1.9 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Xhamitë në Danimarkë rihapin dyert për besimtarët

Më të lexuarat

Xhamitë u hapën pasi Ministria e Çështjeve Kishtare lejoi ritualet kolektive në mesin e komuniteteve të ndryshme fetare në vend

Kopenhagë

Në Danimarkë janë rihapur për besimtarët xhamitë, të cilat qëndruan të mbyllura nga 13 marsi në kuadër të masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi qeveria vendosi në zbatim etapën e dytë të kthimit në normalitet, Ministria e Çështjeve Kishtare lejoi ritualet kolektive në mesin e komuniteteve të ndryshme fetare në vend.

Shumë xhami u hapën së bashku me faljen e namazit të teravisë me xhemat.

Në xhami u zbatuan rregullat e vendosura nga Ministria e Çështjeve Kishtare. Në mesin e masave bëjnë pjesë caktimi i 4 metrave katrorë për një person, zbatimi i distancës fizike dhe dezinfektimi i duarve.

Abdul Vahit Kart, kryetar i Shoqatës së Xhamisë Ajasofja në Kopenhagë, e cila vepron në kuadër të Komunitetit Islam të Danimarkës, tha për AA se po zbatojnë rregullat e caktuara për mbrojtje nga virusi.

“Kemi vizatuar hapësirat e caktuara prej 4 metrash për person, kemi vendosur shishet dezinfektuese në hyrje, kemi mbyllur avdeshana. Ne po ashtu po bëjmë listë me emrat dhe numrat e telefonit të atyre që vijnë për t’u falur, që në rast të ndonjë situate, t’ua japim autoriteteve”, tha Kart.

Ai tha se krahas vakteve të përditshme, në xhami do të falet edhe namazi i xhumasë, por shtoi se ende nuk është marrë ndonjë vendim lidhur me namazin e Bajramit.

Ndërkaq, Adem Kılıç, pjesëtar i xhematit, tha se namazin e ka falur së bashku me fëmijët në shtëpi në kohën kur xhamitë ishin të mbyllura.

“Nuk do të ishte gënjeshtër po të thoja se sot po fluturoj nga gëzimi. Kisha vendosur të bëj një sexhde falënderimi kur të vij në xhami për herë të parë, por po fillonte namazi i teravisë kur erdha. Nuk arrita”, tha Kılıç.

Krahas Komunitetit Islam të Danimarikës, në namazin e teravisë dyert i kanë hapur edhe xhamitë që veprojnë nën Unionin e Qendrave Kulturore Islame të Danimarkës. Ndërkaq, Fondacioni Turk i Çështjeve Fetare në Danimarkë (DTDV), në një komunikatë në rrjetet sociale, tha se xhamitë do të jenë të hapura vetëm për vaktet ditore, por do të qëndrojnë të mbyllura për namazet e xhumasë.

Megjithatë, DTDV njoftoi se namazi i Bajramit mund të falet në xhami, duke u zbatuar rregullat e caktuara nga ministria.

Ndryshe, tubimi i më shumë se dhjetë njerëzve në një vend dhe ritualet fetare kolektive u ndaluan në Danimarkë pas shpalljes së masave të rrepta të qeverisë më 11 mars dhe më pas, të cilat po ashtu përfshinin pezullimin e shkollave, lirimin e punonjësve publikë dhe mbylljen e restoranteve, kafeve, parukerive dhe qendrave tregtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit