodhën në Bosnjë në intervalin kohor midis këtyre dy deklaratave kanë zënë vend në faqet më të errëta të historisë së njerëzimit. Kurse gjenocidi i Srebrenicës ka qenë finali tragjik i masakrës që kishte filluar mbi boshnjakët që në pranverën e vitit 1992.

Autoritetet serbe i refuzuan me vite të tëra akuzat se Ratko Mlladiçi gjendej në Serbi, por një ditë ato njoftuan kapjen e këtij krimineli lufte. Kështu u shkatërrua edhe miti që Mlladiçi nuk do të arrestohej kurrë, nuk do të jepte asnjëherë llogari përpara drejtësisë.

Në vitet e kaluara ishte e mundur që në mediat e Ballkanit për Mlladiçin të gjeje lajme të tilla si: të ishte parë duke shëtitur lirshëm në rrugët e Beogradit, duke ndjekur ndeshje futbolli, që të kishte shkuar për mjekim në spital dhe lajme të tjera të ngjashme. Në qershor 2003 ishte pranuar që disa pjesëtarë të forcave të armatosura serbe e kishin mbështetur Mlladiçin dhe se kontakti i fundit që dihej me Mlladiçin kishte qenë më 15 maj 2002. Më vonë u kuptua që ushtria serbe ia kishte paguar rregullisht pensionin Mlladiçit deri në nëntor 2005. Dhe pas kapjes së Mlladiçit më 26 maj 2011 me një letërnjoftim të falsifikuar në shtëpinë e një të afërmi, autoritetet serbe e pranuan që Mlladiçi deri në fund të vitit 2005 kishte jetuar në kryeqytetin e vendit, Beograd.

Ekzistojnë “realitete të ndryshme” të palëve të ndryshme lidhur me luftërat që ndodhën në Ballkan në vitet 1990. Deri në zbulimin e të vërtetave mbi luftërat në Ballkan nga seancat në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Krimet në ish-Jugosllavi, drejtuesit e vendeve të rajonit prodhuan “fakte” ashtu siç i kërkonin interesat e tyre dhe këtë ua paraqitën popujve të tyre si të “vërtetë të pa-diskueshme”. Për këtë arsye, gjyqet e përfunduara me një vendim të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë shpesh mund të perceptohen si “gjyqe politike”. Në veçanti, në mesin e serbëve është i përhapur mendimi se serbët nuk janë gjykuar në mënyrë të drejtë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe se kjo gjykatë është një gjykatë politike. Dhe në të vërtetë, është i madh edhe numri i serbëve që mendojnë se vendimi për dënimin e Ratko Mlladiç me burgim të përjetshëm është një vendim politik.

Për shkak të fakteve të ndryshme që kanë palët, në Ballkan nuk ka unitet mendimi as në lidhje me arsyen e shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos. Mirëpo dihet se gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos asnjë nga njësitë federale të këtij vendi nuk e kërcënoi me sulm Serbinë. Përkundrazi, askush nuk mund ta mohojë faktin se regjimi i Sllobodan Millosheviçit në Serbi tentoi të cenojë seriozisht integritetin territorial të Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Vetëm se reagimet në Serbi lidhur me lajmin për dënimin me burgim të përjetshëm të Ratko Mlladiçit tregojnë se populli serb ende nuk është ballafaquar me disa të vërteta. Shumë prej serbëve besojnë se ata (njerëz si Mlladiçi) në luftërat, që kanë bërë si në Kroaci, ashtu edhe Bosnjë-Hercegovinë, kanë luftuar për lirinë e serbëve, pra kanë bërë një lloj lufte çlirimtare. Pra, njerëzit si Ratko Mlladiç, të cilët kanë vrarë madje edhe fëmijë e gra, mund të perceptohen si “heronj kombëtarë” nga një pjesë e serbëve.

Krimet në Ballkan nuk u kryen si rezultat i veprimeve të pavarura të individëve. Përkundrazi, nën krimet e kryera, qëndronte një ideologji dhe forca të ndryshme të armatosura të ngarkuara me detyrën për t’i shërbyer kësaj ideologjie. Në rastin e serbëve, ideologjia që nxiti kriminalitetin mbante emrin “Serbia e Madhe”. Kjo ideologji, për të cilën luftoi Mlladiçi, ishte gatuar në Beograd.

Për këtë arsye, përfundimi i gjykimit të Mlladiçit është i rëndësishëm në drejtim të sigurimit që disa serbë të ballafaqohen me gabimet e kryera në të kaluarën. Është i rëndësishëm për t’u treguar gjeneratave të reja serbe në veçanti fytyrën e brendshme të luftërave që ndodhën në Ballkan gjatë gjysmës së parë të viteve 1990. Brezat e rinj serbë nuk duhet të rriten e formohen me gënjeshtra të tilla si “boshnjakët janë vrarë me njëri-tjetrin” dhe “Boshnjakët mblodhën njëri-tjetrin në kampet e robërve”. Kombi serb duhet ta ketë të drejtën për të mësuar të vërtetën.

Kanë nevojë për ti ditur këto të vërteta edhe ata burracakë që lejuan bekimin e kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të cilët pasi i kishin vrarë një herë viktimat ktheheshin sërish në vendet e masakrës, hynin me buldozerë e ekskavatorë në varret ku kishin groposur me mijëra viktima dhe i nxirrnin kufomat dhe pasi i ngarkonin në kamionë i transportonin për në vende të tjera. Për të vërtetën ka nevojë edhe Evropa, e cila nuk po e kupton ende që e keqja me emrin “fashizëm” ekziston akoma brenda saj; ajo Evropë që fle, që është e mpirë dhe e ndarë për interesa të ndryshme.

Gjykimi i Mlladiçit ishte i rëndësishëm në drejtim të vendosjes sado pak të drejtësisë në vend. Drejtësia nuk është e rëndësishme vetëm për sa u përket viktimave, por edhe për mos-përsëritjen në të ardhmen të gjenocideve, e krimeve kundër njerëzimit.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit