Merve Kavakçi është ambasadorja e Turqisë në Malajzi. Ajo u përket atyre grave që në qeverisjet 20 viteve më parë ballafaqohej me pushtete që e luftonin egërsisht për shaminë e saj, deri në shtrëngesën për ta braktisur vendin.
E bija i bën një profil asaj, duke rrëfyer rrugëtimin e vështirë të këtyre 20 viteve të nënës së saj, nga një realitet në tjetrin, ku i ëshët dashur durim, punë e sakrificë për ta prekur më në fund triumfin…
Më 2 maj të vitit 1999, isha një vajzë vetëm 9 vjeçe, e ndrojtur, tek po shikoja nënën time heroike, Merve Kavakçi, duke ecur në Parlament; një heroinë në sytë e mi dhe në zemrat e shumë njerëzve në gjithë Turqinë. Ajo ishte persekutuar, përjashtuar dhe asaj i ishte hequr nënshtetësia për shkak të “kërcënimit të shtetit laik”. Atë ditë unë mendova: “Nëna ime bëri diçka kaq të madhe, sa që ajo do të jetë gjithmonë një simbol i grave muslimane që mbajnë shami”.
Shamia e kokës me vija të kuqe dhe të bardha përfaqëson shumë më tepër se vetëm një copë rrobe. Atë ditë, ajo u bë flamur për gratë muslimane që luftonin kundër ndalimit të shamisë, duke përfaqësuar miliona besimtare e besimtarë që donin të jetonin lirshëm. Veprimet e nënës sime ishin më tepër se heshtje, por bindëse: një heroizëm. Ajo gjithashtu bëri një sakrificë të madhe.
Pasi u dëbua në mënyrë të tmerrshme nga Parlamenti, motra, nëna ime dhe unë filluam një jetë të re në Shtetet e Bashkuara. Në fund të fundit, ky veprim nuk ndryshoi asgjë, sepse misioni ishte i njëjtë. Ne ishim më të vendosura se kurrë për të vazhduar ushtrimin e besimit tonë me forcë dhe këmbëngulje. Qëllimi ynë ishte dhe është t’i shërbejmë gjithmonë bashkësisë tonë dhe të gjithë njerëzimit.
Si në Ankara ashtu edhe në Dallas, rruga e Islamit është e njëjtë. Ne u rritëm të vetëdijshme për detyrën tonë të rëndësishme, për t’i shërbyer bashkësisë globale dhe për të qenë të drejtë, falës, njerëz të mirë dhe bujarë. Duke parë nënën time në Parlament, derisa po demonstronte një ngushëllim të qetë që po përcillte mesazhin përfundimtar në atë ditë historike, ajo po mishëronte të gjitha vlerat që ajo kishte ngulitur tek ne për t’u bërë besimtarë të fortë. Mendova me vete: “Kjo është e ëma ime dhe ajo është një ‘mu’mine’, një besimtare e vërtetë.”
Ajo qëndroi me krenari kundër sulmeve që erdhën nga çdo drejtim, përfshirë presidentin dhe kryeministrin, së bashku me gazetarët e lajmeve që u përpoqën t’i hiqnin dinjitetin asaj. Megjithatë, përgjatë gjitha këtyre sfidave, ajo qëndroi kokëlartë, e pavarur dhe e pathyer.
Krahas besimit të saj të fortë në Zot, nëna ka qenë gjithmonë një studente e zellshme. Si inxhiniere e softuerit, e diplomuar në Universitetin e Teksasit në Dallas (UTD), ajo ishte kthyer në Turqi në fillim të viteve ‘90 për t’i shërbyer vendit të saj. Por ajo u ndalua nga çdo vend pune, vetëm pse mbante shaminë. Ky ishte ai momenti kur ajo kuptoi se, nëse gratë me shami donin të ndiqnin karrierën pa diskriminim, aktivizmi politik ishte veprimi më i duhur. Ajo mori këtë rol si një grua e re 25-vjeçare ambicioze. Nën Partinë e Mirëqenies të udhëhequr nga Erbakan, ajo u bë kreu i Departamentit për Çështje të Jashtme të Gruas dhe udhëtoi në të gjithë botën muslimane dhe Perëndim, jo vetëm si figurë politike, por edhe si një aktiviste dhe një nënë me dy fëmijë të vegjël.
Pas mbylljes së Partisë së Mirëqenies dhe themelimit të Partisë së Virtyteve (Virtue Party), misioni i saj i lirisë mori një kthesë. Duke qenë një avokate e hapur e demokracisë islame dhe e të drejtave të njeriut në pozitën e saj të mëparshëm në Partinë e Mirëqenies, puna e saj e re do të ishte e vështirë. Duke qenë e deleguar si gruaja e parë me shami në Parlament, ajo ishte një shembull i luftës së gjatë dhe historike të grave për të fituar barazi gjatë gjithë historisë së politikës moderne turke.
Ajo ditë ishte historike dhe emblematike në shumë mënyra. Mbi të gjitha, ndërsa hyri me atë dashamirësi në Parlament dhe u ul, ajo u bë zyrtarisht ambasadore për luftën kundër diskriminimit të grave me shami.
Historia ka dëshmuar se arritja e të drejtave të njeriut dhe ndjekja pas lirive të të drejtave civile nuk ka qenë kurrë një përpjekje e lehtë. Gratë e Partisë së Mirëqenies dhe Virtyteve punuan pa pushim për të arritur suksesin më 2 maj 1999. Ishte përpjekja e përbashkët dhe udhëheqja e politikaneve dhe aktivisteve femra muslimane, të cilët ndihmuan të hapin rrugën e lirisë, jo vetëm për gratë me shami, por edhe për ato femra të margjinalizuara në gjithë Turqinë. Këto gra vullnetare nuk u shpërblyen e as nuk morën ndonjë mbështetje financiare. Këto gra janë “heroina anonime” që punuan në prapaskenë për vite me radhë, duke ia kushtuar jetën e tyre misionit të lirisë.
Ndër gratë e njohura në ballë të lëvizjes për të drejtat e grave muslimane, Sule Yuksel Senler, një intelektuale dhe aktiviste, ia kushtoi jetën e saj veprimtarisë për arritjen e barazisë për gratë që mbajnë shami. Një tjetër grua e dashur për zemrën time, është gjyshja ime, Gylhan Kavakçi, e diplomuar në një shkollë të mesme austriake, atë të “Shën Gjergjit” dhe e diplomuar në Universitetin e Stambollit, e cila u bë një nga gratë e para me shami që ligjëronte gjuhën gjermane në shkollën Imam Hatip të Stambollit dhe Universitetin Erzurum Atatürk, në vitet ’70 dhe ’80.
Sigurisht që këto gra nuk janë shembujt e vetëm. Ka shumë gra tjera heroina përgjatë historisë botërore të cilat i kanë thënë “ndal” diskriminit apo dhunës përmes akteve që mund të duken të vogla, por kanë lënë gjurmë të mëdha në histori. Për shembull, Rosa Parks, e cila nuk pranoi të ulet në pjesën e pasme të autobusit dhe t’ia lirojë ulësen një burri me ngjyrë të bardhë. Qëndrimi i saj u bë simbol i veprimit dhe rezistencës në lëvizjen e të drejtave civile në SHBA.
Gratë si këto, historitë e të cilave janë dëgjuar, por edhe ato veprime të mëdha të cilat janë varrosur në heshtjen e historisë, në realitet, të gjitha kanë diçka të përbashkët: vullneti dhe guximi për të mos hequr dorë kurrë nga ajo që është e drejtë e tyre. Është e drejta e patjetërsueshme për të ndjekur një jetë pa diskriminim ose paragjykim. Duhet guxim të qëndrosh kundër asaj që është e gabuar, atëherë kur askush nuk është i gatshëm ta bëjë këtë.
Sot, emërimi i ri i nënës sime si ambasadore në Kuala Lumpur të Malajzisë është simbolik në këtë drejtim. Muret e fanatizmit më në fund kanë rënë dhe një epokë e re në diplomacinë turke ka zënë vend. Ekspertiza e nënës e fituar nga UTD, Harvard, Universiteti Hoëard dhe Universiteti George Ëashington si një avokate për të drejtat e grave dhe si një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare është emblematik për diversitetin, udhëheqjen dhe fuqizimin e gruas, gjitha këto duke rrënuar stereotipet në të njëjtën kohë.
Në 18 vite, vendi ynë ka pësuar një transformim të pashembullt demokratik. Nëna ime u kthye, pasi kishte jetuar larg vendit të saj prej vitesh. Ashtu siç ndodh në të gjitha historitë e superheroit, edhe ajo ia arriti qëllimit. Ajo ishte plagosur, vuajtur dhe lënduar, por kjo nuk e kishte ndaluar atë. Përkundrazi, ajo është më e vendosur për qëllimet e saj se kurrë më parë. Ajo dhe miliona gra, burra dhe fëmijë që vuajtën si ajo, u shëruan vetëm për të bërë një rikthim më të madh dhe për të zhvilluar një luftë më të mirë.
Ne jemi të sigurt se ky është udhëzim nga Zoti.
Ndërkohë, duhet të kemi parasysh se ky udhëtim nuk është as fillimi dhe as fundi i përpjekjeve për të vendosur paqen dhe drejtësinë në rajon dhe në mbarë botën. Rruga shpirtërore nga Ademi dhe Hava te Musai, Isai dhe Muhamedi, është rruga e bekuar që e ndjekim për të përsosur karakterin njerëzor. Prandaj, tani, në këtë kohë, ne kemi nevojë për politikanë dhe diplomatë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të cilët kanë shembëlltyrën profetikë në sjellje, fjalë dhe veprim.
Është me këtë mision besimi që Presidenti Erdogan emëroi shumë diplomatë në pozitat e ambasadorit në të gjithë rajonet strategjike. Ky mision është që të përçojë mesazhin e paqes dhe drejtësisë, duke respektuar dhe nderuar kultura, tradita dhe besime të ndryshme. Islami nuk ka qenë kurrë një fe e detyrimit, por ka qenë gjithmonë burim i qetësisë, udhëzimit dhe mirëkuptimit.
Me kërcënimet gjithnjë në rritje, përfshirë terrorizmin, krizën humanitare, sigurinë kibernetike, grusht-shtetet dhe sanksionet, bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Tensionet vazhdojnë të rriten, madje edhe në rajonin tonë. Miliona refugjatë në Turqi dhe vendet e tjera fqinje janë bërë shënues i një prej krizave më të mëdha humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo nuk do të thotë që ne mund të rrimë ulur dhe të shikojmë rajonin tonë të përkeqësohet në kaos dhe trazira.
Ne kemi punë për të bërë brenda dhe jashtë vendit për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe në tregti, si dhe në shkëmbimet diplomatike. Bisedimet dypalëshe dhe shumëpalëshe kërkojnë dialog pozitiv për të paraqitur zgjidhje për konfliktet sektare në rritje, thatësirat, varfërinë, diktatorët dhe kriminelët e luftës. Për një rol më të fortë në rajon, forca e Turqisë në shtëpi nuk duhet të lëkundet, veçanërisht në luftën kundër terrorit brenda dhe jashtë vendit.
Ndërsa duke folur me qindra kancelarë universitarë nga e gjithë bota muslimane të mërkurën, Presidenti Erdogan u foli zemrave të shumë akademikëve muslimanë duke cituar thënien klasike: “E vërtetat del në sipërfaqe vetëm kur idetë e njërit përballen me ato të tjetrit”.
Ky është një mesazh kritik që shkon në thelbin e çështjes. Liria e fjalës dhe shprehja e lirë në sferën publike është një parim që ne mbështesim me forcë dhe promovojmë, me qëllim që të krijojmë një diskurs të shëndoshë midis palëve të ndryshme. Nëpërmjet fjalimit të respektueshëm dhe sjelljes shembullore, intelektualët, gazetarët dhe politikanët mund të ndikojnë në vendimet e shoqërive për një varg çështjesh. Në fund të fundit, kjo është mënyra e vetme që qytetarët të mund të udhëhiqen për çdo të vërtetë në një çështje të caktuar.
Duhet gjithashtu të kemi parasysh, se përderisa me lirinë e shprehjes nuk abuzohet në atë mënyrë që do të rrezikonte jetë njerëzore, të gjithë janë të lirë të shprehen ashtu si të dëshirojnë.
Megjithatë, Turqia vazhdon të ballafaqohet me akuza se liria po kufizohet në kurriz të dominimit të tepërt politik. Kjo aspak nuk është e vërtetë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se Turqia është e angazhuar në një luftë të jashtëzakonshme ndaj terrorit. Në çdo shtet sovran në të gjithë botën, duke përfshirë Turqinë, asnjë shtet nuk do t’i jipte asnjë individi apo organizate lirinë e shprehjes për të shprehur mbështetjen për një rrjet terrorist. Fjala në mbështetje të terrorit nuk mund dhe nuk do të pranohet në demokraci.
Sot, rolet për diplomatët e rinj janë më të vështira se paraardhësit e tyre për dy arsye. Së pari, udhëheqja turke po përgatitet ta çojë vendin në një epokë të re të lidershipit rajonal, një detyrë e madhe dhe e zellshme. Së dyti, provokimi dhe ngacmimi i mediave perëndimore ndërkombëtare, që po bëjnë një fushatë të vazhdueshme që synon njollosjen e imazhit të Turqisë dhe Erdoganit, duhet të trajtohet në mënyrë të vendosur dhe efektive.
Këto janë dy detyrat kryesore që shtrihen mbi supet e ekipit të ri diplomatik të shtetit turk. Duke qëndruar të palëkundur kundër përjashtimit dhe izolimit, përfaqësuesit më të fortë janë të gatshëm të shprehin vizionin dhe interesat e qeverisë në rajon dhe të avokojnë për një prani më të fuqishme në skenën botërore. Kjo lëvizje do të ketë nevojë për fuqi dhe lutje, pasi populli turk tashmë ka luftuar për pavarësi gjatë viteve të para të shtetit modern dhe pas dështimit të grusht-shtetit të 15 korrikut.
Në këtë kornizë politike, disa aspekte kanë ndryshuar, ndërsa të tjerët kanë mbetur të njëjta. Ndërsa sfidat ndonjëherë mund të marrin forma të ndryshme, misioni mbetet i njëjtë.
Aktualisht, ekziston një komb i fuqizuar, një qeveri mbresëlënëse dhe një ekip ekspertësh që po bëjnë një përpjekje të përbashkët për të mos e lënë Turqinë të dobësohet.
Ndër ata diplomatë mbresëlënës të gatshëm për t’i shërbyer Turqisë jashtë vendit është edhe gruaja, ecila është heroi im, modeli im dhe mikja ime e dashur.
Marrja e përgjegjësisë në vitin 1999 nuk ishte detyrë e lehtë për nënën time. Sidoqoftë, sfidat sot janë shumë më të mëdha. Në një botë tranzitore me ndërrimin e ekuilibrave të fuqisë dhe dinamikës rajonale, po dëshmojmë një epokë të re në diplomaci. Më shumë se kurrë kemi nevojë për gjallëri dhe frymëzim për t’i shërbyer të gjithë atyre që janë të izoluar, të margjinalizuar dhe të lënë pa zë.
Merve Kavakçi, duke qenë një nga ambasadorët e parë turke që mbajnë shaminë, përfaqëson luftën për të qenë, dhe mishëron të gjitha vlerat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe parimet e Islamit.
Besimi i saj i patundur do ta shtyjë atë të realizojë detyra më të mëdha në emër të Zotit, në emër të popullit turk dhe në emër të njerëzimit.
Zoti të ndihmoftë në këtë rrugëtim, Nënë!
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/