Shkollat palestineze në Kudsin Lindor të pushtuar hynë në grevë sot si shenjë proteste ndaj përpjekjeve izraelite për të imponuar libra shkollorë që palestinezët thonë se synojnë të zhdukin identitetin e tyre kombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).
Greva njëditore u organizua si përgjigje të një thirrjeje nga një koalicion i fraksioneve kombëtare dhe islame në qytet.
“Ne kundërshtojmë përpjekjet e Izraelit për të imponuar kurrikulën e tij. Ne nuk do të pranojmë asgjë përveç kurrikulës palestineze për edukimin e fëmijëve tanë”, theksoi koalicioni në një deklaratë.
“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare që të ngrihen dhe të frenojnë okupimin (izraelit) dhe degët e tij ekzekutive dhe të mbrojnë institucionet tona arsimore”, thuhet më tej.
Kreu i Qendrës së Kudsit për të Drejtat Sociale dhe Ekonomike, Ziad al-Hammouri tha se palestinezët janë “të vetëdijshëm për sulmin izraelit” në shkollat e tyre.
“Greva është një formë e refuzimit të kurrikulës së shtrembëruar që autoritetet izraelite po përpiqen t’u imponojnë nxënësve tanë, e cila synon të fshijë identitetin palestinez dhe fetar”, tha Al-Hammouri për AA.
Javët e fundit, një numër shkollash ishin kundër, siç thonë ata, përpjekjes së Tel Avivit për “izraelizimin” e arsimin në qytet.
/aa