-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Një kilometër autostradë, 12 milionë euro

Më të lexuarat

Gati një miliard euro i ka shpenzuar deri më tash Qeveria e Kosovës për ndërtimin e autostradës nga pika kufitare e Morinës me Shqipërinë, e deri në fshatin Besi të komunës së Prishtinës.

Bërë një përllogaritje del se ndërtimi i një kilometri autostradë, duke përfshirë këtu edhe shpronësimin e tokave, ka arritur në 12 milionë euro.

Zyrtarë nga Ministra e Infrastrukturës (MI) bëjnë të ditur se punimet janë kryer në bazë të dinamikës së paraparë për rreth 44 muaj. Sipas tyre e gjithë autostrada i ka diku 78 kilometra, e ku në kuadër të saj janë ndërtuar 15 ura, 31 mbikalime dhe 27 nënkalime.

“Autostrada ‘Ibrahim Rugova’ ka kushtuar rreth 800 milionë euro”, është përgjigjja e zyrës për informim të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndërkaq, sa i përket shpronësimeve të tokave të cilat janë shfrytëzuar për ndërtimin e autostradës, vlera e tyre sillet përafërsisht prej rreth 124 milionë euro, kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Ambientit.

“Vlera totale e të gjitha shpronësimeve të autostradës për të gjitha segmentet, sillet përafërsisht prej rreth 124 milion euro”, ka thënë Kreshnik Berisha, këshilltar në këtë ministri.

Sipas tij, nga viti 2010 e deri tani janë paguar rreth 103 milion euro, ndërkaq sipas tij pjesa tjetër janë pronarë që nuk kanë aplikuar për kompensim, apo janë në procedura të aplikimit. Por, sipas tij ka dhe raste që janë në procedura gjyqësore për vërtetim të pronësisë.

Ndërkaq, numri i personave të cilët janë të përfshirë në shpronësimin e tokave sipas zyrtarëve të Ministrisë së Ambientit, përafërsisht është rreth 5 mijë e 720 persona. “Rreth 4 mijë e 216 pronarë të tokave i kanë marrë paratë për shpronësimet e tokave , ndërkaq, 1 mijë e 504 prej tyre kanë mbetur ende pa i marrë”, ka thënë Gëzime Hasani, këshilltare në këtë ministri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit