2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

“(PA)PËRGJEGJËSIA NË TRAFIK”

Më të lexuarat

“(PA)PËRGJEGJËSIA NË TRAFIK” – Dr. Shefqet Krasniqi

Pa dyshim njerëzimi ka arritur të zbulojë e shpikë shumë gjera të cilave ua ka parë hairin dhe vazhdon t’ua shoh. Ndër to është edhe përparimi teknologjik, i cili, krahas dëmeve anësore, po i sjellë dobi njerëzimit në shumë sfera përfshirë edhe trafikun apo komunikacionin. Këto të mira, fal Zotit, po i gëzojmë edhe neve sot duke pasur parasysh se pothuajse çdo shtëpi sot ka makinë, madje disa kanë edhe nga dy e më shumë. Sido që të jetë, teknologjia në përgjithësi, krahas të mirave dhe anëve pozitive, ka edhe anën e vet negative; jo pse makinat, në këtë rast, janë të dëmshme si makina por për shkak se ngasësit e tyre janë të pakujdesshëm dhe i keqpërdorin ato. Nga këto pakujdesi dhe abuzime me makina thuajse për çdo ditë ndodhin aksidente madje jo rrallë edhe fatale. Rasti i fundit në zonën e Llapit, ku një polic mbyti dy vëllezër dhe lëndoi tre të tjerë, si rezultat i shpejtësisë së pakontrolluar dhe pakujdesisë në ngasje, kësaj çështjeje sikurse i vuri kapak. Për rastin u njoftova përmes mediave, ani pse nuk i njihja nuk munda të rri pa shkuar t’i vizitojë e tu shpreh ngushëllime. Por, më tregoni ju lutem, çka t’u thotë njeriu familjarëve në këso raste? Mos u mërzitni se ua ka shkelë polici djemtë?! E pse me i shkelë polici, kur ai është që vë rregull apo së paku duhet të ruaj rëndin në komunikacion. A mos vallë nuk vlejnë rregullat për policë, pasi që ata i vendosin ato, ashtu siç nuk po vlejnë ligjet për qeveritarë?! Apo mos ndoshta së pari policët kanë nevojë për vetëdijesim, kanë nevojë për t’ua kujtuar se jeta e njeriut është shumë e shtrenjtë. Në fakt, nga përditshmëria po mësojmë se qeveritarët, biznesmenët, ‘komandantët’, policët dhe me një fjalë të gjithë ngasësit e veturave zyrtare janë më të pakujdesshmit në ngasje ose ngasin gjithherë me vrull. Nuk ka askush të drejtë ta anashkalojë jetën e askujt e as ta nënvlerësojë atë. Njeriu i mirë dhe besimtari i ndershëm duhet të kujdeset edhe për zogj të mos i shkelë kur të kalojë nëpër vendbanime, e lëre më për njerëz. Shoqëria jonë me shumicë absolute jemi musliman, e ne e dimë fortë mirë sesa shumë rëndësi i ka dhënë Allahu jetës së njeriut, kur krahasuar mbytjen e një njeriu me mbytjen e gjithë njerëzimit:

“…se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit…” (Kur’ani: el-Maide:32)

Njeriu për çdo vepër që bënë në këtë dynja ka për tu pyetur për të në botën tjetër sado e vogël qoftë ajo vepër, e mos të flasim kur është në pyetje jeta e njeriut. Nuk ka krim më të madh që mund të bëjë njeriu sesa vrasja e qëllimtë, ani pse mbytja në komunikacion nuk konsiderohet e qëllimtë, por konsiderohet gjysmë e qëllimtë, apo që i përngjanë mbytjes me paramendim, në veçanti nëse ngasësi nuk respekton rregullat përkatëse. Madje nëse ai/ajo nget makinën me çmenduri, siç ndodhë jo rrallë herë dhe bënë ndonjë skandal, ai ka marrë në qafë vetën dhe të tjerët.

Fetarisht, nëse për mbytjet e kësaj natyre nuk parashihen dënimet e caktuara, dënimi me vdekje, megjithatë, një masë ndëshkimi ka. Përveç pagimit të gjakut, gjykatësi ka të drejtë që si masë vetëdijesuese ta dënojë dhe me dënime tjera. Por, nuk do të doja që trajtimi i kësaj dukurie të diskutohet vetëm nga ky këndvështrim juridik. Unë dua të di se çfarë përjetojnë ata që mbysin njerëzit në komunikacion, ç’ndërgjegje kanë, si ndihen?

Mendoj se është çasti i fundit kur shteti duhet të ndërmarrë diçka për ta parandaluar këtë dukuri. Ministria e Infrastrukturës respektivisht Departamenti i Komunikacionit duhet të bëjë të pamundurën të vendosë shenjat në çdo cep të rrugës. Dyshoj që ka ndonjë vend tjetër në Evropë që i mungojnë shenjat e komunikacionit sa Kosovës. Si ka mundësi që të mos jemi në gjendje t’i vendosim vetëm disa vija të bardha në mes të rrugës e ca të verdha në skaje të saj, ndërsa paguajmë dyzetë euro në vit për çdo makinë në emër të taksave rrugore. Domethënë paraja nuk mungon, por interesimi i qeveritarëve dhe sinqeriteti i tyre. Pastaj patrullat e policisë duhet të jenë ma të shpeshta, në veçanti në vendet e populluara. Policia duhet të vendos pika të cilat vërehen nga qytetarët, e jo të fshihen pas ferrave e drunjve. Ky veprim nuk është i drejtë e aq më pak njerëzor, sepse kështu nuk po ndalen aksidentet por vetëm po gjobitën njerëzit. Ndaj synimi i shtetit nuk guxon të jetë gjobitja dhe mbledhja e parave nga qytetarët, por synimi i tyre të jetë parandalimi i fatkeqësive. E kur njerëzit e dinë se ka pika policore të gjithë ngadalësohen dhe kështu evitohet rreziku. Gjithashtu duhet sensibilizim i qytetarëve, duhet kujtuar njerëzve për vlerën e jetës së njeriut dhe rrezikun që ka makina. Sa shumë njerëz harrojnë se pikërisht makina më e avancuar mundë të jetë më vdekjeprurëse. Mbesim me shpresë që qeveria jonë dhe shoqëria në përgjithësi do të vetëdijesohen e t’i kushtojnë më shumë rëndësi jetës së njeriut, sepse ajo nuk është lule që qelë çdo pranverë. Allahu na drejtoftë të gjithëve, e deri javën e ardhshme selam alejkum.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit