Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës e kanë kërkuar dorëheqjen e kryesuesit Sylë Hoxha, duke thënë se e ka sjellë në gjendje të rëndë institucionin e sistemit prokurorial. E gjitha ka nisur kur në mëngjes u shty mbledhja, në mungesë kuorumi, por pa u mbledhur për të konstatuar këtë.
Problem u bë për vazhdimin e mandatit të dy anëtarëve të KPK-së dhe diskutimi për anëtarin e shoqërisë civile, Florent Muqaj, nga i cili janë distancuar 13 OJQ.
Tollovi e madhe e ka përcjellë Këshillin Prokurorial të Kosovës këtë të premte.
Gjithçka ka nisur në mëngjes kur mbledhja u anulua pa u mbajtur fare, me arsyetimin se nuk ka kuorum, pavarësisht se anëtarët nuk u mblodhën për të konstatuar këtë.
Por, katër anëtarët e KPK-së tentuan të mbajnë takimin, kurse kamera e KTV-së nuk u lejua fillimisht në ndërtesë.
U tha se drejtori Ehat Miftari dhe Sylë Hoxha kanë thënë se nuk ka takim.
Pas insistimit të anëtarëve dhe shumë telefonatave të tyre, kryesuesi Sylë Hoxha erdhi në sallë për t’iu thënë anëtarëve se do të provojnë të organizojnë mbledhjen për pasdite.
Pjesëmarrja e Hajredin Kuçit pasdite bëri që të krijohet kuorumi për mbajtjen e takimit.
Gjithë problemi ka nisur në mbledhjen e kaluar, për vazhdimin ose jo të mandatit të dy anëtarëve, Sevdije Morinës dhe Jetish Malokut.
Të parës i përfundon mandati i anëtares së KPK-së më 8 mars, kurse Malokut në muajin korrik.
Anëtarët janë pajtuar që sipas Kushtetutës, me automatizëm Morinës t’i vazhdohet mandati edhe për një vit sepse Maloku ka hequr dorë nga kjo mundësi.
Por, ata e kanë lënë pezull çështjen e votimit për këtë për mbledhjen e javës që vjen, ku do të diskutohet edhe kërkesa e 13 OJQ-ve që janë distancuar nga Florent Muqaj, që përfaqëson këtë sektor në KPK.
Pikë e rëndësishme e rendit të ditës të premten që vjen është edhe mundësia e shkarkimit të kryesuesit, Sylë Hoxha.
Pas këtyre kërkesave, Hoxha ka dashur ta lëshojë mbledhjen.
Por, ministri Kuçi e shpëtoi, duke kërkuar që gjërat e tilla të mos bëhen me kaq nxitim.
Ministri i Drejtësisë ka kërkuar durim nga sektori i drejtësisë sa iu përket kërkesave dhe grevës së tyre.kohaislame