Juristët islamë i përkufizojnë “Shoqëritë Tregëtare” si një marrëveshje midis ortakëve përsa i përket pjesës së kapitalit dhe fillimit.
Pra, tema e shoqërive tregëtare, duhet të mësohet nga të gjithë muslimanët, në mënyrë që të mund t’i zhvillojnë ato, jo vetëm ngaqë shoqëritë tregëtare janë pjesë e rëndësishmë e jetës sonë, por edhe për arsye se ato praktikohen në mënyrë të vazhdueshme nga njerëzit, për të realizuar interesat e tyre materiale, nëpërmjet shtimit të pasurisë, investimit dhe shkëmbimit të eksperiencave. ” Shoqëritë tregëtare” janë të lejuara në Islam dhe argument për këtë është Kur’ani, Tradita e të Dërguarit të Allahut a.s. dhe aprovimi i dijetarëve të mëdhenj të Islamit.
Allahu në suren En-Nisa thotë: “Dhe ata janë ortakë në një të tretën”,- dhe po ashtu në suren Sad thotë: “Dhe në të vërtetë shumë prej ortakëve i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besuan dhe kryen vepra të mira, por ata janë vetëm pak”.
Kurse i Dërguari i Allahut a.s. na rrëfen: “Allahu i Madhëruar thotë: “Unë jam i treti i dy ortakëve përderisa asnjëri prej tyre nuk ka tradhëtuar tjetrin dhe në qoftë se njëri prej tyre tradhëton tjetrin Unë dal prej tyre”. Pra, kur dy ortakë nuk e tradhëtojnë njëri-tjetrin, Allahu është me ta me begatinë, kujdesin dhe ruajtjen e Tij, ndërsa kur ata e tradhëtojnë njëri-tjetrin, Allahu e largon begatinë, kujdesin dhe ruajtjen e Tij.
Por, në të njëjtën kohë, duhet të kihet parasysh se në raste të tilla duhet të zgjidhet pasuria e pastër, hallall dhe të largohet pasuria ose kapitali i pisët apo haram.
Muslimanit i lejohet që të lidhë ortakësi me një jobesimtar, por me kusht që ortaku i tij të mos ketë ekskluzivitetin e të vepruarit me kapitalin e përbashkët, i cili duhet të jetë nën mbikqyrjen e muslimanit për arsye sigurie, sepse ndoshta ortaku i tij (i cili nuk është musliman) mund ta përdorë këtë kapital të përbashkët me kamatë ose në haram.
Shoqëritë tregtare në jurisprudencën islame ndahen në dy grupe të mëdha:
· Shoqëritë e pronësive, të cilat janë ato shoqëri, ku një pronë e kanë nën pronësi më shumë se një pronar pa aktmarrëveshje. Këto lloj shoqërish mund të jenë me pëlqim ose me detyrim:
1. Shoqëritë e pronësive me pëlqim janë kur p.sh. dy personave u jepet një pronë si dhuratë apo me testament dhe pas pranimit të tyre ata bëhen bashkëpronarë dhe në të njëjtën kohë edhe ortakë.
2. Shoqëritë e pronësive me detyrim, të cilat përfaqësojnë prona dhe pasuri të më shumë se një personi, që futen në pronësinë e tyre vetvetiu siç është trashëgimia. Në këtë rast shoqëria i njihet trashëgimtarëve edhe pa pëlqimin e tyre. E veçanta e këtyre shoqërive tregtare është se nuk lejohet që njëri nga ortakët të veprojë me pjesën e tjetrit pa lejen e tij, sepse askush në këtë rast nuk përfaqëson pjesën e tjetrit, pra ai konsiderohet si i huaj.
· Shoqëritë me aktmarrëveshje, të cilat njihen si të tilla kur dy ose më shumë persona lidhen në një aktmarrëveshje për të bashkëpunuar si ortakë në një sasi kapitali ku dhe marrin pjesë bashkarisht në fitimin që del prej tij. Zakonisht shoqëritë e lidhura me aktmarrëveshje ndahen në pesë pjesë:
1. Shoqëritë e punës dhe kapitalit: formohen kur dy ose më shumë persona bashkojnë kapitalet e tyre, duke formuar kështu një fond të vetëm, të cilin e vënë në qarkullim së bashku, ose njëri prej tyre, të cilit i takon fitimi më i madh. Në këtë lloj shoqërie nuk është kusht që kapitali dhe liria e veprimit të jetë e njëjtë, pra, është e pranueshme që kapitali i njërit të jetë më i madh se i tjetrit, apo që njëri prej ortakëve të jetë përgjegjës për pjesën e tjetrit. Në këtë mënyrë ortakëve u lejohet që ta ndajnë ose jo fitimin në mënyrë të barabartë.
Dijetarët kanë mendime të ndryshme në rastin kur kapitali i shoqërisë është i përbërë nga para dhe mall.
Disa dijetarë mendojnë se kjo lloj ortakërie nuk lejohet, sepse vlerat e tyre mund të rriten para shitjes, pa u rritur vlera e tjetrit dhe në këtë mënyrë njëri nga ortakët përfiton nga kjo rritje në pjesën e tjetrit. Kurse disa dijetarë të tjerë kanë mendim tjetër, i cili është edhe mendimi më i saktë, duke thënë se qëllimi kryesor i formimit të shoqërisë tregëtare është liria e veprimit në të dy kapitalet së bashku dhe ndarja e fitimit midis tyre dhe kjo mund të ndodhë si me mallin ashtu edhe me të hollat.
Vlen të theksohet se, prej kushteve të kësaj lloj shoqërie është që fitimi të jetë i njohur për të dyja palët, duke e përcaktuar saktë atë. Si p.sh. një e treta, apo tre të katërtat e fitimit. Nëse fitimi i çdo ortaku nuk do të ishte i përcaktuar mirë, kjo do të sillte mosmarrëveshje dhe konflikte midis ortakëve, gjë të cilën e ndalon feja e pastër Islame, e cila nuk i pranon dëmet dhe mashtrimet.
2. Bashkimi i kapitalit të njërit ortak me punën e tjetrit.
Ky lloj bashkëpunimi ka ekzistuar në kohën e të Dërguarit të Allahut, i cili e ka lejuar atë. Po ashtu transmetohet një gjë e tillë edhe nga Umeri, Othmani, Aliu dhe Ibn Mesudi.
Përcaktimi i pjesës së fitimit në këto lloj shoqërish, i përket ortakëve. Nëse pronari i kapitalit, i lejon punëtorit të bëjë tregëti me kapitalin e tij dhe fitimin ta ndajnë midis tyre, kjo do të thotë se fitimi ndahet përgjysëm. Dhe nëse bie dakord me punëtorin që tre të katërtat ¾ e fitimit, ose një të tretat e tij 1/3, punëtori duhet t’ia kthejë atij, atëherë kjo është e lejuar. Në rast se njëri prej ortakëve cakton pjesën e tij në fitim, atëherë pjesa e tjetrit është plotësisht e njohur.
Në rast se pronari i kapitalit dhe punëtori kanë mosmarrëveshje rreth pjesës së fitimit të kushtëzuar, atëherë ajo i përket punëtorit për punën e bërë. Punëtori mund të kushtëzojë një pjesë të madhe ose të vogël prej fitimit. Kjo varet nga vështirësia e punës. Por sidoqoftë, pjesa e fitimit të punëtorit duhet të caktohet me kusht, kurse ajo e pronarit të kapitalit i takon atij nga pjesa e kapitalit të vënë në punë dhe jo me kusht.
Në këto lloj shoqërish lejohet aktmarrëveshja për një kohë të caktuar, si p.sh. kur zotëruesi i kapitalit i thotë punëtorit: “Do punosh me këto para për një muaj”. Po ashtu aktmarrëveshja e shoqëruar me një kusht lejohet, si p.sh. kur pronari i kapitalit i thotë punëtorit: “Kur të vijë filan muaj do të punosh, apo tregëtosh me këto para”. Ose i thotë: “Kur të marrësh paratë nga filani, bëj tregëti me to”.
Nuk i lejohet punëtorit të punojë me kapitalin e dikujt tjetër, nëse kjo dëmton kapitalin e të parit, vetëm se me lejen e ortakut të parë. Punëtorit nuk i lejohet që një pjesë të kapitalit ta shpenzojë për udhëtime apo për diçka tjetër, vetëm nëse ja kushtëzon diçka të tillë të zotit të parasë dhe kjo për arsye se ai punon për të fituar një pjesë të fitimit nga ky kapital dhe nuk i takon të marrë me tepër, vetëm nëse e kushtëzon në aktmarrëveshje diçka të tillë, apo me lejen e të zotit të kapitalit.
Në këto lloj shoqërish, fitimi nuk ndahet pa mbaruar aktmarrëveshja, vetëm nëse palët bien dakord. Kjo për arësye se fitimi është mbrojtës i kapitalit, sepse mund të ndodhë që në një situatë të caktuar të pësohet humbje. Punëtori besnik duhet t’i frikësohet Allahut për amanetin që i është besuar.
3. Shoqëritë e afrimitetit dhe reputacionit.
Shoqëritë e afrimitetit dhe reputacionit formohen nga dy ose më shumë persona të cilët nuk zotërojnë kapital, por blejnë dhe shesin mallra duke u bazuar në afërsinë familjare ose të reputacionit që ka njëri apo tjetri ortak, duke qenë kështu pjesëtar në fitimin e realizuar, sipas përqindjes që kanë rënë dakord. I Dërguari i Allahut thotë: “Muslimanët i përmbahen kushteve që kanë vënë”.
Çdo ortak është zëvendës për shokun e tij dhe garantues i pagesës për të, sepse kjo lloj shoqërie ngrihet mbi bazën e zëvendësimit dhe garancisë.
Secili prej ortakëve është përgjegjës për humbjet në atë masë që i përket atij prej shoqërisë tregëtare. Gjithashtu secilit prej ortakëve i takon pjesa e fitimit sipas masës që janë marrur vesh midis tyre, gjysma, çereku apo një e treta; kjo sepse njëri prej ortakeve mund të jetë më i sigurtë dhe më i dëshirueshëm nga tregëtarët se tjetri, ose puna që kryen njëri ndryshon nga puna që kryen tjetri, gjë që i jep mundësinë të kërkojë më tepër pjesë në fitim.
4. Shoqëritë e punës së krahut
Shoqëritë e punës së krahut formohen kur dy ose më shumë persona kryejnë një punë të caktuar dhe ndajnë të ardhurat midis tyre sipas marrëveshjes. Këto lloj shoqërish, ndodh shpesh të formohen nga firmat e mesme e që zotërojnë mirë zanatin e tyre. Këto lloj sipërmarrjesh janë të lejueshme pa marrë parasysh nëse zanati i tyre është i njëjtë apo jo dhe pa marrë parasysh nëse punojnë apo jo së bashku.
Argument për lejueshmërinë e këtyre sipërmarrjeve është transmetimi i Ebu Daudit, Nesaiut etj, nga Ibn Mesudi që thotë: “U bëmë ortakë unë, Umeri dhe Sadi për plaçkën që do të zinim ditën e Bedrit, Sadi erdhi me dy robër, kurse unë dhe Umari nuk sollëm gjë”. Ahmedi thotë: “I Dërguari Allahut i bëri ortakë që të gjithë”.
Në rast se njëri prej ortakëve sëmuret, atëherë fitimi i ortakut tjetër ndahet midis të tjerëve, duke u bazuar në hadithin e mëposhtëm. Nëse i shëndoshi i kërkon të sëmurit që dikush ta zëvendesojë në punën e tij, atëherë kjo është e domosdoshme të bëhët nga i sëmuri, sepse ata janë futur për të punuar dhe nëse një ortak nuk ka mundësi të punojë vetë, atëherë duhet që dikush ta zëvendësojë dhe në rast të kundërt ortaku i shëndoshë ka të drejtë të prishë aktmarrëveshjen.
5. Shoqëritë e pjesës së barabartë
Këto lloj shoqërish formohen midis dy ose më shumë ortakëve në këto kushte:
· Barazia në kapital dhe në rast të kundërt shoqëria prishet.
· Barazia në të drejtën e veprimit me kapitalin. Në këtë rast prishet aktmarrëveshja midis fëmijës dhe të pjekurit.
· Barazia në fe. Në këtë rast nuk ndodh aktmarrëveshja midis muslimanit dhe jobesimtarit.
· Të jetë çdo ortak zëvendës dhe garantues ndaj tjetrit në blerje dhe shitje, sepse e drejta e veprimit e njërit prej ortakëve nuk duhet të jetë më e madhe se e tjetrit.
Fitimi ndahet midis tyre në masën që kanë rënë dakord dhe humbja sipas pjesës në kapital.
Genc Plumbi
Burimi: revista “JEHONA”