Redi Shehu
Ju kujtohet ? Ishin 128 vota kundër, 35 abstenime dhe vetëm 9 vota pro në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara për të anuluar vendimin e njëanshëm të SH.B.A-ve për transferimin ambasadës së tyre nga Tel-Aviv në Jeruzalem, në Dhjetor të 2017-tës. Në fakt, transferimi i ambasadës ishte pararendësja e kësaj që ndodhi tani. Ishte preludi i “Marrëveshjes së shekullit” të propozuar nga Presidenti Trump drejtuar jo palestinezëve, por të gjithë botës. Asokohe vendimi i 128 kombeve për të refuzuar një farë autoritarizmi kaubojs të administratës Trump në Lindjen e Mesme, ishte përgjigja më e mirë për të treguar se gjërat mund të zgjidhen me mjete dhe forma më konsensuale. Të shtyrë nga presioni elektoral i fushatës që ka filluar në SH.B.A, Trump dhe Kushner, duke ndjekur shembullin e Netanjahut, i cili po ashtu në Mars ka zgjedhje dhe një përballje me gjykatën për korrupsion, ofruan një plan-marrëveshje të hartuar vetëm nga njëra palë pa dijeninë e palës tjetër.
Ata e cilësuan planin e marrëveshjes për konfliktin izraelo-palestinez, pas 70 vitesh luftëra, gjenocid, spastrim etnik, aparteid, si “Marrëveshja e shekullit”. E ofruar në një pjatë argjendi të historisë, të mbuluar me copën okulte të fshehtësisë dhe me thikë e pirunj të rreshtuar nga ana izraelite. Sh.B.A-të vijnë në hartimin e kësaj marrëveshje, sidomos pas aktit të transferimit të ambasadës në Jeruzalem, tashmë të zhveshur nga asnjanësia politike, por si palë në këtë konflikt. Me t’u zbuluar ky plan, secili e kupton se këtu nuk kemi të bëjmë më një “Marrëveshje të shekullit” por me një “Privatizim të shekullit”, privatizim të shenjtërisë së Jeruzalemit në favor të qeverisë së Netanjahut.
Një marrëveshje e cila propozon vendbanime ilegale izraelite ne Bregun Perëndimor si tokë e Izraelit, që injoron rezolutën 242 të OKB dhe njeh Jeruzalemin Lindor dhe atë Perëndimor si kryeqytet të Izraelit një dhe të pandarë, që nxjerr jashtë loje marrëveshjet “Oslo 1” dhe “Oslo 2”, që nuk adreson kthimin e refugjatëve palestinezë në tokat e tyre si dhe kthimin e rajoneve të marra me dhunë nga izraelitët. Që ia njeh padrejtësisht kontrollin e Luginës Jordan dhe Lartësive Golan Izraelit, që e rrethon tërë Bregun Perëndimor nga territor izraelit duke e copëzuar në atë formë sa palestinezët të jetojnë në një entitet të thërrmijëzuar dhe të pabashkueshëm pa thelb territorial.
Kur nuk ka thelb territorial nuk ka sovranitet dhe kur nuk ka sovranitet, nuk ka shtet. Mbrojtjen, kufijtë dhe sigurinë, tregtinë dhe lëvizjen e lirë, hapësirën ajrore, ujore dhe nënujore, si dhe telekomunikacionin e palestinezëve, ia njeh si domein të Izraelit. Pasi ka pezulluar ndihmat për Autoritetin Palestinez, ka transferuar ambasadën e tij në Jeruzalem dhe ka ndaluar ndihmat në OKB për kthimin e refugjatëve palestinezë, Trump-Kushner vendosen në pozicionin e “negociatorit të pavarur” për t’i ofruar palëve një marrëveshje. Kjo është një marrëveshje e vdekur që pa lindur akoma për të varrosur një herë e mirë kauzën palestineze. Ky është një draft që propozon luftë dhe jo stabilitet. Në fund të fundit, pse duhet të habitemi? Trump bëri atë që di të bëjë më mirë, ndezjen e flakës dhe jo shuarjen e saj.
Po të shikosh hartën e propozuar të “Marrëveshjes së shekullit”, e kupton se palestinezët ndodhen brënda një “placente” të copëzuar nga dhjetra çarje nga kolonitë ilegale izraelite, e cila ndodhet e mbeshtjellë brënda territorit hebre, duke i shkëputur palestinezët e Bregut Perëndimor nga lidhja e tyre me Jordaninë dhe Sirinë. Palestinezët mbesin pa Jeruzalemin kryeqytet, duke ia privatizuar të gjithin izraelitëve në kundërshtim me statusin e këtij qytetit si “corpus separatum” të dhënë nga Liga e Kombeve që në vitin 1947. Të 500.000 mijë izraelitët të shpërndarë në 100 vendbanime ilegale kolone në Bregun Perëndimor, në kundërshtim me të gjitha rezolutat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, me planin Trump, kthehen në toka të Izraelit. Rezoluta e fundit e Këshillit të Sigurimit e aprovuar me 14 vota pro dhe 1 abstenim në Janar të 2017-tës, pak minuta pasi Trupm hyri në zyrën ovale, bënte thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të ndërtimeve kolone të paligjshme në tokat palestineze. Me pak fjalë, Trump-Kushner-Netanjahu propozojnë që e paligjshmja të marrë statusin e të ligjshmes dhe e panegociueshmja si nderi, toka dhe liria, të negociohen pa kushte dhe pa dinjitet.
“Marrëveshja e turpit” e cila anashkalon të gjitha organizmat ndërkombëtarë shpërfaqet si një institucion që i mbivendoset çdo norme në marrëdhënieje ndërkombëtare të aprovuar dhe të njohur nga vetë SH.B.A-të. Kjo marrëveshje e propozuar në mënyrë të njëanshme, është një ripërsëritje e historisë e cila na kujton rastin e aparteidit në Afrikën e Jugut. Në të njëjtën mënyrë, në formën e copëzave të grumbulluara diku ne cepat e Afrikës së Jugut, u projektuan të famshmet Bantun Homelands si simboli i aparteidit në këtë vend. Një soj shteti me ngjyrë u bë vendbainimi i afrikanëve duke u futur në histori si akti i cili justifikoi ndarjen territoriale dhe politike bazuar në racën e njerëzve, duke i lënë veçmas të bardhët dhe të zinjtë. Qeverisjet e asaj kohe të Afrikës së Jugut, ndërmorën masa të tilla, të cilat u futën edhe në kushtetutën e vitit 1971, me qëllimin e vetëm që të krijonin një maxhorancë fiktive njerëzish të bardhë brënda një maxhorance reale njerëzish me ngjyrë, përmes ndalimit të këtyre të fundmëve nga të drejtat politike dhe civile në atë shoqëri.
Në të njëjtën mënyrë, plani Trump përmes kësaj marrëveshjeje, fizikisht dhe politikisht i ndan palestinezët në tokat e tyre, në formën e enklavave të pa-puthitura me njëra-tjetrën, ngjashëm si gurë zhavorri të shpërndarë në të gjithë Bregun Perëndimor. Ashtu si Bantun Homelands, edhe harta e re Trump, i privon palestinezët nga të drejtat bazë për të kontrolluar shtetin e tyre dhe përpiqet të ndërtojë një maxhorancë fiktive izraelite në një territor me popullsi arabo-palestineze e cila është e njëjtë për nga numri me ta. Ashtu si aparteidi i banorëve të Bantunit, edhe palestinezëve u ofrohet një zgjidhje aparteidi pa të drejta politike dhe civile mbi një territor i cili prej shekujsh ka qenë i tyri. Ashtu si qeveria e aparteidit në Afriken e Jugut i copëzonte dhe u premtonte një shtet të pavarur brenda trojeve të tyre, edhe “plani i paqes” i Trump u premton palestinezëve copëza të pavarësisë brenda lirisë dhe sovranitetit të tyre.
Për zgjidhjen e konfliktit të gjatë izraelo-palestinez ka pasur vetëm tre variante. I pari ka qenë konceptuar si zgjidhja brënda një shteti unitar me pjesëmarrjen e dy popujve brenda tij, palestinezëve dhe izraelitëve në qeverisje. Ky, sigurisht që është edhe plani më utopik për t’u realizuar. I dyti, ka qenë varianti i shfarosjes së njërës palë nga territori aktual, ndërsa varianti i tretë, më i mundshmi dhe i promovuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, ka qenë varianti i ekzistencës së dy shteteve paralele me administrime të ndara dhe me Jeruzalemin kryeqytet të ndarë për të dy popujt. Me “Marrëveshjen e shekullit” kuptojmë se varianti i parë dhe i tretë është i pamundur. Ajo që ofrohet në afatgjatë është zgjidhja sipas variantit të dytë.
Pavarësisht përpjekjeve, kulisave dhe intrigave, ajo që ka triumfuar gjithmonë, përmes shumë sakrificash, ka qenë e drejta. Nëse do të donim të gjenim të drejtën në rastin e këtij konflikti, atëherë duhet të na kujtohet shprehja e Sami Frashërit i cili thoshte se nëse në një luftë armët i rrëmbejnë gratë, atëherë e drejta qëndron nga ana e tyre.