12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Laicizmi i përkohshëm – RUDIAN ZEKTHI

Më të lexuarat

RUDIAN ZEKTHI

Ekuilibristi: Ti nuk do ta besosh, por gjithçka në këtë botë është e vlefshme, qoftë edhe ky guralec.
Xhelsomina: Për çfarë vlen?
Ekuilibristi: Nuk e di këtë, Zoti e di. Por, ama, e di që nëse ky guralec nuk vlen, atëherë asgjë nuk vlen, as yjet në qiell… Madje, as ti.
“La strada”, 1954, F. Felini

 

I. Ligjërimi politik shqiptar i këtyre tridhjetë vjetëve me kufizime të mëdha dhe deficite të papranueshme, pikërisht edhe përmes këtyre limiteve dhe mangësive, ka karakteristikat e veta, të cilat duhen identifikuar që të ndreqen. Por edhe duhen identifikuar që të njohim  më mirë veten si shoqëri.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi që ta bëjë këtë, sepse në fakt ka një tjetër qëllim: të arrijë të hedhë dritë mbi njërën prej arsyeve kryesore që ka shkaktuar këtë trajtë të ligjërimit politik shqiptar (nisur nga bindja se ka një lidhje organike mes të menduarit dhe ligjërimit, pra, që mendja nuk mund të jetë thjesht një pedanë nga ku kërcen ligjërimi, por ndryshon në varësi të ligjërimit të cilit i shërben). Thënë ndryshe, ngaqë nuk ka të menduar jashtë ligjërimit, ligjërimi është ena, kurse lënda brenda që merr formën e kësaj ene është mendja, e cila nga ana e saj përcakton formën me të cilën na shfaqet realiteti. Kurse ligjërimi vetë përftohet nga shtysa më e thellë e qenies, pra, çfarë konsideron qenia si destinacionin e saj ku më në fund do prehet tek e vërteta.

Do të shohim në vazhdim sesi këto premisa hedhin dritë mbi një dukuri të ligjërimit publik gjatë këtyre viteve të fundit, por që është bërë shumë e dukshme gjatë fushatës së tanishme për zgjedhjet politike. E kemi fjalën për kontrastin në ligjërim mes kreut të partisë në pushtet dhe kreut të opozitës. Ndërsa ligjërimi i të parit manifeston kapacitetin e pashtershëm për të folur pambarimisht për veten; duket se zotëron një mekanizëm automatik që çdo gjë për të cilën shprehet, çfarëdo qoftë ajo, person, informacion, dukuri, ngjarje, citat, shembull, ta instalojë në orbitën e një ligjërimi, qendra e të cilit është vetë prodhuesi i ligjërimit, me historinë e tij, me pandehmat e tij, me hallet e tij, me qëllimet e tij, me pubertetin e tij, me veset e tij, me rolet e tij, me peshën e tij, me gjatësinë e tij, me veshjet e tij, me vartësit e tij, me rivalët e tij. Për cilindo argument të bëhet fjalë, cilado qoftë topika, në thelb është thjesht një pretekst për të folur për veten, për të treguar se në këtë botë, në këtë kohë, në këtë vend, ka vetëm një gjë që ia vlen: të jesh ai. Gjithçka tjetër zhvlerësohet përballë rëndësisë së papërballueshme që ka përballimi prej tij i të qenit kaq i rëndësishëm.

Pra, vetja e tij është çështja më e rëndësishme, në fakt, çështja e çështjeve. Dhe në origjinë kjo është e natyrshme për çdo qenie njerëzore, për këdo çështja e vet, e suksesit apo dështimit të vet, është çështja kryesore. Vetja e vet është çështja kryesore e secilit, por rasti i prodhuesit të ligjërimit për të cilin po flasim është krejt tjetër: ai është i pushtuar nga pasioni që çështjen e tij ta shndërrojë në çështje kryesore të të gjithëve dhe ky pasion brutal nuk duket të jetë i shtirë, ky person beson, me sa duket (pa i ardhur zor prej kësaj), se s’mund të jetë ndryshe, përveçse pikërisht kështu.

Por si mund të realizohet kjo? Pra, cila është mundësia reale që dikush ta shndërrojë të veten e tij në çështje të të gjithëve? Në një epokë tjetër, kjo ka pasur vetëm një mundësi: dhunën brutale, pra, gjithë tiranët dhe despotët e kanë shndërruar çështjen e të qenit të tyre të posaçëm – idiosinkrezinë e tyre, në çështje të të gjithëve duke akumuluar dhe aktivizuar një fuqi të stërmadhe e duke ndëshkuar pa skrupull e mëshirë këdo. Por në kohën tonë është shtuar një mundësi e re: mund ta shndërrosh çështjen e vetes tënde në çështje të të gjithëve përmes mundësisë së mediave dhe rrjeteve sociale, duke komunikuar, duke ligjëruar apo më saktë duke i mbajtur në kontakt gjatë gjithë kohës, të gjithë. I rëndësishëm është ky kontakt i pandërprerë përmes një linje të pandërprerë dhe përmes një ligjërimi jo vetëm verbal të pandërprerë. Siç e kemi treguar, kjo mundëson automatikisht paturpësinë si kod dhe hiperrelitetin si media, por gjithashtu mundëson edhe veten si mesazh. Pra, gjithë kohës në komunikim me të gjithë, ndryshe komunikim i pambarimtë? Po si realizohet dot kjo, për çfarë mund të flasësh pambarimisht, cila është ajo çështje tek e cila konvergojnë të gjitha çështjet dhe që në thelb do të provonte se gjithçka është e lidhur me gjithçka?

Ne besojmë se ka realisht vetëm tri çështje që ia kanë dalë të inspirojnë qeniet njerëzore për një ligjërim permanent në përpjekje për të treguar se ekziston mundësia që kuptimi i çdo gjëje të lidhet me shpjegimin e çdo gjëje. Dhe vetja është njëra prej tyre, ose thënë ndryshe vetja e mbetur vetëm tashmë pa turpin, e shndërron gjithçka që prek në vete. Çfarëdo qoftë, persona, ngjarje, fenomene, shifra, citate, shndërrohen në tema të preferuara përmes lidhjes së posaçme që kanë me këtë vetje, që abrogon duke e zëvendësua edhe tjetrin, edhe faktet, edhe të vërtetën, edhe botën. Të gjitha këto nuk kanë më nevojë të ekzistojnë më vete, përderisa ekzistojnë të përfaqësuar te një vete totale.

(Mund të shkojë të përmendim këtu se në një shkrim për tërmetin të botuar në këtë gazetë, me titull pothuajse homonim me këtë, ne qortuam pafuqinë e shoqërisë shqiptare për t’i dhënë kuptim tërmetit. Në fakt, ajo çfarë bëri kreu i qeverisë pas tërmetit, rezultoi e vetmja ofertë e jona për t’i dhënë kuptim tërmetit: tërmeti ra që të manifestohej pa asnjë ekuivok superioriteti i të qenit të Kryeministrit vetja e tij e premtuar).

Po pse njerëzit nuk e refuzojnë kur kjo është kaq haptazi egocentrike? Sepse njerëzit kanë nevojë organike për një ligjërim, i cili demonstron se gjithçka është e lidhur me gjithçka. Një ligjërim i tillë është praktika e vetme e një të vërtete të madhe, ngashënjimi për të cilën shënjon mbarë historinë e njerëzve. Dhe sa kohë që janë lënë anash dy çështjet e tjera që inspirojnë një ligjërim totalizues (ai ligjërim, pra, që i jep formë mendjes e përmes saj realitetit) që janë çështja e Zotit dhe çështja e llojit (species), vetja shndërrohet në shtysën më të thellë që gjeneron ligjërimin, ose thënë ndryshe vetja mbetet shpresa më e thellë për ekzistencën e një të vërtete përfundimtare dhe përmes saj kuptimi për çdo gjë.

Prandaj, njerëzit, çfarëdo ligjërimi tjetër që nuk përmbush këtë standard, e konsiderojnë jo të rëndësishëm, të përkohshëm dhe konjuktural; pra, një surrogat të toleruar. Të toleruar për aq kohë sa ligjërimi që lidh gjithçka me gjithçka, ose është hëpërhë i pamundshëm, ose është hëpërhë joproduktiv.

Ky pohim i fundit na mundëson të kuptojmë edhe ligjërimin e kryetarit të sotëm të opozitës, qartësisht krejt i kundërt në diskrecionin e vet me atë që sapo përshkruam: vetja aty është një nga elementët (madje shpesh e vendosur jo në vendin e duhur), së bashku me elementë të tjerë, d.m.th., ekonomia, punësimi, rrogat, korrupsioni, kriminaliteti, familja, arsimimi, sipërmarrja, të rinjtë, pensionistët, artistët etj. Por, a nuk po bëjmë kontradiktë, pra, a nuk është i njëjti lloj ligjërimi ku flitet për gjithçka? Jo, sepse, të flasësh për gjithçka më vete, duke mos pretenduar të zotërosh diturinë që i lidh ato të gjitha me të gjitha, është krejt gjë tjetër nga një ligjërim që drejtpërdrejt pretendon të demonstrojë këtë lidhje. (Publiku), njerëzit, e dinë këtë, ose më saktë e ndiejnë këtë diferencë mes këtyre dy lloj ligjërimesh dhe aspirojnë, siç thamë, ekskluzivisht dhe me çdo kusht ligjërimin që i lidh të gjitha me të gjitha. Pra, mes këtyre preferojnë dhe zgjedhin pothuajse gjithmonë këtë lloj. Pothuajse gjithmonë, jo gjithmonë.

II

Vetëm tani mund të përqendrohemi te një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për mënyrën sesi është gjeneruar shoqëria postmoderne deri më tani. Që kur në fund të shekullit XVIII revolucioni francez krijoi kushtet për laicizimin e shoqërisë franceze, mbizotëron bindja se thelbi i laicizmit është ndarja e shtetit nga feja apo garantimi i neutralitetit të hapësirës publike. Në fakt, me sa duket, këto janë vetëm efekte anësore të këtij procesi, sepse, sipas nesh, thelbi i laicizimit është krijimi i kushteve që ligjërimi publik të ekzistojë dhe mbijetojë edhe nëse nuk ia del të tregojë sesi gjithçka është e lidhur me gjithçka. Pra, duke qenë se ligjërimi diskrecionist, i kuadratuar dhe i orientuar në linja kordinative, nuk është i preferuar e as i kërkuar nga njerëzit, ky ligjërim për të mbijetuar ka nevojë për mekanizma mbështetës shtesë (furka), artificiale dhe të përkohshme, siç janë mbajtja larg e fesë nga institucionet (duke qenë se feja me siguri është një gjeneruese e vetvetishme e një ligjërimi ku demonstrohet se gjithçka është e lidhur me gjithçka) dhe (që është e njëjta gjë, por në një rrafsh tjetër) mbajtjen ndarazi të kapacitetit racional të njeriut nga kapaciteti irracional apo intuitiv. Pra, prandaj laicizmi si furkë që garanton ndarjen e fesë nga institucionet dhe të arsyes nga aproritë e njohjes apriori, ka për qëllim t’i garantojë vazhdimësi ligjërimit diskrecionist në përpjekje për të balancuar inferioritetin e tij përballë ligjërimit mitik- totalizues.

Dhe vetëm kur ndodh, siç është edhe e pashmangshme herët apo vonë, që ligjërimi totalizues ngec, bllokohet apo sklerotizohet, pra, kur mënyra sesi lidh gjithçka me gjithçka nuk është më frymëzuese dhe as ngushëlluese, kur përsërit veten apo humbet vërtetësinë dhe bëhet trashanik në mënyrën sesi i korrespondon gjërat me njëra-tjetrën, dhe kur rezerva e përballimit të pasojave të inercisë së tij shteron, atëherë shfaqet nevoja për një ligjërim të përkohshëm alternativ, mbështetur mbi diskrecionin dhe protokollin, agregimet funksionale dhe zgjidhjet procedurale. Një ligjërim i tillë thjesht tolerohet dhe administrohet për të fituar kohën që i duhet ligjërimit për t’u ripërtërirë në kapacitetin e tij si ndërlidhës i vlerës dhe kuptimit të gjithçkaje me gjithçka.

Sepse, siç thamë dhe më lart, njerëzit nuk do të heqin dorë asnjëherë nga nevoja primordiale për t’u sjellë dhe për të përkuar me mundësinë që gjithçka është e lidhur me gjithçka, që është nga ana e saj shprehje e një bindje dhe nevoje edhe më të thellë, sipas së cilës përtej çdo pasigurie, paqartësie dhe madje dështimi, ekziston një qëllim fundor që konkludon me vlerë dhe kuptim çdo akt dhe çdo ekzistencë, shprehimisht që çdo jetë njerëzore rend drejt një finaleje, cezura e së cilës përputhet me kuptimin dhe të vërtetën. Kjo, në njëfarë mënyre, është një riformulim i provës ontologjike të Anselmit: fakti që njerëzit kanë kapacitetin ta përfytyrojnë universalisht të vërtetën si një finalizim të ekzistencës së tyre, do të thotë se Zoti që i ka krijuar i ka pajisur me këtë fakultet si gjenerues të nevojës për Të (po mos ishte ky kapacitet nuk do të kishte arsye të besohej se ka Zot, fakti që është ky kapacitet është provë për ekzistencën e Zotit). Ky kapacitet, si prirja më e thellë e qenieve njerëzore dhe universaliteti i idesë së Krijuesit Absolut, përbëjnë themelin e çdo qenie njerëzore, themel që shpesh e nxjerrim në harresë, por që na kujtohet kur lëkundet nga krizat apo tendoset nga vendosja e pengesave të reja.

Prandaj, edhe kur ndodh që njerëzit në përgjithësi, në një kohë apo kulturë të caktuar, për një mijë arsye sillen në masë si mohues të Zotit apo pohues të shkujdesur të Tij, artificialiteti i këtij mohimi apo mendjelehtësia e këtij pohimi, kontrastojnë me prirjen e natyrës njerëzore për të synuar lidhjen e gjithçkaje me gjithçka, për të mbajtur me çdo kusht një shteg të hapur drejt një finaleje kuptimdhënëse. Thënë ndryshe, inercia, mendjelehtësia, madje budallallepsja, kotësia dhe manierizmi mund ta çojë njeriun deri te një refuzim (ndryshe i pamundshëm) i Zotit, por nuk mundet ta shkëputin nga sjellja për të lidhur gjithçka me gjithçka, si garanci teologjike e një qëllimshmërie të padyshimtë.

Pra, Zoti edhe mund të mohohet sepse për këtë mjafton një gjest kryeneç mërie apo llastimi (duke qenë e mjaftueshme edhe vetëm si bindje dhe jo sjellje, mjafton një deklaratë, e cila është e papërgënjeshtrueshme pikërisht ngase është e paverifikueshme), por nuk mund të mohohet sjellja që mbështetet në besimin se gjithçka lidhet me gjithçka, sepse sjellja ndryshe nga bindja është e dukshme dhe e verifikueshme. Mundësia e laicizmit lind aty ku, nisur nga një mohim apo alternativizim i idesë së Zotit, mund të këmbëngulet edhe njëherë tek eksperimenti i radhës se mos shkulet nga natyra njerëzore prirja më e thellë që dëshmon lidhjen e gjithçkaje me gjithçka. Eksperiment i paracaktuar të dështojë siç dëshmon historia deri më tani (historia e modernes dhe postmodernes): Modernia ndau fenë nga institucionet dhe racionalitetin nga irracionaliteti, që të prodhonte një ligjërim jomitik, por përftoi efektin bumerang: arsyeja e veçuar-shkëputur nga kapacitetet metafizike të qenieve njerëzore, e vetme pa regjistrin e iracionalizmit, brenda suazave të atij që njihet si humanizmi europian, rithemeloi praktika diskursive si iluminizmi dhe marksizmi. Që të dyja shprehje të nevojës bazë njerëzore që çdo gjë të shpjegohet përmes çdo gjëje dhe e aspiratës më të thellë se përtej çdo suksesi a dështimi ekziston një qëllimshmëri përfundimtare. Në emër të laicizmit e dëboi ligjërimin mitik me në qendër çështjen e Zotit, për ta zëvendësuar jo me një ligjërim diskrecionist-laiciziues, por me një version tjetër të ligjërimit mitik, me në qendër, si çështje kryesore, çështjen e llojit.

Kurse postmodernia vazhdon me ndarjen e fesë nga institucionet dhe irracionalitetin nga racionaliteti, por duke përftuar një tjetër efekt bumerang: irracionalja e çliruar prej arsyes ekzaltoi të njëjtën nevojë primordiale, siç e shpjeguam në pjesën e parë të këtij shkrimi, duke synuar lidhjen e gjithçkaje me gjithçka përmes pasionit për veten, për një vete në ekspansion për të njësuar kufijtë e saj me kufijtë e botës. Duke e zëvendësuar çështjen e Zotit (dhe çështjen e llojit) me çështjen e vetes (duke e përdorur laicizmin si një pengesë vetëm kundër ligjërimit mitik të çështjes së Zotit). Është vendi të shtojmë këtu se çështja e Vetes si qendër e një ligjërimi mitik nuk është patentë e Kryeministrit, përkundrazi ai në këtë praktikë ligjërimore mitike shfrytëzon pa asnjë kufi tendencën bazë ideologjike dhe kulturore të kohës sonë: të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë sot u rekomandohet një ligjërim me bazë veten, ligjërim irracional dhe totalizues, të cilin gjithmonë e më shumë njerëz e lakmojnë dhe nuk ka rëndësi në suksesin e kësaj tendence nëse ata kanë sukses në këtë përpjekje. Ligjërimi mitik i Kryeministrit i një vete totalizuese, një ligjërim tërësisht irracional, i paturpshëm dhe fyes, mund të shitej vetëm në një bursë si shoqëria postmoderne, ku vetja u shfaq si garantuesja kryesore e së vërtetës finale. (Në këtë kuptim, Kryeministri nuk është asfare një heretik a rebel, siç, sipas një modeli romantik për artistin, pëlqen ta paraqesë veten, në fakt ai është një nga servantët më të zellshëm të ideologjisë dominuese të kohës që jetojmë).

Pra, edhe modernia, edhe postmodernia tregojnë se kjo prirje nuk zhduket dhe për pasojë laicizmi, nëntë në dhjetë, është një projekt i dështuar, që legjitimohet vetëm në funksionin e tij antireligjioz, që është, në fakt, një funksion dytësor i tij.

III

Pra, laicizmi i fundshekullit XVIII dhe i shekujve XIX-XX, në përpjekje për të pezulluar prirjen e implikimit të lidhjeve të çdo gjëje me çdo gjë, si shprehje të një botëkuptimi mitik, ndau fenë nga institucionet dhe arsyen nga kapaciteti iracional. Rezulton se nga këto tri ndërmarrje (një qëllim dhe dy mjete për këtë qëllim), ka mundur të përmbushë vetëm njërin, ndarjen e fesë nga institucionet (njërin nga dy mjetet). Përmbushje e pakuptimtë për sa në fakt ligjërimi mitik ka lulëzuar në hapësirën publike edhe pasi feja është mbajtur larg prej saj. Ka lulëzuar edhe kur arsyeja ka punuar e pashoqëruar nga rezervuari irracional i qenieve njerëzore, edhe kur racionalja dhe impulsivja ka operuar e pavarur nga arsyeja. Kjo është provë e mjaftueshme se laicizmi është thjesht një amortizues i përkohshëm i pamundësive apo teprimeve të ligjërimit mitik.

Ligjërim mitik, në fakt, ripërtërihet vetiu, me mundësinë më të vogël që i jepet, duke ia dalë në fakt gjatë gjithë kësaj kohe ta anulojë apo zbrazë pandërprerë laicizmin. Të vetmet raste kur laicizmi mund të revanshojë janë momente kalimtare, të pakta dhe të shkurtra, kur nevoja e dobët për ligjërimin diskrecionist forcohet nga dështimet apo inercitë e ligjërimit mitik. Në fakt, këto momente janë përjashtime dhe jo rregull, sepse rregulli është që ligjërimi mitik forcohet në fakt edhe nga dështimet e veta, në kuptimin që asnjë dështim nuk mjafton për ta zhvlerësuar. Ndaj, në emër të këtyre përjashtimeve është tërësisht artificiale dhe mbi të gjitha joproduktive që laicizmi vazhdon të mbijetojë ndërkohë që ka dështuar: thjesht i ka mbyllur rrugën fesë për te ligjërimi mitik, por ndërkohë ligjërimi tërësisht racional i modernes dhe ligjërimi tërësisht irracional i postmodernes, s’kanë pushuar së ushqyeri nevojën bazike të qenieve njerëzore për ligjërimin mitik.

Në këtë kuptim, ligjërimi i Kryeministrit të tanishëm shqiptar, por edhe i shumë politikanëve botërorë, është thjesht sinergji me frymën e kësaj kohe, duke abuzuar me nevojën gjenuine të qenieve e njerëzore për ligjërimin mitik, nevojë që dëshmon mjaftueshëm e vetme, në fakt diçka krejt tjetër: nevojën e qenieve njerëzore për Zotin e tyre, si i vetmi që garanton me fisnikëri lidhjen e gjithçkaje me gjithçka dhe një finale ngushëlluese kuptimesh. Në të vërtetë, ky ligjërim tërësisht irracional dhe pabesueshmërisht egocentrik është një praktikë delaicizuese e ofrimit të vetes si mesazh permanent, i cili për aq sa ka pasur sukses, e ka pasur nga fakti se paturpësia është një teknikë adekuate për të lidhur gjithçka me gjithçka përmes ndërmjetësimit të vetes. Por, për fat, Kryeministri i sotëm nuk ka menduar përpos paturpësisë për ndonjë teknikë tjetër adekuate, fjala vjen, empatia apo luajaliteti e dinjiteti. (Nuk po zëmë me gojë dy mundësi të tjera që mundësojnë ligjërimin mitik, që nuk janë teknika, por praktika komplekse semantike: njohuritë e thelluara në dijen fetare apo njohuritë e thelluara në dijen filozofike, sepse për këto Kryeministri i sotëm dukshëm ka një interes sipërfaqësor). Ndaj ky bast vetëm te paturpësia mbart potencialin që ligjërimi i tij totalizues të ezaurohet, të përsëritë veten e të bjerë në kolaps, pa mundur dot të ngopë nevojën e njerëzve për të shpjeguar gjithçka me gjithçka.

Nëse kjo ndodh (në fakt, kjo sigurisht po ndodh), atëherë mund të jetë një nga rastet e pakta që përmendëm, që të ndihet nevoja për llojin diskrecionist të ligjërimit, për momentin e ndehur në ligjërimin politik shqiptar nga kreu i sotëm i opozitës. Ky do të ishte momenti i një praktike të pastër laicizuese (i pastër në kuptimin e një laicizmi të vërtetë dhe të përkohshëm dhe jo të zbraztë dhe të zvargur siç aktualisht). Por ky ligjërim, edhe nëse preferohet, është i destinuar të jetë i përkohshëm-kalimtar, sepse njerëzit kanë nevojë në thelb për llojin totalizues të ligjërimit dhe çështja nuk është vetëm nëse me të vërtetë jemi në njërin nga ata momentet e pakta, kur ligjërimi diskrecionist shërben si një pauzë për të rregulluar frymëmarrjen mes dy periodave të ligjërimit mitik, por edhe se çfarë potenciali ka shoqëria shqiptare për të përftuar ligjërimin e pashmangshëm mitik, pas kësaj pauze.

Kujtojmë se nga sa thamë, tri janë mundësitë e një ligjërimi ku demonstrohet potencialisht se çdo gjë është e lidhur me çdo gjë: ose duke pranuar të jetë Zoti garantuesi i këtij rrjeti të pambarimtë valencash (praktika në terren në këtë rast do të ishte feja); ose të jetë lloji garantues (praktika në terren do të ishte filozofia); ose të jetë vetja kjo garantuese, siç e përshkruam me ngulm këtu (praktika në terren e së cilës do të ishte hiperrealiteti). Prandaj, duhet të jetë e qartë se në kushtet kur laicizmi operon me dy standarde, pra, as nuk merret më të pamundësojë ligjërimin mitik, përderisa lloji dhe vetja nuk pengohen ta gjenerojnë atë, por në sklerozë artificializon ndarjen e fesë nga jeta e gjallë e njerëzve, atëherë për gjeneruesit e ligjërimit mitik fetar në shoqërinë shqiptare është e pashmangshme ta kapërcejnë këtë artific, jo ngaqë është thjesht një artific, por sepse ligjërimi mitik i gjeneruar përmes vetes është degradues, kurse ligjërimi mitik përmes llojit ndër ne është anemik dhe banal. Kjo shoqëri e këta njerëz kanë nevojë për ligjërimin që dëshmon se gjithçka lidhet me gjithçka dhe nuk është opsionale, por e vetmja mundësi, përpjekja e tyre ta ofrojnë këtë ligjërim duke u zbuluar atyre Zotin.

(Ky shkrim u shkrua para zgjedhjeve të 25 prillit, por për shtrëngesë kohe, nuk u botua atëherë. Duke përfituar nga shtyrja e botimit, tani pas zgjedhjeve të 25 prillit, që ishin një pabesi dhe një dhunë e strukturuar e një grupi ndaj gjithë shoqërisë, po shtojmë këtu një skicim sesi u modelua realisht, apo sesi mund të modelohet potencialisht, një prej skandaleve të fushatës, stoku i informacionit të paligjshëm në databazën e partisë në pushtet.

Kryeministri, në përputhje me faktin që nuk mund të përftojë tjetër ligjërim, përveçse atij mitik me veten në qendër, lexoi në publik ID e tij, duke sugjeruar kështu se duke qenë se vetja e tij nuk e konsideronte telash këtë, atëherë askush tjetër s’kishte arsye ta konsideronte telash. Pastaj bëri një deklaratë irracionale: “T’u merrni të keqen patronazhistëve”, që nënkuptonte se askënd nuk mund ta godasë e keqja pa e ditur dhe pa e dashur vetja e tij, për ta konkluduar me një deklaratë të neveritshme: “Ata dinë gjithçka për ju”, që nënkuptonte që përderisa Ai- Vetja e tij dinte gjithçka çfarë patronazhistët dinin për gjithkënd, atëherë gjithçka ishte në rregull dhe sistemi i lidhjes së gjithçkaje me gjithçka funksiononte sahat. Për pasojë, shqetësimi i njerëzve është i pavend. Siç kemi pasur rast të tregojmë tjetër herë, një ligjërim i tillë e detyron mendjen të abortojë modelet dhe çon në shndërrimin e botës së jashtme të fenomeneve, në një hiperrealitet.

Kryetari i opozitës, me ligjërimin e tij diskrecionist, deklaroi se kjo databazë, përveçse skandal, ishte edhe e paligjshme dhe pa shpjeguar se ç’kuptim kishte kjo paligjshmëri (sepse ligjërimi jomitik nuk shpjegon, por thjesht konstaton dhe korrigjon) thjesht premtoi ndëshkimin e fajtorëve kur të vinte në pushtet. Sipas këtij ligjërimi, veprimi është i paligjshëm, por nuk ka pse të axhitohemi. Ky ligjërim i tillë e shndërron mendjen në një aparat të përpunimit të të dhënave, që nxjerr shifrën e saktë, pa u interesuar sa përputhet me shifrat e tjera.

Nga pikëpamja e ligjërimit mitik ku lidhja e gjithçkaje me gjithçka garantohet nga Zoti, ndryshe ligjërimi fetar, kjo ngjarje mund të shpjegohej duke u nisur nga pezmatimi dhe acarimi që shkaktoi. Pezmatim dhe alarm që për aq sa mundet të jenë irracionalë, janë të natyrshëm sepse janë pjesë themeli e natyrës njerëzore. Pezmatim dhe alarm që mund të shpjegohen me parandjenjën e mbjellë thellë në natyrën njerëzore, se transferimi diku tjetër, pa pëlqimin e tyre, të një pjese të vetes, duke u formuluar në një mënyrë tjetër nga ajo e kodit vetjak, është e mjaftueshme për të sjellë telashe pas telashesh. (Çka thamë është për nevojat e këtij diskursi, një përkufizim për magjinë. Nuk ka rëndësi se sa i debatueshëm është statusi zyrtar i magjisë në botëkuptimin e sotëm, e rëndësishme është që alarmi që shkakton ajo ka shoqëruar njerëzit përgjatë gjithë historisë.) E rëndësishme është se kjo është mënyra sesi njerëzit pranojnë se ekziston magjia, e cila është pa dyshim dëmsjellëse. Sikurse magjia bëhet duke u nisur medoemos nga një e dhënë personale (një rrobë, një tufë flokësh), edhe patronazhimi ka nevojë për numrat e telefonave apo ID e personave që të bëhet efektiv kontrolli dhe shqetësimi që organizata në pushtet do të përçojë te njerëzit. Në këtë kuptim, antipatia që u ngjall në opinionin publik ndaj patronazhistëve është e ngjashme me antipatinë ndaj magjistarëve (sikurse dhe magjistarët, me interesin arbitrar paraprak ndaj jetës personale të viktimave të tyre, janë një lloj patronazhistësh, dhe me nevojën për të plaçkitur medoemos një gjësend nga gjësendet intime të viktimës, janë ndër të tjera dhe praktikues të përgjimit, ngjashëm me patronazhistët). Ky alarm ndaj magjisë, përpos aspektit psikologjik, ka edhe një komponent politik, pasi përcakton se kur pushtetit nuk i lejohet kurrsesi zotërimi i informacioneve të shtetasve: kur ky informacion merret pa leje, merret përmes një përgjimi paraprak dhe përfshihet si e dhënë brenda një formule tjetër nga kodi individual i secilit.

Kurse nga pikëpamja e ligjërimit mitik që gjenerohet nga lloji (nga të qenët e njerëzve njerëzim) do të shpjegohej sesi të dhënat personale mund të depozitohen dhe kontrollohen, vetëm nëse ka arsye të prezumohet se depozita e tillë rrit fuqinë e përbashkët të bashkësisë dhe rrit mundësitë e kësaj bashkësie për t’u përmirësuar dhe emancipuar en block. Kontrolli i tyre nga një grup i paautorizuar brenda bashkësisë pa pëlqimin e pjesës tjetër të shoqërisë, i cili madje pretendon se pikërisht nga epërsia e fituar prej këtij survejimi është i paprekshëm, e shkatërron këtë prezumim dhe zhvlerëson çdo argument relativizues apo shfajësues.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit