-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Shifrat e qendrës Pew: muslimanët amerikanë, të shqetësuar për vendin e tyre në shoqëri

Më të lexuarat

Vëzhgimet gjejnë se muslimanët ndjehen të huaj në shoqëri, të pakënaqur me presidentin e tyre dhe se janë shënjestër e diskriminimit.

Ditët e para të presidencës së Donald Trump shkaktuan ankth midis muslimanëve amerikanë, shumë prej të cilëve raportonin shqetësim për vendin e tyre në shoqërinë amerikane. Të dhënat dalin nga një vëzhgim i ri, në të cilin gjysma e 1001 të anketuarve kanë raportuar se ndjejnë se është bërë më e vështirë të jesh musliman. 48 për qind e të anketuarve thonë se kanë përjetuar të paktën një incident diskriminimi gjatë vitit të fundit.

Qendra kërkimore Pew thotë në raportin e saj se muslimanët në Shtetet e Bashkuara “perceptojnë shumë diskriminim ndaj grupit të tyre fetare, janë të druajtur ndaj presidentit Trump dhe mendojnë se bashkëpatriotët e tyre amerikanë nuk e shohin Islamin si pjesë e shoqërisë normale amerikane”.

Organizata vlerëson se janë 3.35 milionë muslimanë të të gjitha moshave që jetojnë në Shtetet e Bashkuara – nga 2.75 milionë në vitin 2011 dhe 2.35 milionë në vitin 2007.

Gati dy të tretat e muslimanëve amerikanë të përfshirë në vëzhgim thanë se janë të pakënaqur me drejtimin që po marrin Shtetet e Bashkuara dhe 74 për qind thanë se Trump është jo-miqësor ndaj amerikanëve.

Të pyetur nëse “Donald Trump ju bën të ndjeheni të shqetësuar?”, 68 për qind thanë “po”.

Gjetjet e raportit shënojnë një kthesë të mprehtë që prej vitit 2011, kur ishte president demokrati Barak Obama. Në atë kohë, pjesa më e madhe e muslimanëve mendonin se vendi po shkonte në drejtimin e duhur dhe e shihnin presidentin si miqësor ndaj tyre.

Rreth një e treta e të anketuarve raportuan se trajtohen me dyshim, ndërkohë që gati një në pesë prej tyre thanë se janë thirrur me emra ofendues apo janë veçuar gjatë kontrolleve nga sigurimi në aeroporte.

Rreth 6 për qind raportuan se janë kërcënuar fizikisht apo edhe sulmuar, sipas qendrës Pew.

Një grua muslimane e përfshirë në anketim, që vishte nikab, tha për qendrën kërkimore se e kishin quajtur “terroriste” në një autobus të transportit publik.

“Askush nuk më erdhi në mbrojtje”, tha ajo. “Nëse mbulon fytyrën, njerëzit supozojnë se je e rrezikshme. Unë nuk vesh më nikab’, tha ajo.

Gati një e treta e të pyeturve thanë se kishin parë grafite anti-muslimane në lagjen e tyre gjatë vitit të kaluar.

Media amerikane e mbulon Islamin në mënyrë të padrejtë, më shumë se gjysma e të anketuarve e konstatuan një gjë të tillë.

Vëzhgimi i Pew pason një raport të publikuar javën e kaluar nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame, një grup avokatie musliman, që nënvizonte se abuzime islamofobike janë shtuar me 91 për qind në gjysmën e parë të vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithsesi, në gjetjet e Pew ka nota optimizmi. Nëntë ndër dhjetë të anketuar thanë se ishin krenarë për të qënit si amerikanë ashtu edhe muslimanë.

Dhe numri i muslimanëve amerikanë që thonë se kanë marrë shprehje të mbështetjes gjatë vitit të kaluar, është rritur, me 49 për qind që thonë se dikush ka shprehur simpati për ta për shkak të besimit të tyre, krahasuar me 37 për qind në vitin 2007.

Gjashtë në dhjetë muslimanë amerikane thonë gjithashtu se kanë shumë gjëra të përbashkëta me amerikanët e zakonshëm.

Vëzhgimi nxori në pah po ashtu, se muslimanët ndajnë të njëjtat shqetësime të publikut të gjerë për “ekstremizmin” fetar me 80 për qind të tyre që thonë se janë vërtet të shqetësuar.

“Në të vërtetë, nëse ka ndonjë gjë për shqetësim, muslimanët mund të jenë më të shqetësuar sesa jo-muslimanët për ekstremizmin në emër të Islamit”, raporton Pew.

“Megjithatë, pjesa më e madhe e muslimanëve thonë se ka pak mbështetje për ekstremizmin në komunitetin musliman të Shteteve të Bashkuara, dhe pak të tjerë thonë se mendojnë se dhuna ndaj civilëve mund të justifikohet nga kauza fetare, politike apo sociale”, shton raporti.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit