-0.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Namazgjaja – Tiranë

Më të lexuarat

Vendndodhja: Rruga e Elbasanit (përbri Kuvendit të Shqipërisë), Jug-Lindje.

Mesi i shek. XIX

Një nga vendet më karakteristike të shek. XIX është edhe rregullimi i Namazgjasë nga Ahmet Bej Toptani, i biri i Abdurrahman Toptanit[1]. Namazgjaja gjendet sot e kufizuar me rrugën e Elbasanit, rrugës së Kuvendit të Shqipërisë, bulevardit Zhan d’Ark dhe Shtëpisë së Oficerëve, me një sipërfaqe trualli rreth 4,000 m2. Me rregullimin e rrugës së Elbasanit dhe zgjerimin e saj, kjo sipërfaqe është pakësuar në rreth 2800 m2. Namazgjaja është e vendosur në juglindje të Sheshit Skënderbej. Ky shesh i gjelbëruar u rrethua me mure guri dhe me selvi karakteristike, ku disa prej tyre kanë mbijetuar edhe sot. Ky vend iu përkushtua faljeve të dy bajrameve, të Ramazanit dhe të Kurbanit, gjithashtu u përdor edhe për mbledhje të ndryshme të qytetarëve tiranas, të cilët mblidheshin zakonisht të Rrapi i Tabakëve në fillim të rrugës Ali Demi[2]. Kështu, veç ndërtesave të bukura të kultit dhe rrugëve të gjera kryesore, të shoqëruara me kanale uji të rrjedhshëm anash që ndihmonin në pastrimin e qytetit, qendra e Tiranës u pajis edhe me një shesh tërheqës të gjelbëruar “namazgjah”. Ai përdorej gjatë verës për mbledhjet e qytetarëve dhe faljet e tyre gjatë muajit të ramazanit dhe bajramit[3], edhe në vitin 1946 aty është falur namazi i Bajramit. Këtu duhet të kemi parasysh se për faljen e bajrameve dhe atyre të ramazanit merret parasysh kalendari hënor hixhri, i cili është i përbërë nga 355 ditë, pra, 10 ditë më pak nga ai diellor. Tradita e faljes së bajrameve në sheshin e Namazgjasë u rikthye pas shumë vjetësh ndërprerjeje në vitin 1993, por për pak kohë. Po në këtë vit u vu guri themelues i një xhamie të re me përmasa të mëdha, ashtu siç i takon Tiranës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe autoritetet lokale me kryetarin e atëhershëm të bashkisë, si dhe përfaqësuesit e lartë të Komunitetit Musliman. Xhamia ende nuk është ndërtuar, ndërsa tradita e faljes kaloi nga sheshi i Namazgjasë, i cili nuk le shumë vend për besimtarët nga pemët e shumta të mbjella, në sheshin Skënderbej, në krah të xhamisë së Et’hem Beut për herë të parë më 2003. Tradita e faljes së bajrameve në sheshin Skënderbej vazhdon edhe sot dhe do të vazhdojë, si një nga traditat e vjetra të muslimanëve tiranas.

Marrë nga libri i Roald A. Hysa “Historiku i xhamisë qytetëse shqiptare- Xhamitë e Tiranës”

http://aldohysa.blogspot.com


[1] Frashëri, Kristo; Historia e Tiranës, vëll. 1, botimet Toena, Tiranë 2004, fq. 177.
[2] Po aty, fq. 177.
[3] Shkodra, Zija; Qyteti shqiptar gjatë rilindjes kombëtare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1984, fq. 414.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit