Javën e ardhshme Senati i Universitetit të Prishtinës do të themelojë Komisionin për Cilësi në nivel të universitetit, i cili do të mbikëqyrë mbarëvajtjen e zhvillimit të mësimit.
Udhëheqës të universitetit bëjnë të ditur se ky Komision do të ketë një rol të rëndësishëm, i cili më pas do të formojë edhe komisionet e tjera në çdo njësi akademike, me qëllim të ngritjes së cilësisë në nivel më të lartë.
Prorektori për Zhvillimin e Cilësisë në Universitetin e Prishtinës, Agron Bajraktari, tha për Radio Kosovën, se një nga objektivat e universitetit është ngritja e vazhdueshme e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Për këtë qëllim, ai bëri të ditur se javën e ardhshme do të themelohet Komisioni për Cilësi në nivel të Universitetit.
“Senati i Universitetit të Prishtinës do të themelojë komisionin për cilësi në nivel të universitetit, i cili do të mbikëqyrë mbarëvajtjen e zhvillimit të mësimit. Më pas do të formohen komisionet për zhvillim të cilësisë në nivel të çdo fakulteti, në të cilin do të jenë instancat kryesore të fakultetit siç janë: koordinatori për zhvillim pranë njësisë, prodekani për mësim shefat e departamenteve si dhe përfaqësuesit e studentëve”, tha Bajraktari.
Bajraktari theksoi se së bashku me Zyrën për Zhvillim Akademik, janë në vazhdën e kontrollimeve nëpër njësitë akademike, për të parë mbarëvajtjen e mësimit dhe se cilat janë nevojat të cilat duhet të përmbushen.
“Po shohim se si shkon, cilat janë hapësirat, cilat janë mjetet e konkretizimit, si është mbajtja e mësimit, sa janë nevojat dhe si po përmbushen ato në nivel të universitetit. Ne jemi të kënaqur, ndryshe realisht flitet dhe ndryshe është realiteti, realiteti është shumë më i mirë nga ajo që nganjëherë media të ndryshme proklamojnë për UP-në”, tha ai për Radio Kosovën.
Komisioni për cilësi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të udhëhiqet nga Prorektori për Zhvillim të Cilësisë, Agron Bajraktari, ku do të marrin pjesë edhe prorektori për mësim, drejtori i Zyrës për zhvillim akademik, përfaqësues të studentëve dhe disa profesorë që mbulojnë disa nga fushat e mësimdhënies në universitet.
Ky komision do të ketë mandat me rol dhe funksion sikurse komisionet e tjera që janë paraparë në statut. Universiteti i Prishtinës për herë të parë ka prorektor për zhvillimin e cilësisë në nivel të universitetit.kohaislame