1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Trajtime kozmetike të përgatitura në kushtet e shtëpisë

Më të lexuarat

Produktet kozmetike të cilat gjenden në treg normalisht për disa njerëz janë mjaft të kushtueshme. Por duhet thënë se rezultatet e dëshiruara mund t’i merrni edhe nga produktet natyrale apo nga maskat e bëra nga vetë ju, në kushtet e shtëpisë. Madje, vlera e tyre është më madhe se ato të tregut, ndaj ne po ju sugjerojmë disa maska bio.

Jo vetëm gratë, por edhe burrat tashmë janë bërë aleatë të vendosur të bukurisë dhe kozmetikës, por shpesh çmimet e këtyre produkteve arrijnë kufijtë e çmendurisë. Për këtë arsye, jo gjithmonë blerja e tyre është e mundur, për më tepër, ju asnjëherë nuk e dini se me çfarë produktesh keni të bëni. Ndaj disa ekspertë thonë se produktet e krijuara në kushtet e shtëpisë me përbërësit e përditshëm, janë një zgjedhje mjaft e zgjuar. Po kështu realizimi i produkteve të bukurisë në kushtet e shtëpisë mund të jetë zgjidhja e duhur, edhe për ata që synojnë një jetë totalisht ekologjike, por edhe për ata që i druhen eksperimentimit të këtyre produkteve kozmetike te kafshët.

Përveç kësaj, duke i realizuar produktet kozmetike me duart tuaja, ju do të dini sigurinë e përbërësve, të cilët përfundojnë në lëkurën tuaj. Ne do t’ju paraqesim disa receta me maska dhe balsam të realizuara me përbërës të zakonshëm.

Fillimisht duhet të siguroheni, të keni vaj bajameje, kos, majonezë, uthull, mjaltë, avokado, vezë, miell bollgur dhe limon. Më interesantja nga të gjitha është maska me miell bollgur, pasi është e lehtë për t’u realizuar. Për përgatitjen e saj ju duhet gjysmë filxhani miell bollgur i përzier me një lugë gjelle vaj bajameje dhe një vezë e plotë. Pasi t’i keni përzier mirë të gjithë përbërësit, masën e përftuar vëreni në fytyrë për 15 min.

Gjithashtu ju mund të realizoni për lëkurën një krem hidratues me bazë avokadoje. Pasi të keni zgjedhur një fryt të pjekur, do t’u duhet të merrni pjesën e brendshme të lëkurës e cila përmban vajra të rëndësishëm hidratues. Masazhojeni në lëkurë dhe mbajeni një çerekore, më pas shpëlajeni me ujë të vakët.

Për t’u dhënë shkëlqim flokëve uthulla është e përkryer. Mjafton t’i shpëlani ata me këtë lëng kohë pas kohe për t’u dhënë shkëlqim dhe shëndet. Uthulla është shumë e mirë edhe për kujdesin ndaj duarve, për shkak të aftësisë së saj për të hequr lëkurën e vdekur. Jo vetëm lëkura, por edhe flokët mund të përfitojnë nga avokadoja. Të cilën mund ta përzieni me qumësht kokosi për të krijuar një balsam për flokët. Më pas përzierjen shpërndajeni në flokët tuaj duke aplikuar krehjen, mbajeni për 15 minuta përpara se ta shpëlani. Edhe veza mund të bëhet një aleat shumë i mirë i bukurisë. Ajo në fakt është një nga maskat më të njohura nga të gjitha maskat e tjera. Kjo maskë realizohet duke e rrahur vezën derisa të bëhet me shkumë dhe më pas në të shtojmë një gotë ujë dhe një lug çaji vaj ulliri. Masa e përgatitur përdoret duke e masazhuar në flokë dhe më pas bëhet shpëlarja e flokut.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja është balsami me mjaltë. Kjo maskë realizohet duke përzier bashkë me mjaltin dy vezë dhe pak majonezë. Kështu do të krijoni një maskë natyrale dhe të dobishme.

Në përfundim vlen të themi se vlera e këtyre maskave të bukurisë është më e madhe se e atyre të cilat shiten në tregje. Pseja është fare e kuptueshme. Produktet bio me të cilat ato bëhen janë tepër të shëndetshme për lëkurën dhe flokët tuaj. Ndaj nuk do të ishte asnjëherë keq që të përdornit vazhdimisht maska të tilla, madje të aplikonin edhe të tjera të cilat nuk janë përmendur në këtë artikull. Informacionet në kohën e sotme janë të shumta për çdo gjë që jeni të interesuar të dini, kështu që shfrytëzojini edhe për këtë rast.

Fillimisht duhet të siguroheni, të keni vaj bajameje, kos, majonezë, uthull, mjaltë, avokado, vezë, miell bollgur dhe limon

Realizimi i produkteve të bukurisë në kushtet e shtëpisë mund të jetë zgjidhja e duhur, edhe për ata që synojnë një jetë totalisht ekologjike, por edhe për ata që i druhen eksperimentimit të këtyre produkteve kozmetike te kafshët

Për t’u dhënë shkëlqim flokëve uthulla është e përkryer. Mjafton t’i shpëlani ata me këtë lëng kohë pas kohe për t’i dhënë shkëlqim dhe shëndet./GSH/kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit