3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Shteti dhe pushteti, e drejta dhe legjitimiteti

Më të lexuarat

Në historinë e gjatë të njerëzimit, filozofia e burimit të shtetit dhe pushtetit, mund të reduktohet apo thjeshtohet në dy ide, në atë teokratike dhe demokratike.

Teokracia shihet si pushteti i Zotit, për fetë monoteiste, apo i hyjnive e perëndive, sipas atyre politeiste, që ushtrohet në tokë nëpërmjet zëdhënësve priftërinj ose profetë, apo mishërimit të tyre te mbreti, perandori, faraoni… sipas disa pikëpamjeve të tjera. Ndoshta në mënyrë të thjeshtuar, këtu mund të përfshijmë edhe pushtetet totalitariste me bazë laike, të cilat, si shtetin dhe pushtetin e shohin në mënyrë “teologjike”. Ndërsa sipas pikëpamjes demokratike, shteti dhe pushteti e kanë bazën e tyre te demos-i, pra, te populli, te bashkësia dhe komuniteti i njerëzve, që është burimi i vetëm i sovranitetit dhe legjitimitetit, sipas kësaj pikëpamjeje. Tani, natyrisht, kjo është një panoramë fare e thjeshtuar, pasi praktikisht dhe historikisht të dyja këto ide nuk janë gjithmonë kaq pastërtisht të ndara mes tyre, por kanë ndërfutje dhe forma hibride. Gjithsesi, këto janë dy idetë bazë, mbi të cilat mbështetet shteti dhe pushteti, njëra pretendon se është hyjnore, ndërsa tjetra njerëzore. Në këndvështrimin islam nuk pranohen në këtë formë puritane, as njëra dhe as tjetra. Sipas këndvështrimit islam, burimi i shtetit dhe së drejtës është Zoti, prej Tij burojnë parimet dhe ligjet, disa prej të cilave janë të përhershme dhe disa të përkohshme ose të epshme, në varësi të konteksteve sociale dhe historike. Pra, njerëzit nuk mund të jetojnë dot pa një organizim në rang institucioni, që quhet shtet dhe se kjo e drejtë që ky institucion të sundojë mbi njerëzit, e ka burimin nga feja, apo ndryshe nga Zoti. Për rrjedhojë, nga kjo buron edhe e drejta e pushtetit të disa njerëzve, mbi pjesën tjetër të njerëzve. Por, në këtë rast ky pushtet nuk ushtrohet, me përjashtim të rasteve kur kemi të bëjmë me Profetin e Zotit, nga individë, të cilët pretendojnë se janë zëdhënësit e Zotit në tokë, apo mishërimi i Tij i pagabueshëm mes njerëzve. Jo, e drejta për të ushtruar pushtetin, krahas respektimit të parimeve dhe ligjeve të Zotit, kalon edhe nëpër filtrin e kritereve morale dhe individuale që duhet të ketë njeriu i pushtetit, dhe ajo që dua të vë theksin këtu, është se legjitimiteti dhe mandati kalon nga populli, nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Pra, individi që ushtron pushtetin nuk është zëdhënësi i Zotit në tokë dhe as ai që qeveris njerëzit në emër të Tij, por ai që qeveris me emrin e Tij, pra, me ligjet dhe parimet e Tij, çka praktikisht do të thotë qeverisje me aftësinë e mangët njerëzore dhe si e tillë, ajo nuk është teokraci, por pushtet njerëzor në përpjekje të vazhdueshme për t’iu përmbajtur parimeve dhe ligjeve hyjnore. Ky pushtet i jepet atij, që bashkësia njerëzore, nëpërmjet njerëzve të saj vlerëson se është më i denji, por natyrisht, kjo zgjedhje nëpërmjet demos-it, nuk i jep atij për asnjë moment statusin e të pagabueshmit, hyjnorit dhe as të Profetit, dhe si i tillë, pushteti i tij nuk është absolut dhe as i pacenueshëm. Pra, e drejta buron nga Zoti, ndërsa legjitimiteti mbështetet nga bashkësia, ose ndryshe nga populli. E gjitha kjo mbështetet mbi tekste të shumta Kuranore dhe profetike, si dhe interpretimet përkatëse konsensuale ose jo, të dijetarëve të fesë. Pra, ashtu siç është edhe feja islame në fakt, parime dhe ligje hyjnore që burojnë nga fjala e Zotit dhe e Profetit, si dhe interpretime njerëzore që mbushin hapësirat e nevojshme, të lëna qëllimisht nga shpallja hyjnore. Në këtë këndvështrim, nuk kemi të bëjmë as me teokraci dhe as me demokraci, në format e tyre puritane, siç i treguam më sipër. Në këndvështrimin teokratik, gabimet njerëzore të pushtetit, nuk shihen kurrë si të tilla, pasi pushteti i njeriut dhe vullneti i tij, shihet si i shkrirë me atë të Zotit. Ndërkohë, në këndvështrimin demokratik, asnjë parim dhe asnjë ligj nuk qëndron mbi popullin që shihet si sovrani absolut dhe si të tilla, ato në çdo moment dhe kohë mund të ndryshohen, sipas ndryshimit të botëvështrimeve të njerëzve. Të dyja këto pikëpamje takohen në një pikë, që është dhënia e sovranitetit të plotë absolut njeriut, qoftë në pretendimin e rremë të teokracisë, se zëri i Zotit përfaqësohet te x individ, qoftë në pretendimin se disa parime, qofshin këto edhe madhore, mund të ndryshohen lehtësisht nga njerëzit. Ndërkohë, pikëpamja islame ngrihet mbi pandryshueshmërinë e parimeve dhe epshmërinë e praktikës njerëzore, që nuk cenon dhe as minon parimet, por iu përmbahet atyre me rigorozitet dhe i vendos ato në kontekstin e duhur njerëzor. E krahasuar me një parabolë Kuranore, ajo është pema me rrënjë të thella, që degët e saj shkojnë lart në qiell dhe që në çdo kohë jep fryte. Nisur nga kjo që thamë, mund të themi se askush nuk ka të drejtë të udhëheqë njerëzit në emër të Zotit, por edhe ata që udhëheqin me emrin e Tij, duhet më parë të marrin legjitimitetin nga burimi i tij, bashkësia përkatëse ose populli, përndryshe nuk kanë asnjë dallim nga sektet ekskluziviste të së vërtetës hyjnore dhe as diktatorët apo puçistët e çfarëdo lloj ngjyre.

/JUSTINIANTOPULLI/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit