Vucic afrohet me shqiptarët e Luginës

0
36

Pas arritjes së marrëveshjes me Kosovën, drejtuesit e Qeverisë serbe po synojnë që të nisin një proces të afrimit me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Numri dy i qeverisë serbe, Aleksandar Vucic i ka pritur sot në Beograd përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilëve u ka premtuar se brenda 10 ose 15 ditësh do ta vizitojë Bujanocin ose Preshevën, ku do të vazhdojnë bisedat.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka thënë se tema e bisedës ka qenë platforma që është aprovuar në shkurt të vitit 2013, në Kuvendin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Kërkesa e parë është siguria, prandaj ne kemi kërkuar largimin e xhandarëve nga rajoni i Luginës së Preshevës. Kemi kërkuar depolitizimin e sistemit, sidomos të organeve gjyqësore”, ka deklaruar Arifi për Telegrafin.

Arifi ka thënë se kanë kërkuar të drejta të barabarta sikurse i kanë fituar serbët e Kosovës pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa për këtë Vucic nuk ishte ndonjë reagim, as pozitiv e as negativ.

Arifi ka thënë gjatë këtij takimi, Vucic disa herë kishte përmendur kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin në Bruksel kanë hapur disa çështje rreth shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ndërsa, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë për REL se Qeveria e Serbisë e ka pranuar programin e masave të cilin e kanë paraqitur liderët politikë shqiptarë nga Lugina e Preshevës për zgjidhjen e problemeve.

“Vucici është shprehur optimist se prej muajit tetor mund të priten rezultate konkrete, për zbatimin e masave, të cilat i kanë propozuar liderët shqiptarë”, ka thënë Halimi. /Telegrafi/