-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Katolikocentrizmi dhe Islamofobistët Shqiptarë

Më të lexuarat

Rexhep Elezaj

FUSHATË E (PA)PARAMENDUAR ANTIISLAME ME PASOJA TË RËNDA PËR TOLERANCËN FETARE…!

Asnjë shqiptar i besimit islam nuk e urren fenë e krishterë të ritit katolik apo ortodoks, qoftë për faktin se nuk i takon kësaj feje, qoftë për ndonjë motiv tjetër. Pra nuk mund të gjendet asnjë shqiptar i besimit islam që urren vëllanë e tij për shkak se ai i takon një besimi tjetër, sepse është e mirënjohur toleranca e besimtarëve shumicë islam shqiptarë ndaj besimtarëve pakicë katolik shqiptar, por edhe respekti i tyre shumë i madh ndaj krishterimit si religjion qiellor monoteist.
Shqiptarët si njëri ndër popujt më të lashtë në Ballkan nuk kanë poseduar kurrë ndjenja të racizmit ndaj popujve tjerë, e po ashtu nuk kanë qenë as racistë në aspektin fetar ndaj besimeve dhe religjioneve tjera. Këtë kulturë të lartë në sjelljet e tyre ndaj të tjerëve shqiptarët e besimit islam e kanë dëshmuar në vepër gjatë tërë shekujve, posaçërisht ndaj fesë së vëllezërve të tyre katolik dhe ortodoks kanë ushqyer respekt të veçantë. Se është kështu flasin me qindra fakte dhe argumente nga jeta dhe praktika e përditshme midis tyre, të cilat nuk ka nevojë të përmenden veç e veç në këtë shkrim, edhe pse për shumë islamofobistë shqiptarë, të cilët nuk marrin gjë vesh në çështjet e besimit dhe të feve monoteiste sqarimet do të ishin të mirë se ardhura, mbase dhe të domosdoshme që ta kuptojnë të vërtetën mbi Islamin.
Prandaj, pas gjithë propagandës antiislame që është bërë gjatë15 vjetëve të fundit në hapësirat etnike shqiptare, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri me qëllim të ndërrimit të baraspeshës fetare, tani më nuk ka asnjë dilemë se fushata kundër Fesë Islame e filluar menjëherë pas viteve të demokracisë më 1990 ka hyrë në fazën më dinamike të saj, të cilën po e udhëheqin, pranë disa klerikëve katolikë, edhe shumë intelektualë islamofobistë shqiptarë në mënyrë tejet të pakulturuar para gjithë opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Kur themi të pakulturuar fjalën e kemi për gjuhën shumë agresive dhe ofenduese me të cilën aniislamistët po iu drejtohen besimtarëve islamë shqiptarë që ta ndërrojnë fenë dhe të kalojnë në katolicizëm, duke ua lënduar rëndë ndjenjat e tyre fetare, kur dihet se besimi në Zot është çështje dhe e drejtë personale e secilit njeri në këtë botë. Pra, hovi i propagandës antiislame, gjegjësisht ashpërsia të cilën po e përdorin katolikocentristët në luftën e tyre të “shenjtë” kundër Fesë Islame, të cilës i janë bashkangjitur edhe një numër jo i vogël i studentëve katolikë shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, të çon pashmangshëm në konstatimin se e gjithë kjo po bëhet në mënyrë të koordinuar mirë me faktorin kohë dhe vend. Sepse kjo bujë kaq e madhe që po bëhet kundër Fesë Islame tek shqiptarët nuk mund të jetë kurrsesi e rastësishme, mbase e planifikuar shumë mirë edhe nga qendra të caktuara politike e fetare jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë qëllim është shumë e qartë se në fushatën antiislame janë kyçur si dhe janë futur në përdorim gati të gjitha metodat e lejuara dhe të pa lejuara morale dhe politike, me qëllim për ta krijuar klimën sa më të volitshme për të ndërmarrë rikonkuistë të re ndaj muslimanëve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, pra për rikonvertimin e tyre me dhunë në fenë e krishterë të ritit katolik. Ngase, gjithnjë sipas skenarëve të tyre të përgatitura mirë, del se tani është koha më e volitshme si dhe rrethanat më të përshtatshme që t’i ndërmarrin hapat vendimtarë për kthyerjen e shqiptarëve muslimanë në katolik.
Më poshtë po sjellim vetëm disa nga faktet që flasin për një plan të këtillë;
1. Ndërtimi dhe hapja solemne e kishave të reja katolike në mjediset e banuara qind për qind me besimtarë islamë, siç është rasti me ndërtimin e kishës dhe inaugurimi solemn i saj me 01.10.2005 në fshatin Kuqishtë të Rugovës në praninë e vetë ipeshkvit të Kosovës Mark Sopit, trevë kjo ku siç dihet nuk jeton asnjë besimtar i krishterë i ritit katolik apo ortodoks.
2. Ngritja e bustit të Nënë Terezës nëpër shumë vende të Kosovës, rezulton se kjo nuk është bërë thjesht nga motivet humanitare, por më shumë nga ato fetare, sepse po të bëhej fjalë për motivin e parë, atëherë do të mjaftonte vendosja e bustit të saj vetëm në dy-tri qendra të Kosovës sa për të reflektuar figurën e saj në aspektin gjithë njerëzor që ka luajtur ajo përmes misionit kishtar si murgeshë katolike në mbrojtjen e njerëzve të varfër në Indi.
3. Shpërndarja e Traktit-Thirrjes për rikonvertim fetar në Kosovë si dhe në veriun e Shqipërisë në fillim të vitit 2003 nga ana e njëfarë shoqate të studentëve katolik shqiptar, me të cilin u bëhej thirrje e hapur shqiptarëve muslimanë që ta braktisin Fenë Islame dhe të kthehen në fenë e vjetër, pra në katolicizëm, ku sipas autorëve të këtij trakti të pistë Feja Islame na qenka fe e pushtuesve që na kanë sunduar 500 vjet, pra fe e turqve të cilët e kanë luftuar krishterimin, dhe se sipas autorëve të këtij trakti, prijësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si Mulla Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri etj, na paskan qenë pedofilë, etj, (turpi i mbuloftë).
4. Vënia e gur themelit të katedrales në Prishtinë me 26.08. 2005 nga dora e vetë presidentit të Kosovës, projekt ky i kundërshtuar nga organet komunale të Prishtinës për arsyen se ende nuk kishte përfunduar procedura administrative për dhënën e lejes së ndërtimit të saj në vendin e Gjimnazit “Xhevdet Doda”.
5. Manifestimet e njëpasnjëshme fetare katolike të organizuara me shumë spektakël nën prezencën e madhe të mjeteve të informimit, gjë që nuk ka shembull në botë që manifestimeve të këtilla fetare t’i kushtohet hapësirë kaq e madhe informative siç bëjnë mediat shqiptare, pa dallim se cilit spektër politik i takojnë. Se për çfarë arsyeje i kushtojnë gjithë këtë kujdes veprimtarisë fetare katolike në Kosovë dhe Shqipëri shumica e mediave shqiptare nuk është vështirë të merret me mend, por ajo që të habit shumë është fakti se sa i madh është servilizmi i tyre ndaj fesë katolike (dhe sa i madh është mohimi dhe injorimi i tyre ndaj Fesë Islame), dukuri kjo që i bie në sy secilit njeri, ngase nuk has dot gazetë ditore ose revistë javore që të mos ketë së paku një shkrim ose artikull që afirmon (lexo: propagandon) kontributin e figurave kombëtare në mënyrë të theksuar vetëm të atyre që i takojnë besimit katolik. Dhe ky anim medial ndaj figurave fetare dhe politike të fesë katolike ka qenë prezent në mënyrë sistematike që nga viti 1990 e deri më sot.
6. Minimizimi ose injorimi i plotë nga ana e shumë mediave shqiptare gati i të gjitha figurave tona kombëtare, fetare ose politike të cilat i përkasin besimit fetar islam, dhe ç’është më e keqja duke i akuzuar ato në mënyra të ndryshme për tradhti kombëtare, si vasalë të Turqisë, etj. etj. që, si të tilla (lexo: të shitura) gjithnjë sipas logjikës së islamofobistëve ato nuk e merituakan t’iu përmendet emri e lërë më të hyjnë në historinë tonë kombëtare në rang të barabartë me heronjtë, rilindasit, poetët, shkrimtarët, artistët dhe politikanët shqiptarë të përkatësisë fetare katolike.
7. Abuzimi banal dhe i qëllimshëm i pjesës më të madhe të historisë sonë kombëtare, e cila është ndërtuar gjatë kohës së sundimit osman, brenda së cilës siç dihet faktori intelektual dhe politik islam shqiptar ka luajtur rol kyç siç ka qenë edhe bartësi kryesor i sukseseve politike brenda kombit shqiptar, ndaj edhe ky anashkalim i tyre bëhet me qëllim të demonizimit të plotë të intelektualëve shqiptarë myslimanë, të cilët ishin bartësit kryesor politik dhe diplomatik të cilët ia shtruan rrugën pavarësisë së kombit shqiptar me 1912.
8. Përjashtimi i tërësishëm i të gjitha vlerave të kulturës islame shqiptare si dhe paraqitja e tyre si trupa të huaj (oriental) brenda organizmit tonë kombëtar (aksidental), duke favorizuar dhe paraqitur kulturën e krishterë katoliko-ortodokse shqiptare si të vetmen bazë të identitetit kombëtar dhe fetar të shqiptarëve, që padyshim paraqet argumentin më të fortë, i cili fletë qartë për prapavijën e errët të propagandës antiislame që po bëhet edhe gjatë këtyre ditëve në Kosovë dhe Shqipëri, të cilës me arrogancë të madhe fetare dhe shkencore po i shërbejnë intelektualë dhe politikanë të shumtë shqiptarë, mjerimi njerëzor, fetar dhe shkencor i të cilëve nuk ka kufij. Ata, jo vetëm se janë shndërruar në argat pa pagesë të kësaj propagande, por më shumë se kjo kanë hyrë në vallen e satanit pa bërë llogari për dëmet që po i sjellin kauzës sonë kombëtare, në kohën kur ende pjesët më të mëdha të tokave shqiptare vazhdojnë të jenë nën sundimin e pushtuesve të huaj si dhe të copëtuara në gjashtë pjesë.
9. Ofertat e larta në të holla që u ofrohen personave labilë të besimit islam për t’i joshur që të konvertohen në katolik është po ashtu pjesë e fushatës antiislame, duke mos harruar këtu për asnjë çast as rolin e faktorit të huaj në Kosovë dhe Shqipëri, i cili për qëllime të veta po përdorë çdo mundësi që ta arsyetojë punën e misionit paqësorë të OKB-së në Kosovë, me vetë faktin se që nga ardhja e UNMIK-ut në Kosovë ka zënë të lulëzojë krishterimi, ku për herë të parë pas kohës së komunizmit kudo gjithandej Kosovës kumbojnë kambanat e kishave katolike, duke e ndërruar gradualisht reliefin e saj islam, ngase një dëshirë të tillë e kishin bartur me vete edhe (paq)ruajtësit e kishave ortodokse serbe, të cilëve (lexo: serbëve) qëkur kanë ardhur këtu paqësorët perëndimorë nuk guxon kush t’ua prishë tymin e duhanit e lërë më t’i thërrasin me emrin e tyre të vërtetë: kriminelë…!?
Sa është në shërbim të kësaj politike propaganda aktuale antiislame e islamofobistëve shqiptarë, sa është i vetëdijshëm faktori katolik shqiptar për rolin negativ që po luajnë disa misionarë katolik kundër prezencës së fesë dhe vlerave të Islamit ndër shqiptarët, se sa do t’i shërbejë fushata antiislame tolerancës dhe mirëkuptimit ndër fetar tek shqiptarët me gjithë këto aktivitete kishtare kaq të zellshme, se sa do t’i ndihmojë zgjidhjes së çështjes së Kosovës në këto çaste historike marrja me kaq pompozitet me forcimin e fesë së krishterë-ritit katolik tek shqiptarët, duke bërë çmos që me çdo kusht të rritet numri i besimtarëve katolikë shqiptarë, sikur edhe thirrjet e vazhdueshme drejtuar shqiptarëve muslimanë që ta përqafojnë katolicizmin, dhe kështu me radhë, mbetet të shihet shumë shpejt. Por, ajo që na bën tepër të sigurt në qëndrimin tonë se islamofobistët shqiptarë aktualisht janë duke i sjellë kombit shqiptar dëm shumë të madh historik dhe kombëtar, tregon fakti se koncepti i tyre politik nuk çon kah forcimi koheziv i kombit, por drejt copëtimit të tij shpirtëror. Sepse duke injoruar dhe përbuzur kaq brutalisht dhe me mendjelehtësi kaq të madhe ndjenjat fetare të shqiptarëve shumicë të besimit islam, pa dyshim se do të ketë pasoja të rënda, jo vetëm për tolerancën ndërfetare tek shqiptarët, por edhe për integrimin e tyre kombëtar. Por, si bumerangu më i keq në politikën shqiptare që do të kthehet në të ardhmen e afërt është pa dyshim përzierja e faktorit katolik shqiptar në proceset politike në Kosovë, i cili në vend se të merrej më çështje të fesë, ai i dha vetës të drejtën që të zhvillojë “politikë fetare” në emër të interesave kombëtare, që në esencë s’është tjetër përveç se luftë për prestigj fetar dhe kombëtar.
Por, për fat të mirë kombi shqiptar si çdo komb tjetër në botë është sovrani kryesor, i cili vetvetes ia zgjedhë dhe vendos për të ardhmen e tij politike e fetare, duke mos përfillur si gjithmonë dhe me krenari kombëtare ambiciet politike të mistrecëve politikë dhe fetar, të cilët po vazhdojnë aktivitetin e tyre antiislam në Kosovë dhe Shqipëri, duke i bërë edhe kësaj radhe llogaritë e tyre gabim dhe pa hanxhiun…!

 

14 nëntor 2005

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit